New York-u u mbulua me kuq e zi, Plavë-Guciasit festojnë Nëntorin me këngë, valle e emocione

Fondacioni “Plavë Guci” bashkoi komunitetin shqiptar në një mbrëmje të veçantë festive, ndërsa Labinot Tahiri me këngët e tij popullore e patriotike e ktheu festën në një spektakël emocionesh dhe krenarie kombëtare.

Në New York, aty ku mijëra kilometra larg atdheut shqiptarët ndërtojnë jetën e tyre, ka data që nuk harrohen kurrë. E tillë është edhe Festa e Nëntorit, e cila për shqiptarët e diasporës nuk është thjesht një përvjetor historik, por një kujtim i gjallë i rrënjëve, identitetit dhe dashurisë për atdheun.

Këtë frymë e solli edhe mbrëmja madhështore festive e organizuar nga Fondacioni “Plavë Guci” – New York, me rastin e festave të Nëntorit dhe Ditës së Flamurit Shqiptar, ku u mblodhën bashkë bashkatdhetarë të komunitetit shqiptar, të cilët dëshmuan se largësia nga vendlindja nuk e zbeh as krenarinë kombëtare, as lidhjen me historinë.

Ambientet e restorantit “Greentree Country Club” morën pamjen e një feste të vërtetë shqiptare. Flamujt kuq e zi, dekorimet festive dhe veshjet me kostume tradicionale popullore krijuan një atmosferë të veçantë, ku e kaluara, tradita dhe krenaria shqiptare u ndërthurën në një mbrëmje të vetme.

Nuk ishte vetëm një takim festiv, por edhe një rast për të kujtuar historinë, sakrificat dhe rrugëtimin e kombit shqiptar. Përmes bisedave mes të pranishmëve u rikthyen në vëmendje ngjarjet e mëdha të Nëntorit , ngjarje e përjetime të shumta te shqiptareve si ne Shqipëri ashtu edhe në Kosovë e në te gjitha trojet ende te ndara shqiptare.

Në këtë atmosferë, emocionet ishin të pranishme kudo. Për shumë prej të pranishmëve, flamuri, kënga dhe veshjet kombëtare ishin një copëz e atdheut të sjellë në zemër të New York-ut. Jo pak sy u përlotën nga malli dhe kujtimet, ndërsa krenaria për identitetin shqiptar ndihej në çdo cep të sallës.

Por, festa mori një tjetër dimension kur në skenë u ngjit këngëtari i mirënjohur dhe shumë i dashur për publikun, Labinot Tahiri – Labi.

Me zërin, energjinë dhe repertorin e tij të njohur, ai u kujdes që kjo mbrëmje të mbetet gjatë në kujtesën e të pranishmëve. Këngët popullore dhe patriotike u pritën me duartrokitje e u kënduan në kor, ndërsa tingujt e këngëve të njohura zgjuan emocionet dhe mallin për vendlindjen.

Nga këngët që i kushtohen flamurit dhe atdheut, te ato që rikujtojnë historinë dhe krenarinë kombëtare, atmosfera u ndez edhe më shumë me ritmet e këngëve të dashurisë, të cilave Labi di t’u japë një interpretim të veçantë.

Të rinj e të moshuar, familjarë dhe miq, u bënë pjesë e festës. Vallja, duartrokitjet dhe kënga nuk kishin të ndalur. Për disa orë, New York-u sikur u kthye në një festë të madhe shqiptare, ku Plava, Gucia dhe të gjitha viset shqiptare u bashkuan përmes muzikës dhe kujtimeve.

Kjo mbrëmje ishte edhe një dëshmi e përkushtimit të komunitetit shqiptar dhe Fondacionit “Plavë Guci” për të ruajtur traditat, për të nderuar datat historike dhe për t’ua përcjellë brezave të rinj dashurinë për gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar.

Në fund, mbeti më shumë se një kujtim i bukur festiv. Mbeti mesazhi se shqiptarët, kudo që jetojnë, nuk i harrojnë rrënjët e tyre.

Sepse mund të jetosh në New York, të punosh e të krijosh mijëra kilometra larg vendlindjes, por kur vjen Nëntori, zemra e shqiptarit rreh kuq e zi!