Sa të lumtur e gëzuar, po aq edhe të emocionuar

Ndër nëntë paralelet me gjithsej 144 maturantë (pesë paralele me 98 maturantë të shkallës së katërt, dhe katër paralele me 46 të shkallës së tretë), të Shkollës së Mesme të Përzier “Beqo Bashiq” në Plavë, që këtë vit shkollor kryen shkollën e mesme, tetë në shkollën amë në Plavë, dhe një në paralelen e ndarë në Guci (gjenerata e tretë e maturantëve nga shkolla e këtij qyteti – 10 sish), janë edhe dy paralele me mësim në gjuhën shqipe: paralelja e drejtimit të gjimnazit me 22 nxënës – 9 vajza: Anjeza Balidemaj, Anjeza Hasangjekaj, Amina Rugova, Enola Balidemaj, Forina Gjonbalaj, Gjovana Shala, Leonarda Gjekaj, Mirlinda Gjonbalaj e Zana Rugova, dhe 13 djem: Besnik Sinanaj, Ditmir Ulaj, Dren Gjonbalaj, Edmond Arifaj, Ermal Prelvukaj, Erblin Prelvukaj, Eridon Gjonbalaj, Fatmir Sinanaj, Gentrit Ulaj, Lis Gjonbalaj, Rinard Gjonbalaj, Mirlind Hasangjekaj dhe Sami Kukaj, me kujdestar klase profesorin e gjuhës dhe letërsisë shqipe, Fadil Ulaj, dhe paralelja e mësimit profesional, drejtimi teknik i turizmit (shitës) me nëntë nxënës – 4 vajza: Albiona Gjonbalaj, Anisa Prelvukaj, Donjeta Hakaj e Ilidiana Imeraj, dhe 5 djem: Alvis Sinanaj, Dorart Kukaj, Jeton Mujaj, Qendrim Sinanaj dhe Vlorian Qosaj, me kujdestare klase profesoreshën e gjuhës angleze, Jasmina Rugova, të premten e kaluar, më 3 qershor 2022, shënuan Mbrëmjen e maturës.
Që në orët e hershme të mbrëmjes, para godinës së shkollës ku përfunduan maturën, u tubuan vajza dhe djem maturantë, të veshur me rroba asnjëherë më të bukura, vajzat me fustane bashkëkohore dhe të modës, ngjyrash dhe dizajnesh të ndryshme, kurse djemtë me kostume të larmishme më moderne. Rrobat i kishin përgatitur më parë, falë mirësisë, mirëkuptimit dhe përkujdesjes së prindërve të tyre, të cilët nga buxheti familjar ua kishin siguruar, por edhe nga të afërmit e tjerë, për të shënuar dhe përjetuar në mënyrë sa më madhështore njërën ndër festat më të mëdha të jetës së tyre – Mbrëmjen e maturës, mbrëmjen e lumturisë dhe gëzimit, por edhe të mallëngjimit dhe përmallimit të shprehur me shumë emocione. Ajo ishte mbrëmje kur ata njëri-tjetrit me buzë në gaz, por edhe me lot në sy i dhanë lamtumirën pas shumë vitesh të kaluara bashkë, me disa nga katër, me ca të tjerë nga nëntë, por edhe me disa nga 12 dhe 13 vite shkollore, duke ndarë bashkë të mirën dhe të keqen, gëzimin, e ndonjëherë edhe hidhërimin, lojën dhe piknikun, vizitat e ndërsjella, por edhe ekskursionet njëditëshe apo shumëditëshe, brenda komunës, jashtë saj dhe më gjerë.
Moti i mirë me diell, edhe pse me vapë, mundësoi që manifestimi i kësaj mbrëmje madhështore të fillojë mu në vigjiljet e mbrëmjes të ditës së premte, kur në praninë e disa qindra personave, prindërve, familjarëve të ngushtë, por edhe të tjerëve, të cilët kishin ardhur që gëzimin dhe harenë e Mbrëmjes së maturës ta ndanin me fëmijët dhe të afërmit e tyre.
Vargëzimi i vashëzave dhe djemve maturantë të nëntë paraleleve të kësaj shkolle, në çift, por edhe nga tre sish, pikënisje patën hollin e katit përdhes të shkollës, për të vazhduar parakalimin nëpër rrugën “Racina” të Plavës, të shtruar me tapet të kuq, duke vazhduar deri te Qendra për Kulturë “Husein Bashiq”, për tu kthyer më pas sërish në ambientin e hapësirës së sheshit të qytetit në afërsi të shkollës, për të vazhduar pastaj me autobusët e kompanisë së komunikacionit ndërurban të kompanisë “Elan” për në Guci, ku po ashtu në vigjiljet e mbrëmjes defiluan prej stacionit të autobusëve nëpër sheshin e qytetit, deri te godina e Shkollës Fillore “Xhafer Nikoçeviq”, në të cilën disa prej maturantëve të të dy paraleleve në gjuhën shqipe kishin kryer klasët e larta të shkollës fillore, por edhe një numër i konsiderueshëm maturantësh të paraleleve të tjera, po ashtu kishin përfunduar shkollimin fillor, për t’u kthyer pastaj sërish me autobus në restorantin e kompleksit “Aqua Resort”, që gjendet përballë Liqenit të Plavës, mu pranë rrugës magjistrale Guci-Plavë, në lagjen Llatek të fshatit Brezojevicë jo larg Plavës.
