Në ambientet e Komunës së Plavës u zhvillua një takim mjaft konstruktiv ndërmjet Kryetarit të Komunës së Tropojës, z. Rexhë Biberi, dhe Deputetit të Parlamentit të Shqipërisë, z. Eduardo Çalsi, me udhëheqësit e Komunës së Plavës.
Në qendër të diskutimeve ishte mundësia e realizimit të një lidhjeje rrugore strategjike midis Plavës dhe Tropojës, përmes qafës së Vranicës.
Komuna e Tropojës ka nisur punimet për mbushjen dhe zgjerimin e rrugës, ndërsa Komuna e Plavës është në fazën përfundimtare të projektit për ndërtimin e një segmenti prej 6 kilometrash.
Ky projekt i përbashkët ka rëndësi të veçantë, pasi synon jo vetëm të nxisë zhvillimin ekonomik dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar, por edhe të vlerësojë potencialin e jashtëzakonshëm turistik që posedojnë të dy komunat. Përmirësimi i infrastrukturës do të krijojë mundësi që pasuritë natyrore, trashëgimia kulturore dhe resurset malore të Plavës dhe Tropojës të zënë vendin e merituar në hartën turistike rajonale dhe ndërkombëtare.
/Plava e Gucia Sot
