Drejtoria e Policisë së Malit të Zi, njoftoi të mërkurën, se janë arrestuar dy policë , Nikolla Boleviq dhe Dragan Shqekiq, të cilët dyshohet se janë autorët e incidentit të 15 janarit në pikën kufitare Sukubinë – Muriqan, ku u keqtrajtua një shtetas shqiptar.
Sipas njoftimit, dy punonjësit e policisë u arrestuan nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës. Dyshohet se veprën penale policët e kanë kryer me 15 janar, në vendkalimin e përbashkët kufitar Sukubinë-Muriqan, duke përdorur forcë të tepruar gjatë ushtrimit të kompetencave të tyre zyrtare ndaj shtetasve të huaj.
Arrestimi pason transmetimin e një videoje në rrjetet sociale në Mal të Zi, ku shihet një polic kufitar duke keqtrajtuar me forcë profesorin universitar, Petraq Milo, ish-këshilltar për financat publike dhe politikën monetare të ish-presidentit të Shqipërisë, që nuk po bënte rezistencë, dhe i cili u nxor me forcë nga makina.
Policia në Mal të Zi njoftoi se videoja e publikuar në rrjetet sociale, në të cilën shfaqet keqtrajtimi i një shtetasi shqiptar nga pjesëtarë të policisë malazeze, është incizuar më 15 janar. Incidenti, sipas autoriteteve, ndodhi në pikën kufitare Sukubinë-Muriqan, afër Ulqinit.
Policia malazeze nuk njoftoi për shkaqet e ndalimit të profesorit Milo, por në prononcimin e sotëm kryeministri në largim i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se “ka edhe një anë tjetër të medaljes”, pasi në video nuk shihet se veprimeve të policisë u ka paraprirë një kundërvajtje në komunikacion.
“Nuk është se dikush e ka vënë në shënjestër dikë dhe e ka nxjerrë thjesht nga makina. Dikush duhet të ketë bërë shkelje. Nuk janë respektuar rregullat e komunikacionit dhe radhët”, tha Abazoviq.
Kjo video shkaktoi reagime të shumta në Mal të Zi, ku veprimet e policisë u kritikuan ashpër nga opozita malazeze, partitë politike shqiptare, por edhe nga shoqëria civile