Rexhep Gali Balidemaj – Mandela i Plavës e Gucisë

Nga Esad Gjonbalaj

 

Rexhep Gali Balidemaj u lind më 19 dhjetor të vitit 1922 në fshatin Martinaj të Gucisë. Katër vitet e shkollës fillore i kreu në fshatin e lindjes, ndërsa katër vitet tjera, të cilat atëherë quheshin gjimnaz, i kreu ne Plavë në gjuhën serbe, pasi nuk ekzistonin shkolla me mësim në gjuhën shqipe.

 

Rexhepi ishte djalë i shkathët e i mprehtë dhe si i tillë ra në sy të ministrit shqiptar, i cili në vitin 1941 i vizitoi këto treva. Me iniciativën e ministrit Qazim Koculi shkoi në Tiranë ku u regjistrua në gjimnaz. Rexhepi ishte i brymosur me ndjenja patriotike andaj së shpejti ra në kontakt me të rinjtë antifashistë shqiptarë si: Kajo Karafili, Qemal Stafa e të tjerë, ku së bashku me ta mori pjesë në disa aksione antifashiste. Në verën e vitit 1943 Rexhepi u kthye në vendlindje, ku u angazhua në lëvizjen rinore të Plavës e Gucisë e në vjeshtën e atij viti, u regjistrua në aradhat partizane me të cilat luftoi gjerë në Trieste në Slloveni.

Pas kapitullimit të Gjermanisë ai vazhdoi të edukohet dhe në Beograd kreu kursin për shifrant, ndërsa në vitin 1946, pas i kaloi të gjitha testet e aftësive fizike dhe mendore, e dërguan ne Kiev të Bashkimit Sovjetik, ku qëndroi dy vite dhe u aftësua për pilot. Në vitin 1948 kthehet në Zagreb të Kroacisë dhe fillon punën si pilot ushtarak.

Pas rezolutës së Informbyrosë në vitin 1948 ai u përcaktua për mbrojtjen e çështjes kombëtare shqiptare, sepse në anën e rezolutës ishte Shqipëria, andaj sipas bindjeve të tij, ku ishte Shqipëria duhej të ishte edhe ai. Në vitin 1949 arrestohet si Informbiro-ist dhe dënohet me 6 vite burg. Dënimin e vuajti në burgun më famëkeq të ish-Jugosllavisë në Goli Otok. Në burg e keqtrajtuan jo vetëm si Informbiro-ist, por edhe si shqiptar, megjithatë Rexhepi i përballoi të gjitha dhe pas vuajtjes së dënimit në vitin 1956 u kthye në vendlindje. Nga UDB-ja ai tani përcillej vazhdimisht dhe e mori si pretekst një rast kur Rexhepi doli në mbrojtje të një bashkëfshatari të tij, të cilin donin ta arrestonin. Kjo u mjaftoi që ta akuzonin e në bazë të nenin 133 për propagandë armiqësore e dënojnë me 3 vite burg të cilat i vuajti në burgun e Kotorit.

 

Pas vuajtjes së këtij dënimi përsëri kthehet në vendlindje, ku me ndihmën e disa të afërmve të tij punësohet si rojtar pyjesh. Pavarësisht se nuk kishte asnjë mundësi veprimi, UDB-ja vazhdimisht i krijonte insinuata dhe pas tre viteve përsëri e arrestojnë dhe e dënojnë me dy vite burg, të cilat i mbajti në ishullin Gërgur. Pas daljes nga burgu megjithëse tanimë ishte i martuar me dy fëmijë, nuk kishte kurrfarë mundësie të punësohej.

 

Në konferencën e Brionëve të vitit 1965 u aprovua një rezolutë në bazë të së cilës u ndalua ndjekja e të dënuarve si Informbiro-istë. Disa bashkëvendas të tij, të cilët jetonin dhe punonin në Prishtinë, e punësuan në ndërmarrjen Ramiz Sadiku, ku punoi deri në vitin 1981. Rexhepi megjithëse tanimë ishte i moshuar, në shpirt ishte akoma i ri dhe burgimet e torturat në vend që ta ligështonin e kishin kalitur. Me të dëgjuar për demonstratat e studentëve të vitit 1981 iu bashkangjit atyre ku së bashku me shumë të rinj përsëri arrestohet nga policia serbe. Me procedurë të shkurtuar e dënojnë me dy muaj burg, të cilat i mbajti në burgun e Lipjanit. Rexhepi qëndrimin e tij në burg e shfrytëzoi për t’u njohtuar me veprimtarë të rinj të çështjes shqiptare dhe pasi doli nga burgu e vazhdoi veprimtarinë e tij. Në atë kohë ishte vështirë të veprohej, por veprimarët shqiptarë kishin zbuluar një formë të re veprimi, e cial quhej „treshe“. Treshet ishin grupe të vogla prej tre aktivistësh, ku secili prej tyre ishte pjesëtarë i një tresheje tjetër për të cilën shokët e treshes së tij nuk kishin dijeni. Ky sistem u tregua efikas, sepse të arrestuarit edhe po të donin mund të tregonin vetëm për veprimtarët e treshes së vet, kështu që këputej zinxhiri i arrestimeve.

 

Rexhepi, megjithëse në moshë të thyer, nga pamja fizike dukej vital. Ai u bë pjesëtar i treshes ku veproi gjerë në vitin 1983, kur e arrestojnë përsëri dhe e dënojnë me 5 vite burg me akuzën për agjitacion e propagandë armiqësore. Tanimë për veprimtarinë e Rexhepit kishin dëgjuar të gjithë, andaj atë e mori në mbrojtje avokati i njohur Bajram Kelmendi dhe falë angazhimit të tij dënimin ia zbritën nga 5 në 3 vite burg, të cilat i mbajti në burgun e Prishtinës, Gjilanit dhe Gjurakovcit. Ishte bërë tanimë pjesë e jetës së Rexhepit që të mos dorëzohej, andaj ai merr pjesë në protestën e cila organizohet me rastin e vrasjes së dëshmores Ylfete Humolli dhe për këtë arësye nga gjykata për kundërvajtje dënohet me dy muaj burg.

 

Rexhep Balidemaj është një nga shembujt më kuptimplotë, që në mënyrë figurative e përmbushë shprehjen „një jetë në shërbim të çështjes kombëtare“. Ai ishte dhe mbetet simbol e burim frymëzimi për të rinjtë jo vetëm nga Plava e Gucia, por për hapësirën gjithëshqiptare. Populli i Plavës e Gucisë e sidomos të rinjtë e këtyre trevave, Rexhep Galin Balidemaj e quajnë me krenari „Mandela i Plavës e Gucisë“.