BOTA INTELEKTUALE E PLAVË GUCISË – Prof. Dr. REXHË (META) ULAJ

Se kush ishte Rexhë Meta, ma qartë  na sqaron studiuesi amerikan, William Holtz, profesor në Universitetin e Miçiganit, SHBA.

 

Prof. Dr. REXHË META – ULAJ

Nëse lexuesi shfleton faqet e para të librit “Pran of Albania” të shkrimtares amerikane Elizabeth Cleveland Miller, aty e gjen një kushtim :

“Kushtuar : Palokë Shkjezit, Rexh Metes, – (“Dedicated to Paloke Shkiezi, Rexhë Mete”)… Dedikimi në këtë libër përbën një tjetër rast ku shfaqet emri i Rexhë Metës, në libra të shkruara nga autore amerikane. Ma se pari emrin i tij përmendet në veprën “Majat e Shalës”, (The Peaks of Shala), të shkrimtares amerikane Rose Wilder Lane… mbas andej del në kushtimin e librit të shkrimtares Elizabeth Cleveland Miller…

Kush ishte Rexhë Meta ?

Se kush ishte Rexhë Meta, ma qartë  na sqaron studiuesi amerikan, William Holtz, profesor në Universitetin e Miçiganit, SHBA, i cili shkruan për Rexhë Metën në biografinë e shkrimtares Rose Wilder Lane, “Fantazma në Shpinë e Vogël: Një Jetë e Rose Wilder Lane”, – Seria e Biografive në Misuri, – (William Holtz, “The Ghost in the Little House: A Life of Rose Wilder Lane”, – Missouri Biography Series.)…

Rexhë Meta lindur në Vuthaj të Plave Gucisë në vitin 1906, ka qenë një djalë i vëllazërisë  Ulaj, i mbetur jetim mbasi familjen ia kishin masakruar shovinistët serbo-malazezë. Mbasi prindërit i kishin vdekur, Rexha i vogël ishte vendose në Shkodër bashke me dy motrat. Fëmijë shume i zgjuet, kishte mësua vetë anglisht qysh 12 vjeç, dhe shoqëronte amerikanet qe punonin për Kryqin e Kuq Amerikan që ndihmonte refugjatet e Luftës në Shkodër gjate dhe mbas Luftës së Pare Botërore.

Përmes Kryqit te Kuq Amerikan, Rexha njihet me shkrimtaren amerikane Rose Wilder Lane, shkrimtaren që ka shkrua “Majat e Shalës”, (The Peaks of Shala)…Aty njihet edhe me Elisabeth Cleveland Miller, autoren qe i banë kushtimin Rexhes ne veprën “Pran of Albania”.

Shkrimtaren Rose Wilder Lane e banë për veti zgjuarsia e Rexhës, kurajua e tij, Rexha duke qenë fëmijë për veti kishte mbledhë disa jetime të tjerë nga Plava e Gucia dhe kujdesej për ta si ma i madh qe ishte, si me qenë vllaznit e motrat e tij, njësoj si për dy motrat e veta. Studiesi William Holtz ne biografinë e Rose Wilder Lane, sjell shënimet e saj, se si Roses i kishte ba shume përshtypje kurajua e atij fëmije 12 vjeçar…Rose vendos me e adaptua Rexhen, e burëson dhe e çon në shkolle për me u edukua. Fillimisht Rexha mbaron shkollën teknike te Harri Fullcit në Tirane dhe mbasandej me mbështetjen financiare të Rose Wilder Lane, i kryen studimet e larta për Finance ne Universitetin e Kembrixhit në Angli. Studimet i kryen si student i shkëlqyer, (“Honor Student”), dhe emni i tij gjindet ne librin e artë te atij universiteti…me sa dihet asht i pari shqiptar qe ka krye ate universitet me fame botnore.

Në vitin 1938, Rexha kthehet me kontribue në Shqipni, punon si këshilltar i kryeministrit të kohës. Mbas prillit 1939, me pushtimin fashist të vendit, Rexhë Meta internohet ne Itali. Fashistet e konsiderojnë kundërshtar për shkak te edukimit te marrun ne Kembrixh Angli si dhe për lidhjet me shkrimtaret amerikane. E mbajnë ne internim deri ne shtatorin e vitit 1943 kur kapitullon Italia fashiste. Ne vitin 1943 kthehet ne Shqipni dhe kontriboun ne te mirën e çështjes kombëtare ne kushtet kur trojet shqiptare ishin bashkua. Merr pjese ne komisionin organizator te Lidhjes se Dyte Shqiptare te Prizrenit. Me mbarimin e Luftës se Dyte Botnore, Enver Hoxha e burgos Rexhe Meten sepse “kishte shoqnue shkrimtare amerikane si Rose Wilder Lane dhe Elisabeth Cleveland Miller, si dhe kishte krye studimet në Kembrixh, Angli”, per keto arsye ai konsiderohej se “ishte agjent anglo-amerikan”…

Dënohet me burg, dhe Rexhë Meta dhe e pëson ma keq, sepse siç shkruan profesor William Holtz, “kur Rose Wilder Lane, (e ama qe e kishte burësue), mori vesh për arrestimin e Rexhes bani çmos me e lirua, duke përdorë ndikimin e saj sepse Rose ka kenë gazetare e famshme ne Amerike.”… E shkreta Rose, meqe kishte mik presidentin Truman i kërkon atij me ndërhy për me lirua Rexhen…për shkak te asaj ndërhyrje, Rexhën e dënojnë me vdekje ne Shqipërinë komuniste sepse “kaq agjent i rrezikshëm ishte saqë ka ndërhyrë Presidenti Truman.”…Siç shkruan profesor William Holtz, sipas dëshmive te vete Rose Wilder Lane, mbas përpjekjesh Enver Hoxha i ofron gazetares Rose Wilder Lane një kusht për me ia fale jetën Rexhe Metes, kushtin qe ajo mos me shkrua kurrë kundër regjimit komunist te tij. Rose Wilder Lane, ato vite ishte gazetarja ma e pagueme ne bote, me shume famë dhe njihte shume mire Shqipnine, por Enveri i bënte shantazh me jetën e birit te saj te adaptuem. Rose, si nji antikomuniste e thekun qe ishte, shkruen ne kujtimet e veta se sa te vështirë e ka pase atë kompromis, vetëm e vetëm për me ia kursye jetën Rexhe Metes.

Mbasi vuajti tanë ato vite ne burgun e Burrelit, Rexha i shkretë, doli dikur nga burgu dhe i ka pase dy fëmijë, vajzën Bora-Rose, (të cilës ia kishte ngjite emnin e Rose Wilder Lane), dhe djalin Fitimin…Rexhë Meta vdiq në vitin 1985.

Mbas daljes nga burgu Rexhe Meta ka punue roje te porta e nje ndermarrje ne Shkoder…

Ne vitet ‘80 te kjo ndermarrje vijne disa te deleguem nga Ministria dhe pyesin drejtorin e ndermarrjes :

-“Si i keni punet me kualifikimin e punonjesve?”

Drejtori si shkodran me shpirt humori ua kthen :

-“Na, si i kena punet me kualifikimin e punonjesve?! Si na nuk asht kurrkush mor zot, merreni me mend na rojen te porta e kena me diplome Kembrixhit!”…

ILIR SECI

 

(Foto e Rexhë Metës – me veshjen e studentit në Universitetin e Kembrixhit, në vitin 1932.)