Sipas testimeve të fundit mikrobiologjike, vetëm katër raste të reja të prekura me virusin Covid-19 në Mal të Zi

Gëzon fakti se në Mal të Zi, numri i rasteve të reja të prekura me virusin Covid-19, në dy ditët e fundit është në rënie e sipër.

Të dhënat numerike të Institutit të Shëndetit Publik tregojnë në 247 mostrat e testuara në Laboratorin mikrobiologjik, gjatë 24 orëve të fundit në Mal të Zi, në koronavirusin Covid-19, pozitiv kanë rezultuar 4 persona. Të gjithë të infektuarit janë nga Podgorica, 3 prej këtyre rasteve janë kontakte të konfirmuara më parë, kurse burimi i një rasti të infektuar është në fazën e hulumtimit.

Në 140 mostrat e testuara dje (më 8 prill), në intervalin kohor 08:45-17:45 ka rezultuar pozitiv në koronavirus 1 person – nga Podgorica, dhe në 107 mostrat e testuara në intervalin kohor 17:45-08:45, pozitiv kanë rezultuar 3 persona – të gjithë nga Podgorica.

Kështu, numri i të infektuarve me virusin Covid-19 në Mal të Zi ka arritur në 252 (138 meshkuj dhe 114 femra), prej të cilëve 43 janë fëmijë dhe të rinj, 14 të moshës 0-9 vjeçare dhe 29 të moshës 10-19 vjeçare.

Numri i të infektuarve nga virusi Covid-19 nëpër komuna është:

Podgoricë-127,

Tuz-36,

Nikshiq-31,

Tivarë-21,

Ulqin-9,

Andrijevicë-7,

Bijello Pole-6,

Herceg Novi-6,

Budva-4,

Danillovgrad-3 dhe

Tivat-2.

Përfaqësuesit e Trupit nacional koordinues për sëmundjet infektive në konferencën për media, kanë konfirmuar se 42 të infektuar me virusin Covid-19, janë të hospitalizuar në spitale, 20 prej të cilëve në Qendrën klinike në Podgoricë. Për shkak të gjendjes së renduar shëndetësore (me jetë të rrezikuar), 3 të sëmurë janë nën përkujdesjen intensive të vendosur në respirator. Nga pasojat e koronavirusit, deri më tani kanë vdekur 2 persona, kurse 4 të tjerë të shëruar janë përcjellur për trajtim të mëtejmë në shtëpi.

Përfaqësuesit e Trupit nacional koordinues, në deklaratën për media kanë theksuar se nga institucionet e ndryshme shëndetësore në Mal të Zi, 20 punëtorë të profileve të ndryshme shëndetësore janë të infektuar me Covid-19 dhe të gjithë gjenden në izolim. Ata po ashtu kanë bërë me dije se në territorin e Malit të Zi janë të caktuara 11 lokalitete për karantinë, në të cilat momentalisht janë të vendosur 388 persona.

Si pasojë e infektimeve me pandeminë Covid-19, gjendja në shtetet e rajonit ende është alarmante. Të dhënat e fundit të organeve të tyre kompetente tregojnë se numri i të prekurve dhe të vdekurve është në rritje e sipër:

Në Shqipëri: 409 të infektuar dhe 22 të vdekur;

Në Kosovë: 224 të infektuar dhe 6 të vdekur;

Në Serbi: 2666 të infektuar dhe 65 të vdekur;

Në Kroaci: 1343 të infektuar dhe 19 të vdekur;

Në Bosnje e Hercegovinë: 841 të infektuar dhe 35 të vdekur;

Në Slloveni: 1124 të infektuar dhe 43 të vdekur dhe

Në Maqedoninë e Veriut: 617 të infektuar dhe 30 të vdekur.

Informon,

Shaban Hasangjekaj