Shqipëri, nga 1 qershori hapen kufijtë tokësorë dhe plazhet

Shqipëria do të hapë kujfitë tokësorë me fqinjët dhe plazhet për hotelet nga 1 qershori, ndërsa kjo ishte fundjava e fundit nën izolim deklaroi kryeministri Rama në një komunikim në rrjetet sociale.

“Jemi gati të hapim kufijtë tokësorë por duhet të marrim miratim nga vendet me të cilat kemi lidhje direkte të transportit ajror.

Nëse nuk biem dakord nuk hapen ato me ne. Shengeni deri në 15 qershor është i mbyllur dhe fluturimet mes vendeve janë të mbyllura për momentin. Virusi nuk ka ikur, është mes nesh. Dhe rreziku i një vale të re është real.

Duke nisur nga e hëna e 1 qershorit do të hapim kufijtë tokësorë me fqinjët për të gjithë shqiptarët qofshin me pasaportë të Shqipërisë, Kosovës, apo Maqedonisë së Veriut u bëjmë thirrje për kujdes.

Kjo do të jetë java e fundit e kufizimeve në Tiranë dhe rrethe, por fundjava pa makina do të mbetet në fuqi edhe për dy fundjava, dhe do të rikthehet në tetor”, deklaroi Rama.

Nga 1 qershori do të hapen edhe plazhet, por vetëm për hotelet, ndërsa nga data 10 do të hapen për të gjithë. Duke filluar nga kjo javë do të ngrihet një Autoritet i Përkohshëm Licensues i plazheve nga subjektet private, shtoi kryeministri.

“Ende nuk do të hapen plazhet. Nuk kam ndërmend të bëj të mirin për ti hapur rrugë të keqes. Askush në Europë nuk ka hapur plazhet. Këtë javë mbyllim sistemin e administrimit të plazheve. Parimin e “rërës së xanun” me çadra dhe shezllone do ta ndëshkojmë pa asnjë kompromis. Greqia ka vendosur të hapë plazhet në korrik, të tjerët ende. Nga 1 qershori do të hapim plazhet vetëm për hotelet dhe pas 10 qershorit për të gjithë.

Të gjitha të ardhurat do ti kalojnë bashkive si gjithmonë. Asnjë kontratë e mëparshme nuk do të njihet nëse nuk konfirmohet nga ky Autoritet licensues dhe asnjë kontratë e re nuk do të lidhet nga bashkitë pa miratimin paraprakisht të këtij Autoriteti licensues.”

Në lidhje me transportin publik kryeministri deklaroi se deri në fund të muajit do të jetë gati një strategji e re.

“Deri në fund të muajit ne do të kemi strategjinë e re për transportin publik dhe do i hapim pjesë-pjesë duke vënë në jetë një reformë tërësore të këtij sektori me një pjesëmarrje direkt të shtetit në garantimin e shëndetit sot, por dhe rritjen e cilësisë dhe standardeve për nëse në shërbimin urban dhe ndërqytetas”