Shqiptarët në Malin e Zi duhen të binden se janë të lirë

Mes së drejtës në letër dhe realitetit në praktikë, ekziston një boshllëk që nuk mund t’i adresohet gjithmonë shtetit. Një pjesë e madhe e përgjegjësisë bie mbi vetë shqiptarët. Ndoshta ne si komb presim që një kroat apo një serb të dalin në Parlamentin e Malit të Zi e të kërkojnë një ligj i cili i detyron shqiptarët të shkruajnë emrat shqip. Pra, liria për të zgjedhur është liri dhe nëse ne zgjedhim që të mbajmë mbiemra dhe emra të shkruar sllavisht, nuk është faji i shtetit, por është vetëm faji ynë

Mark Lucgjonaj

Koncepti i lirisë është njëri prej koncepteve më kryesore dhe temave me të cilat janë marrë shumë filozofë, dijetarë, sociologë, por edhe historianë. Do t’ia filloj me Aristotelin, i cili lirinë e lidh me zgjedhjen e vetëdijshme. Pra, ne mund të zgjedhim, e kur mund të zgjedhim jemi të lirë. Por, Aristoteli thotë që jemi të lirë kur veprojmë me arsye.
Shumë pas Aristotelit, Zhan Zhak Ruso (Jean Jacques Rousseau) flet për konceptin e lirisë si vetëqeverisje. Pra, ai thotë se lirinë e fitojmë duke iu bindur ligjeve që i kemi vendosur vetë si shoqëri. Pra, ligjet janë ato që na kushtëzojnë, që na lirojnë, dhe natyrisht, zbatimi ose moszbatimi i tyre varet prej nesh.
Një këndvështrim tjetër për lirinë na e jep Immanuel Kant-i. Ai porosit se për të qenë i lirë nuk duhen të ndiqen dëshirat, por detyrat morale, të veprojmë me arsye.
Ajo që e thotë Xhon Stjuart Milli (John Stuart Mill) për konceptin e lirisë, shkon drejt një liberalizmi akoma më të madh: “Liria është e drejta për të menduar, folur dhe vepruar sipas dëshirës, për sa kohë nuk dëmton të tjerët”.
Këtë varg të pasqyrimit të koncepteve për lirinë po e përfundoj me Zhan Pol Sartrin (Jean Paul Sartre), i cili thotë se “çdonjëri krijon vetveten përmes zgjedhjeve”. Sartri thotë se “Liria është absolute, por sjell ankth dhe përgjegjësi”.
Në Mal të Zi, e drejta për ta shkruar emrin dhe mbiemrin në gjuhën shqipe, pa shtesa të imponuara, pa “-viq” (vić), pa deformime, është e garantuar me Kushtetutë dhe me ligje të posaçme. E njëjta vlen edhe për përdorimin zyrtar të shqipes në dokumente personale dhe në komunikimin me organet e administratës, sidomos në komunat ku shqiptarët përbëjnë pjesë të konsiderueshme të popullsisë, si Ulqini dhe Tuzi. Emri dhe mbiemri janë identitet, janë edhe tregues të vetëdijes.
Nikola Nikolić ose Osman Fejzić, në asnjë rrethanë nuk identifikohen me kombësi shqiptare. Për ata që kanë vetëdije, e kuptojnë se kjo është e barabartë me atë sikur Xi Pi Jong të quhet një malësor nga Hoti, dhe të habitet se përse nuk e kuptojnë se është shqiptar. Nëse emri shkruhet si Nikollë Nikollaj apo Osman Fejza, besoj se s’ka nevojë për sqarim të mëtejmë.
Por mes së drejtës në letër dhe realitetit në praktikë, ekziston një boshllëk që nuk mund t’i adresohet gjithmonë shtetit. Një pjesë e madhe e përgjegjësisë bie mbi vetë shqiptarët. Ndoshta ne si komb presim që një kroat apo një serb të dalin në Parlamentin e Malit të Zi e të kërkojnë një ligj i cili i detyron shqiptarët të shkruajnë emrat shqip. Pra, liria për të zgjedhur është liri dhe nëse ne zgjedhim që të mbajmë mbiemra dhe emra të shkruar sllavisht, nuk është faji i shtetit, por është vetëm faji ynë. Pra, kemi të drejtë që të vetëdiskriminohemi, të dalim para opinionit si një komb i përzier, i cili quhet edhe komb pa kurriz.
Shpesh, më takon të lexoj shkrime ku një shqiptar kërkon nga institucionet e vetëqeverisjes lokale që të zbatohet dygjuhësia në lëshimin e dokumenteve administrative dhe ku emri i tij është i shkruar me alfabet malazez dhe me prapashtesë sllave. Ka raste kur kjo prapashtesë shkruhet edhe me shkronja shqip.
Ligji është i qartë: qytetari ka të drejtë që emri dhe mbiemri i tij të regjistrohen në gjuhën dhe alfabetin e tij. Në rastin e shqiptarëve, kjo nënkupton shkrimin korrekt në shqip, pa shtesa sllavizuese që nuk i përkasin traditës familjare. Megjithatë, në praktikë, shumë shqiptarë vazhdojnë të mbajnë forma të mbiemrave me “-vić” apo variante të tjera të përshtatura, edhe kur kanë mundësi ligjore t’i korrigjojnë. Në shumë raste, as nuk paraqitet kërkesë për ndryshim. Arsyeja? Ndoshta mungesë informacioni. Ndoshta rehati burokratike. Ndoshta frikë e trashëguar nga kohë të tjera. Në shumicën e rasteve u vjen turp që një mjek, një polic ose edhe një mik, joshqiptar, t’ua lexojë mbiemrin në shqip?!
