Shqipëria, destinacioni i parë në Evropë sipas “National Geographic

Revista e sugjeron Shqipërinë për t’u vizituar në 2024-shin. 

Përpara nisjes së 2024, “National Geographic”, versioni britanik i kësaj reviste prestigjioze, ju ofron lexueseve të saj një listë me 30 destinacione më emocionuese që ata mund të vizitojnë.

Në dukje e pabesuesshme, por në vendin e parë të kësaj liste, ekspertët e turizimit britanik, vendosin Shqipërinë dhe ekzaktësisht Alpet tona. Esencën e shkurtër që revista ka zgjedhur të japë për lexuesit e saj që do të zgjedhin të vizitojnë vendin tonë, e titullon: Një arratisje e egër në yllin në rritje të Europës.

Sugjerimi për udhëtarët që janë në “gjueti” për të shijuar diçka pak më ndryshe nga aventurat e ardhshme europiane është Shqipëria. Ajo përshkruhet si një vend, ku gjen të bashkuara mozaik figurash ballkanike, çka ka tërhequr një numër në rritje vizitorësh për bukurinë e brigjeve të Adriatikut dhe Jonit, por dhe për historinë e saj intriguese osmane dhe historinë më të vonë komuniste, ku skena e turizimit sapo ka lindur.

Por si pjesë kryesore të listës së vendeve që duhen vizituar në Shqipëri, revista vendos Alpet. Historinë ogurzezë të Bjeshkëve të Namura që i përshkruan si një mbretëri të majave të thepisura,  e sheh si ëndrrën e çdo alpinisti që do të gjejë aty rreqebullin në zhdukje në Europë, por që këtu endet nëpër pyjet e bredhit dhe lulet e egra që mbulojnë luginën.

Për më guximtarët, ata që kërkojnë të eksplorojnë shtigjet sfiduese, rekomandohet një tur 8-ditor, ku pjesë e itineratit duhet të jetë udhëtim nëpër shtigjet malore, ndalesat në shtëpitë tradicionale  malësore dhe padyshim një vizitë në Theth, që mund të jetë nisja drejt Majat e Ballkanit.

Lexueseve britanik ju kujtohet se drejt Shqipërisë mund të udhëtohet direkt përmes dy linjave ajrore që nisen nga disa qytete çdo ditë drejt aeroportit të Tiranës.

Lista me 30 destinacionet që nuk duhet humbur gjatë vitit të ardhshëm vijon me Belfast, 2 zonat e Italisë, Emilia Romagna dhe Pomepi, por nuk mungojne Maimi, New Jorku, disa shtete të Amerikës Latine për t’u mbyllur me Victorian ne Australine e largët.

Rekomandimi që i bëhet britanikëve përmes këtij shkrimi, premton që dhe 2024 të ketë një fluks të madh turistësh që do të zgjedhin Shqipërinë për ta vizituar, pas suksesit të këtij viti që ende pa u mbyllur, numëron afro 9 milionë turistë nga e gjithë bota. Autoritetet kanë pritshmëri që deri në 31 Dhjetor, ky numër të arrijë 10 milionë vizitorë të huaj që kanë shkelur tokën shqiptare në harkun e një viti.