VUÇIQ: PAS HEQJES SË TAKSËS SERBISË DO T`I DUHET TA NJOHË KOSOVËN

Është vetëm çështje kohe para se Serbisë do t’i duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, de fakto apo de jure.

Kështu është shprehur presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, gjatë një interviste dhënë një televizioni serb O2.

Këto deklarata të Vuçiqit erdhën menjëherë pas njoftimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se taksa 100% ndaj Serbisë do të hiqet, ndonëse e njëjta, sipas kryeministrit të Kosovës, do të zëvendësohet me masë reciprociteti, transmeton Koha.net

Presidenti serb tha se pas heqjes së taksës, ai pret presion të jashtëzakonshëm mbi Serbisë për të pranuar anëtarësimin e Kosovës në OKB.

“Synimi i tyre është që ta fusin Kosovën në Kombet e Bashkuara dhe kjo është esenca. Këtë duhet ta presim, dhe çështja është se kur do të ndodhë – brenda tre muajsh, gjashtë muajsh, një viti… kjo do të ndodhë”, tha Vuçiqi në këtë intervistë, siç raporton B92.

I pyetur në lidhje me zëvendësimin e taksës me reciprocitet, Vuçiqi tha se së pari duhet pritur se çfarë vendimi do të marrë Kosova për taksën dhe nëse do të ketë reciprocitet, por shtoi se nuk ka dyshim se do të pasojë presioni ndaj Serbisë.