Sot në Guci u shpërndanë dhurata me rastin e festave të fundvitit për të gjithë fëmijët e Kopshtit të Fëmijëve në Guci, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë gëzimi dhe festimi për më të vegjlit tanë.
Dhuratat u siguruan nga kompania “Metro Group”, në pronësi të bashkëvendësit tonë Dardan Qosaj, e cila vazhdon me përkushtim traditën e bukur të shpërndarjes së dhuratave për fëmijët e qytetit tonë, veçanërisht në prag të festave të fundvitit.
Nga kjo nismë përfituan të gjithë fëmijët që ndjekin Kopshtin e Fëmijëve në Guci, në të dyja gjuhët mësimore, shqipe dhe boshnjake, gjithsej rreth 120 fëmijë. Ky veprim përbën një shembull domethënës të përgjegjësisë shoqërore dhe të kujdesit për brezat e rinj.
Fëmijët janë e ardhmja e vendit tonë dhe meritojnë vëmendje, kujdes dhe mbështetje të vazhdueshme, në mënyrë që të rriten të lumtur dhe të lidhur ngushtë me vendlindjen e tyre.
Portali “Plava e Gucia Sot” përgëzon bashkëvendësin tonë, pronarin e kompanisë “Metro Group”, për këtë akt të bukur dhe human, i cili sjell gëzim për më të vegjlit tanë dhe forcon ndjenjën e solidaritetit në komunitetin tonë, veçanërisht për vogëlushët që po rriten në vendlindje.

