Përmendorja mund të hiqet, por ideali i Isuf Çelajt nuk shuhet

Pas aktit të dhimbshëm të heqjes së përmendores së heroit të të drejtave shqiptare, Isuf Kamer Çelajt, nga Vuthajt e Plavë-Gucisë, nipi i tij, Gëzim Çelaj, ka reaguar publikisht me një qëndrim të fortë dhe dinjitoz. Ky reagim nuk është vetëm mbrojtje e figurës së një luftëtari të të drejtave të shqiptarëve, por një thirrje për drejtësi, kujtesë historike dhe respekt ndaj kontributit të brezave që luftuan për liri e dinjitet.

Reagim Publik mbi Heqjen e Përmendores së Isuf Çelajt në Vuthaj, Plavë-Guci

Nga Gëzim Çelaj

Me indinjatë të thellë dhe shqetësim të madh, dënojmë aktin e paprecedentë të heqjes së përmendores së luftëtarit të të drejtave shqiptare, Isuf Çelaj, në Vuthaj të Malit të Zi. Ky veprim përfaqëson një goditje të rëndë ndaj kujtesës historike, dinjitetit të komunitetit shqiptar dhe vlerave të bashkëjetesës demokratike.

Isuf Çelaj nuk ishte as kriminel, as figurë që nxit ndasi etnike. Përkundrazi, ai ishte një mbrojtës i të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi, një zë i arsyes dhe i drejtësisë, i cili në momente të vështira tregoi guxim e humanizëm, duke mbrojtur edhe qytetarë të etnive të tjera nga padrejtësitë.

Heqja e përmendores së tij është një akt barbar, që flet për një qasje të rrezikshme dhe antidemokratike të autoriteteve malazeze ndaj historisë dhe kontributit të shqiptarëve në këtë rajon.

Si nip i Isuf Çelajt, ndjej jo vetëm dhimbje personale, por edhe përgjegjësi morale për të mbrojtur figurën dhe trashëgiminë e tij nga deformimi dhe fshirja e qëllimshme.

Ne nuk do të heshtim përballë këtij provokimi. Do të ndërmarrim çdo hap ligjor dhe demokratik për të mbrojtur veprën, figurën dhe trashëgiminë e Isuf Çelajt. Kjo nuk është vetëm një çështje përkujtimore, por një betejë për të drejtën tonë për të nderuar ata që kanë luftuar për liri, barazi dhe dinjitet.

U bëjmë thirrje institucioneve ndërkombëtare, organizatave për të drejtat e njeriut dhe opinionit publik që të dënojnë këtë akt dhe të mbështesin përpjekjet tona për drejtësi dhe respekt ndaj historisë sonë.

Isuf Çelaj jeton në kujtesën tonë. Përmendorja mund të hiqet, por ideali i tij nuk shuhet.