Trump: Mali i Zi ka njerëz shumë të fuqishëm, agresivë, mund ta nisin luftën e tretë botërore

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se malazezët janë të fuqishëm dhe njerëz “shumë agresivë” duke treguar frikën e tij se anëtari më i ri i NATO-s mund të dërgojë aleancën në luftë masive.

Në një intervistë për televizionin Fox News të incizuar në Helsinki dhe të transmetuar më 17 korrik në Shtetet e Bashkuara, Trump është pyetur rreth Artikullit 5 të NATO-s, në të cilin thuhet se sulmi ndaj një anëtari të aleancës, është sulm edhe ndaj gjithë anëtarëve të tjerë.

Kur është pyetur nga intervistuesi: “Pse duhet djali im të shkojë në Mal të Zi për ta mbrojtur atë vend nga sulmi?”, Trump ka thënë: “E kuptoj çfarë dëshironi të thoni, unë kam bërë të njëjtën pyetje”.

Ai ka thënë se Mali i Zi është “shtet i vogël me njerëz shumë të fuqishëm, ata janë njerëz të fuqishëm, njerëz agresivë. Ata mund të bëhen agresivë dhe përgëzime, ja ku kemi Luftën e Tretë Botërore”.

Në samitin e NATO-s, të mbajtur javën e kaluar, Trump u ka bërë thirrje vendeve anëtarë të rrisin shpenzimet e tyre për mbrojtje.

Mali i Zi është bërë anëtari i 29-të i NATO-s në qershor të vitit 2017, duke bërë një kthim historik drejt aleancës transatlantike në mesin e kundërshtimeve nga Rusia.
Moska ka kundërshtuar vazhdimisht zgjerimin e NATO-s dhe ka kritikuar ashpër Podgoricën për anëtarësim në aleancë.

Biseda Carlson-Trump në Fox News.

CARLSON: Përse duhet që djali im të shkojë në Mal të Zi për ta mbrojtur atë nga sulmi? Përse të jetë kështu?

TRUMP: E kuptoj çfarë po thoni. Unë kam shtruar të njëjtën pyetje. Mali i Zi është një vend i vogël me njerëz shumë të fortë.

CARLSON: Po. Unë nuk jam kundër Malit të Zi, ose Shqipërisë.

TRUMP: Jo, por meqë ra fjala, ata janë njerëz shumë të fortë. Ata kanë njerëz shumë agresivë. Ata mund të bëhen agresivë dhe… urime jemi pastaj në Luftën e Tretë Botërore. Unë e kuptoj këtë, por kështu janë ndërtuar gjërat.