Sot kanë filluar përgatitjet përfundimtare për asfaltimin e rrugës Guci–Vuthaj, faza e parë e këtij projekti të rëndësishëm infrastrukturor.
Kjo rrugë, ndërtimi i së cilës kishte nisur që në vitin 2022, më në fund po fillon të marrë formën e saj përfundimtare. Punimet janë shtyrë për më shumë se dy vite për shkak të problemeve të shumta gjatë fazës së projektimit, si dhe nevojës për ndryshime të përsëritura të projektit.
Projekti përfundimtar, i verifikuar dhe i miratuar nga organet shtetërore kompetente, ka marrë dritën e gjelbër për zbatim në fund të muajit shtator, me afat përfundimi deri në fund të vitit 2025, varësisht nga kushtet atmosferike.
Meqë sot kanë nisur përgatitjet për hedhjen e shtresës së parë të asfaltit nga kompania prestigjioze Tofi nga Rozhaja, besojmë se shumë shpejt qytetarët tanë do të kenë mundësinë ta shfrytëzojnë këtë aks rrugor të shumëpritur.
Vlen të theksohet kontributi i jashtëzakonshëm i banorëve të lagjes Qosaj (vëllezëria Qosaj), si dhe i disa bashkëvendasve nga familjet Goçaj, Çelaj, Vukaj dhe Gjonbalaj, nëpër parcelat e të cilëve ishte planifikuar të kalonte rruga. Ata kanë lëshuar pjesë të tokave të tyre pa asnjë kompensim, vetëm me qëllim që të ndërtohet rruga në shërbim të gjithë fshatit Vuthaj. Ky përbën një akt solidariteti dhe një kontribut të çmuar për komunitetin.
Faza e parë e këtij aksi rrugor është rreth 1.3 kilometra, ndërsa shpresojmë dhe u bëjmë thirrje organeve komunale të Komunës së Gucisë që edhe dy fazat e tjera — nga Burimet e Ali Pashës deri në Qosaj, si dhe nga Shtrenjti deri te Ujëvara e Gërles — të vazhdojnë sa më shpejt, në mënyrë që të kompletohet rruga Guci–Vuthaj në një gjatësi totale prej rreth 6 kilometrash.
Dardan Qosaj
/Plava e Gucia Sot