“Promovimi i Kulturës Shqiptare” pa pjesëmarrjen e shqiptarëve në Guci

Në Qendrën e Kulturës në Guci, në organizim të JU Qendrës për Ruajtjen e Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në Mal të Zi, është promovuar Antologjia e prozës së shkurtër të shkrimtarëve shqiptarë në Mal të Zi, me titullin “Svi naši” (Të gjithë tanët).

Dhe kjo ishte një lajm i mirë, nëse nuk do të ishte organizuar në gjuhën sllave nga joshqiptarët me folës (dr. Drago Došljak, Dimitrov Popović dhe Salko Luboder), madje edhe me moderatore joshqiptare (Amra Tahirović). Meqë autori ose autorët e kësaj antologjie nuk përmenden fare në lajm, pa dyshim që ata as nuk janë shqiptarë.

Ç’është më keqja në këtë lajm është se keqperdoret emri i akademikut shqiptar Rexhep Qosja, si dhe ai i akademikut të Malit të Zi Zuvdija Hoxhiq-Berisha, me qëllim të promovimit të Gucisë si vend-lindje e tyre.

Vetë fakti se nga kush është organizuar ky eveniment, përbërja e pjesëmarrësve dhe mungesa e shqiptarëve në organizim dhe prezantim të kësaj “Antologjie” tregon qartë se ky promovim nuk kishte për qëllim promovimin e librit, por në fakt është bërë për provokim të JU Qendrës për Ruajtjen e Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në Mal të Zi, me qëllime dhe prapavi politike të kinse “ruajtjes së kulturës së pakicave në Mal të Zi” dhe të promovimit të demokracisë së rremë inekzistente.

Një fjalë e urtë popullore thotë: “Katundi që shihet, kallauzi nuk donë.”

/Plava e Gucia Sot