Përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, Rohde tha se është i papranueshëm krahasimi i aksionit të sotëm të Policisë me “Natën e Kristaltë”.
“Ndaloni! Krahasimi i aksionit të sotëm të policisë me “natën e kristaltë” është i papranueshëm. Krahasime të tilla kontribuojnë drejt rrëfimeve të shtrembërimit dhe mohimit të Holokaustit. #MbroniFaktet”, ka shkruar Rohde.
Ministri i Qeverisë së Kosovës, dhe Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, pas aksionit të Policisë së Kosovës në nivel vendi, kundër kontrabandës së mallrave dhe krimit të organizuar kishte krahasuar këtë aksion me “Natën e Kristalt” (Kristallnacht – pogromi i gjermanëve nazistë kundër çifutëve).
“Nuk mund të durojmë më, ka mbetur vetëm ajrin të na e marrin, kjo ka qenë si Nata e Kristalit për ne, ky takim me Vuçiçit është më i rëndësishmi, është derdhur gjak serb mbi xhamat e thyer”, ka deklaruar Rakiç.