Skënder Thaçi dhe nderimi i heronjve të Plavë Gucisë: Si u dekorua Isuf Kamer Çelaj në vitin 1994

Ditët e fundit, tema që ka ngjallur debat e indinjatë në Vuthaj është heqja e bustit të heroit vendas, Isuf Kamer Çelaj. Ky veprim, i cilësuar gjerësisht si hap i hapur antishqiptar nga Ministria e Kulturës së Malit të Zi, ka prekur thellë ndjenjat e komunitetit.

Pak veta e dinë se, që në vitin 1994, një nip i Vuthajve kishte treguar kujdes e përkushtim që figura e Isuf Kamer Çelajt të mos mbetej në harresë. Ai ishte Skënder Thaçi, i cili me lobimin e tij pranë presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, bëri të mundur dekorimin pas vdekjes të heroit dhe të disa personaliteteve të tjera të Plavës e Gucisë.

Skënder Thaçi

Në një shkrim të gazetës Illyria të vitit 1994, tregohet se Skënder Thaçi ishte zgjedhur anëtar i kryesisë së Shoqatës Atdhetare Politike “Kosova” dhe ishte ngarkuar si koordinator për marrëdhëniet me jashtë. Në prill të atij viti, ai sponsorizoi shpenzimet e udhëtimit të një delegacioni të kryesisë së shoqatës në SHBA, ku u dorëzuan dekoratat e akorduara nga presidenti Berisha për bashkatdhetarët atje.

Shoqata “Kosova”, e themeluar më 31 janar 1991, kishte si qëllim kryesor bashkimin kombëtar dhe numëronte mbi 15 mijë anëtarë në 17 rrethe të Shqipërisë. Kryetari i saj, Murat Gjonbalaj, në një intervistë për shtypin e kohës, vlerësoi gjestin e Skënder Thaçit, duke theksuar se ai mori përsipër vetë financimin e vizitës, pavarësisht se udhëtimi ishte planifikuar të mbulohej nga instancat përkatëse.

Gazetari Vehbi Bajrami i Illyria-s theksonte se merita për lobimin tek presidenti Berisha për dekoratat që u dhanë për personalitetet e Plavës e Gucisë i takonte Skënder Thaçit. Djali i nacionalistit Imer Imeri, i lindur në Guci dhe nip i Vuthajve, Skënder Thaçi kishte një lidhje të fortë shpirtërore me këtë trevë. Ai e konsideronte detyrim moral të nderonte figurat patriotike të një zone që kishte dhënë shumë për çështjen kombëtare, por që kishte mbetur jashtë kufijve politikë të Shqipërisë.

Më 1994, në restorantin “Il Gallento” në North Bergen, NJ, Skënder Thaçi dorëzoi, në emër të presidentit Berisha, 15 dekorata për heronj e atdhetarë të shquar të së kaluarës:

• Alush Smajl Hoti

• Bade Lushi

• Malë Ahmeti

• Rakip Perulli

• Ramë Cuhi

• Isuf Kamer Çelaj

• Cak Hoti

• Sadik Isufi

• Shog Sokoli

• Sadik Halili

• Cung Tahiri

• Bajram Musa

• Rrustem Isi

• Halit Çelaj

• Ul Sokoli

Ky episod është një dëshmi e rëndësishme se si diaspora shqiptare, përmes përkushtimit dhe dashurisë për atdheun, ka ditur të ruajë dhe të nderojë kujtesën historike të figurave që kanë kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e kombit.

Në këtë fotografi të vitit 1939, të realizuar në Vuthaj të Plavë-Gucisë, paraqitet familja Çelaj. Ndër figurat që mund të dallohen qartë janë heroi Isuf Kamer Çelaj (me pushkë ne prehër) dhe fisniku vuthjan Mustaf Arif Çelaj, së bashku me pjesëtarë të tjerë të familjes.