Mali i Zi dhe Shqipëria pritet të aplikojnë së shpejti në UNESCO për ta përfshirë liqenin e Shkodrës dhe pellgun e tij ujëmbledhës në rrjetin e Rezervave të Biosferës së UNESCO-s, në kuadër të programit “Njeriu dhe Biosfera”. Me qëllim të përshpejtimit të këtij procesi, në Shkodër është zhvilluar të enjten (26 qershor 2025) konferenca “Pellgu ujëmbledhës i liqenit të Shkodrës”.
Takimi mblodhi së bashku përfaqësues të ministrive të linjës nga të dy shtetet, autoritete të pushtetit vendor, përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, komisioneve kombëtare të UNESCO-s, si dhe ekspertë dhe studiues të fushës së mjedisit dhe biodiversitetit.
Përfaqësuesja e Ministrisë së Turizmit të Shqipërisë, Klodiana Marika, vlerësoi punën e bërë deri më tani në përgatitjen e dosjes, duke treguar se ajo pritet të dorëzohet në muajin shtator të këtij viti, ndërsa zëvendëskryetari i Bashkisë Shkodër, Rudin Beka, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkufitar për mbrojtjen e liqenit.
Ky proces përfaqëson një nga angazhimet strategjike të ministrive të Turizmit dhe Mjedisit të të dy vendeve, në përputhje me shpalljen e vitit 2025 si “Viti i Njeriut dhe Natyrës”, me qëllim promovimin ndërkombëtar të vlerave të jashtëzakonshme natyrore, kulturore dhe ekonomike të zonës.
Liqeni i Shkodrës është më i madhi në gadishullin e Ballkanit dhe shtrihet në kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ai cilësohet si një nga qendrat turistike më të rëndësishme të rajonit.
Ky liqen është gjithashtu një nga zonat më të pasura në Evropë për biodiversitetin, me larmishmëri peshqish dhe shpendësh ujorë. Në Censin ndërkombëtar të shpendëve ujorë për vitin 2025, liqeni i Shkodrës u rendit në vendin e dytë me 23 899 individë, për numrin e specieve.
Nëse shpallet zonë e mbrojtur nga UNESCO, liqeni i Shkodrës do të përfitojë standarde më të larta menaxhimi dhe bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve.
Ky projekt synon të sjellë ndikim pozitiv për komunitetet vendase duke krijuar mundësi të reja për zhvillim të qëndrueshëm, në përputhje me Programin e UNESCO-s për Njeriun dhe Biosferën.
(Kohapress)