Ushtruesja e detyrës së drejtorit të shkollës, Snezhana Bojoviq, e shoqëruar nga mësimdhënës, gjatë tërë kohës së qëndrimit në restorant, i shoqëroi maturantët e hareshëm, e cila në fjalën e vet të rastit, atyre me admirim, por edhe me dozë emocioni iu drejtua: “Kam kënaqësi, obligim dhe nder që t’u përshëndes në emër të kolektivit të shkollës, ku përfunduat maturën, por edhe në emër timin personal. Jam e sigurt se nga kjo shkollë do të bartni përplot përkujtime të bukura, por edhe dituri të cilat do t’u ndihmojnë që të sigurt të ndjekni rrugët tuaja jetësore, por edhe të pajiseni me njohuri të tjera dhe të sendërtoni ardhmërinë tuaj të lumtur”, është shprehur ajo dhe në vazhdim ka shtuar: “Ajo që është në radhë, por edhe ajo në të cilën besojmë, është se ju do të vazhdoni zhvillimin dhe përsosjen tuaj profesionale e intelektuale”.
Drejtoresha Bojoviq, më pastaj ka vënë në dukje se këtë vit shkollor edhe pse në kushte bukur të vështira të punës si pasojë e pandemisë Covid-19, me sukses e kryen shkollimin e mesëm 144 nxënës – maturantë – në nëntë paralele mësimore. Shkolla është krenare me të gjithë maturantët, por në veçanti me ata të cilët janë laureatë të Diplomës “Lluça” (“Pishtari”).
“Maturantë të dashur, prej sot ju presin nxitje e sfida të reja, dhe me këtë rast dua t’ju porosis se mu prej kësaj dite, nxitoni e ndjekni rrugët e reja, deri diku të panjohura. Ekzistojnë gjëra për të cilat nuk kemi mundur t’u përgatisim takimet me njerëz dhe ngjarje për të cilat nuk keni mundur të mësoni nga librat. Por ajo që së bashku ia kemi dalë, është se jeni bërë madhor, njerëz të pjekur e të kalitur, të vetëdijshëm për rëndësinë e përgjegjësinë personale. Edhe njëherë me tërë shpirt dhe zemër ua uroj mbrëmjen e maturës dhe ju dëshiroj çdo të mirë, shëndet dhe fat në jetë”, ka përfunduar u.d. e drejtorit të shkollës, zonja Snezhana Bojoviq.
Të shoqëruar nga drejtoresha, kujdestarët e klasëve dhe ca mësimdhënës, maturantët festuan deri në orët e hershme të ditës së nesërme. Sa ishin të lumtur, krenar e të gëzuar se po finalizonin punën e tyre 12 e 13 vjeçare të edukimit e arsimit, të përmalluar, mallëngjyer e emocionuar, se po ndaheshin përgjithmonë si pjesëtarë të bashkësisë së klasës, të cilës i përkisnin, të shoqërisë së ngushtë që kishin dhe shumëçka tjetër në këtë drejtim. Mirëpo, edhe përkundër gjithë kësaj, ata u zotuan se nuk do të jenë larg njëri-tjetrit, pa marrë parasysh se ku do ta vazhdojnë shkollimin e mëtejmë superior në universitetet e ndryshme, kryesisht të Malit të Zi ata me mësim në gjuhën malazeze, dhe universitetet e ndryshme të Kosovës, Shqipërisë e Malit të Zi, ata me mësim në gjuhën shqipe.
Në ambientet e restorantit “Aqua Resort”, deri në orët e vona të natës, nuk kanë pushuar tingujt e muzikës, me të cilat janë përcjellë vallet dhe këngët e maturantëve të hareshëm dhe të disponuar, të cilët nuk kanë hezituar për të ngritur ndonjë gotë uiski, birre, vere dhe pijeve të tjera freskuese joalkoolike bashkë me mësimdhënësit e vet të cilët i shoqëronin.
Ndarja e maturantëve në fund, ka qenë momenti më i vështirë. Përqafimet me lot ndër faqe, e ndonjëherë edhe me vaj, si dhe shtrëngimi i dorës lamtumirëse, kanë qenë momentet, që për shumë kohë dhe mot, ata nuk do t’i harrojnë, dhe në përjetimet e tyre përgjithmonë do të qëndrojnë të pashlyera.

Sh. Hasangjekaj