Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës, Kreshnik Ahmeti, me ftesë të National Committee on American Foreign Policy, mori pjesë në një tryezë të rrumbullakët kushtuar politikës së jashtme të Kosovës dhe marrëdhënieve të saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në diskutimin e moderuar nga ambasadorja Susan Elliott, presidente dhe CEO e NCAFP-it, zëvendësministri Ahmeti iu përgjigj një sërë pyetjesh nga diplomatë, ekspertë amerikanë dhe studentë të marrëdhënieve ndërkombëtare lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, sfidat në arenën ndërkombëtare dhe thellimin e partneritetit strategjik me SHBA-në.
Gjatë bashkëbisedimit u trajtuan tema që lidhen me prioritetet e politikës së jashtme të Kosovës, procesin e integrimit euroatlantik, si dhe rolin e Kosovës si faktor stabiliteti në rajon. Zëvendësministri Ahmeti theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme amerikane dhe angazhimin e institucioneve të Kosovës për forcimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Tryeza u zhvillua në një atmosferë bashkëpunuese dhe interaktive, duke reflektuar interesimin e vazhdueshëm të qarqeve diplomatike dhe akademike amerikane për Kosovën dhe perspektivën e saj ndërkombëtare.

