Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka shkruar letër ushtrueses së detyrës së presidentit, Vjosa Osmanin, me rastin e 13 vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Presidenti amerikan në letër thotë se Kosova ka vend special në familjen e tij, për shkak të punës që ka bërë djali i tij këtu.
Biden i ka shkruar Osmanit për pritjet e SHBA’së që dialogu i Kosovës me Serbinë të përfundojë me njohje reciproke. Të njëjtën ia kishte shkruar edhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në ditën e Shtetit.
Megjithatë, ndryshe prej letrës së Vuçiqit, adresimi që presidenti Biden ia bëri Kosovës është më personal. Ai ka përmendur se Kosova është e vecantë për familjen e tij për shkak se djali i tij i ndjerë, Beau Biden, kishte punuar këtu.
Biden në këtë letër ka thënë se SHBA’të mezi presin të punojnë me qeverinë e re në rrugën drejt integrimit në Bashkim Evropian, derisa ka specifikuar se ka shumë punë për të bërë drejt arritjes së një marrëveshje për normalizim të raporteve me Serbinë që në qendër do të ketë njohjen reciproke.