Pas 28 viteve të sistemit shumëpartiak, shqiptarët nuk do të kenë më kryetarin e Komunës së Ulqinit
Mehmet Bardhi nga Lidhja Demokratike në Mal të Zi ishte kryetar i Komunës së Ulqinit në intervalin kohor të viteve 1990 – 1996, Osman Rexha nga Lidhja Demokratike në Mal të Zi 1996 – 1998, Skender Hoxha po nga Lidhja Demokratike në Mal të Zi 1998 – 2002, Fuad Nimani nga Unioni Demokratik i Shqiptarëve 2002 – 2006, Gëzim Hajdinaga nga Unioni Demokratik i Shqiptarëve 2006 – 2011, Nazif Cungu nga Forca e Re Demokratike 2011 – 2014, Fatmir Gjeka nga Partia Demokratike 2014 – 2016 dhe përsëri Nazif Cungu nga Forca e Re Demokratike nga viti 2016 deri në këto ditë, ishin kryetarët e Komunës së Ulqinit dhe atë të gjithë këto ishin nga subjektet politike shqiptare, shkruan Ulqini Online.
Dita e marte e 24 prillit 2018 shënon datën ku subjekti politik i fundit shqiptar Forca e Re Demokratike vendosi të përkrah kandidatin e DPS-it të partisë së Gjukanoviqit, për kryetar të Komunës së Ulqinit pasi shumë kohë më parë këtë e kishin bërë edhe dy subjektet tjera shqiptare, Partia Demokratike dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve. Të tre këto parti shqiptare në mandatin e ardhshëm qeverisës janë pajtuar që të përkrahin kandidatin e DPS-it për kryetar të Komunës së Ulqinit që paraqet rastin e parë pas 28 viteve të sistemit shumëpartiak në Mal të Zi.
Duhet theksuar se në zgjedhjet lokale për Kuvendin komunal të Ulqinit që u mbajtën me 4 Shkurt 2018 garuan 10 subjekte politike, 3 prej të cilave u prezantuan me programe nacionale shqiptare kurse 7 të tjera me programe qytetare. Partitë shqiptare fituan së bashku 18 këshilltarë nga 32 të mundshëm: 8 Forca, 7 Kualicioni “Zgjohu” dhe 3 UDSH, që paraqiste shumicën e duhur parlamentare për formimin e pushtetit por që një gjë e tillë as që u diskutua në mes këtyre subjekteve.