Në Konsullatën e Kosovës në Nju Jork u mbajt diskutimi: “Gratë, Lufta dhe Lufta për Drejtësi në Republikën e Kosovës”

Nju Jork – Dje, më 25 shkurt 2026, në ambientet e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Nju Jork u mbajt një diskutim i rëndësishëm i organizuar nga Shoqata “Ulqini” në bashkëpunim me Konsullatën, me temën: “Gratë, Lufta dhe Lufta për Drejtësi në Republikën e Kosovës,” nën moderimin e Samantha Shkrelit.

Ngjarjen e hapi dhe i përshëndeti të pranishmit Ambasadori Reka, i cili bëri thirrje për drejtësi ndërkombëtare për Vasfije Krasniqi Goodman dhe për rreth 20 mijë shqiptare të dhunuara gjatë luftës në Kosovë, duke theksuar domosdoshmërinë e zbardhjes së së vërtetës dhe vendosjes së përgjegjësisë.

Gjatë diskutimit u trajtuan krimet dhe gjenocidi i kryer nga Serbia në Kosovë, me theks të veçantë te krimet seksuale gjatë luftës. Paneli vuri në pah forcën, qëndresën dhe zërin e grave të Kosovës, të cilat vazhdojnë të jenë simbol i dinjitetit dhe i kërkesës së pandalur për drejtësi.

Parafolëse në këtë aktivitet ishin Vasfije Krasniqi Goodman, e Dërguara Speciale e Presidentes së Republikës së Kosovës dhe e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës, e cila ndau një dëshmi të fuqishme personale, si dhe Vera Mjeku, e cila ofroi reflektime mbi rëndësinë e drejtësisë dhe angazhimit institucional në këtë proces.

/ Plava e Gucia Sot