Por në vitin 2026, kur e drejta është e shkruar qartë në ligj, heshtja nuk mund të justifikohet vetëm me rrethana historike. Një e drejtë që nuk kërkohet, me kalimin e kohës, fillon të duket si e panevojshme.
Ulqini dhe Tuzi, si komuna me shumicë shqiptare, ka bazë ligjore për përdorimin e gjerë të gjuhës shqipe në administratë. Dokumentet komunale, certifikatat, komunikimet zyrtare – të gjitha mund të lëshohen në shqip. Në teori. Në praktikë, sa i takon Tuzit, dygjuhësia zbatohet pothuajse në 100 për qind të rasteve, ndërsa në Komunën e Ulqinit, shumë dokumente vazhdojnë të kërkohen dhe të merren vetëm në malazezisht. Shpesh jo sepse administrata refuzon, por sepse vetë qytetarët nuk kërkojnë variantin shqip. Këtu lind pyetja thelbësore: nëse vetë qytetari shqiptar nuk e kërkon gjuhën e tij në dokument zyrtar, kush duhet ta bëjë këtë në vend të tij? Ju rikujtoj fjalinë më lart: Sartri thotë se “Liria është absolute, por sjell ankth dhe përgjegjësi”. Pra, ta ruash identitetin, gjuhën, kombin, kulturën, qenien tënde, rrënjën, të bëhesh modern, me një fjalë, duhet të marrësh përgjegjësi e besa edhe të kalosh ankthin e daljes nga strumbullari i skllavit.
Identiteti nuk është vetëm simbolik. Shkrimi i emrit në formën e tij origjinale nuk është çështje estetike. Është çështje identiteti. Emri është shenja e parë juridike e ekzistencës sonë në një shtet. Ai figuron në letërnjoftim, pasaportë, diploma, kontrata, vendime gjyqësore, në gurët e varreve. Shpesh, në këta të fundit, emrin e mbiemrin i shkruajmë shqip, kurse jeta e tyre civile dhe evidenca shtetërore është e gjitha në gjuhën malazeze. Kur një mbiemër mbetet i shtrembëruar nga inercia ose nga mungesa e iniciativës, mesazhi që përcillet është i heshtur, por i qartë: identiteti mund të presë. Por identiteti që shtyhet vazhdimisht në plan të dytë, me kalimin e kohës dobësohet në ndërgjegjen kolektive.
Në diskursin publik shqiptar në Mal të Zi, shpesh dëgjohen ankesa për moszbatim të plotë të të drejtave gjuhësore. Disa prej tyre janë legjitime dhe kërkojnë adresim institucional. Por ka edhe një dimension tjetër që rrallë diskutohet: vetëpërgjegjësia.
Nëse ligji e lejon shkrimin e emrit shqip dhe qytetari nuk paraqet kërkesë, nuk kemi të bëjmë me mohim, por me mosveprim.
Nëse dokumenti mund të lëshohet në shqip dhe qytetari nuk e kërkon, nuk kemi të bëjmë me ndalim, por me indiferencë.
Të drejtat kolektive ruhen jo vetëm përmes betejave politike, por edhe përmes veprimeve të vogla individuale.
Nuk duhet injoruar fakti se për dekada të tëra, shumë familje shqiptare janë përballur me presione të ndryshme administrative dhe sociale. Ndryshimet e mbiemrave, përshtatjet e detyruara dhe kompromiset identitare kanë qenë pjesë e një realiteti të kaluar. Por brezi i sotëm jeton në një kornizë ligjore tjetër. Nëse frika vazhdon edhe kur rreziku juridik nuk ekziston, atëherë kemi të bëjmë me një barrë psikologjike kolektive që duhet tejkaluar. Shqipja në Mal të Zi nuk rrezikohet vetëm nga mungesa e dispozitave ligjore, sepse ato ekzistojnë. Ajo rrezikohet nga mosshfrytëzimi i tyre. Një administratë që sheh se qytetarët nuk kërkojnë dokumente në shqip, gradualisht e redukton prioritetin praktik të përdorimit të saj. Një brez që rritet me dokumente vetëm në gjuhën shumicë, e normalizon këtë si standard. Në fund, ajo që humb nuk është vetëm një formë gjuhësore, por ndjenja e barazisë.
Nëse po dimë t’i ruajmë emrat fetarë, shpesh me fanatizëm, le t’i ruajmë sepse janë pjesë e identitetit kombëtar, por le t’i shkruajmë shqip ato dhe mbiemrat. Të kërkosh që emri yt të shkruhet në shqip nuk është akt nacionalist. Është akt qytetar. Është përdorim i një të drejte të garantuar me ligj. Po kështu, të kërkosh dokument në gjuhën tënde në një komunë ku ajo është në përdorim zyrtar, është ushtrim i normalitetit demokratik. Të drejtat që nuk ushtrohen, dobësohen. Të drejtat që ushtrohen rregullisht, bëhen standard.
Ndoshta ka ardhur koha që debati për përdorimin e shqipes në dokumente të mos fillojë dhe të mbarojë me kritika ndaj institucioneve, por të nisë me një pyetje të thjeshtë për secilin prej nesh: A e kam kërkuar unë vetë atë që më takon me ligj?

/Koha Javore