Situata politike në qytetin e Ulqinit ka kohë që është në një amulli të plotë. Fundviti është kohë kur zakonisht kuvendet komunale votojnë për buxhetet për vitin në ardhshëm por një detaj që bie në sy është ai realizimit të të njëjtëve në vitet e kaluara çka tregon situatën aspak të mirë në Komunën e Ulqinit, shkruan Ulqini Online.
Ish kryetari i Kuvendit komunal të të Ulqinit, z. Ilir Çapuni në një shkrim të tij në rrjetin social facebook ka paraqitur disa të dhëna dekurajuese të realizimit të investimeve kapitale në qytetin tonë. Në vitin 2020 për investime kapitale ishin paraparë 6326000€ kurse realizimi i tij ishte vetëm 803925€, apo në masën 12,7%.
Situatë edhe më e keqe sipas të njëtit kriter është në vitin 2021 ku nga 7167000€ të planifikuar janë realizuar vetëm 600000€ apo vetëm 8,5%.
Situata e buxhetit është vetëm një pikë e situatës aspak të mirë në komunën tonë.
Nga gjysma e parë e parë e vitit 2018 me Komunën e Ulqinit qeveriste koalicioni i madh i përbërë nga DPS, Forca, koalicioni ”Zgjohu Ulqin”, UDSH, SD dhe Partia Boshnjake. Si opozitë atëbotë mbeten Lëvizja qytetare URA me 2 këshilltare dhe SDP me 1 këshiltar. Në ndërkohë në shkurt të këtij viti, pas gati tre viteve bashkëqeverisje, Forca doli nga koalicioni qeverisës.
Ulqini në gjysmën e parë të vitit ta ardhshëm pritet të shkojë në zgjedhjet lokale që priten me shumë interes, për herë të parë pasi një kohë të gjatë. Fuqizimi i dukshëm i Lëvizjes URA, sidomos në qytetin tonë, mund të ndërroj numrat në Kuvendin komunal të Ulqinit dhe ky subjekt të ketë rol të rendësishëm në qeverisjen eventuale në vitet në vazhdim.
Një gjë shihet qartas nga deklarimet publike të qytetarëve, sidomos në rrjetët sociale, se ato presin ndryshime dhe se janë lodhur me elitën aktuale politike në Ulqin. Por edhe një detaj shtesë mund të vërehet nga deklarimet e shumta se ndryshim nuk paraqesin personat e njëjtë pa marrë parasysh se në cilin ekip ndodhen.
Ulqinit definitivisht i duhet një gjeneratë e mirëfillte e re politike dhe me vizion.