Vrasja e trefishtë në Mal të Zi – i dyshuari ndalohet për 72 orë

Vehid Muriq, i dyshuar për vrasjen e dy vëllezërve nga Rozhaja, Denis (28) dhe Nezrin Hoti (35), si dhe Kenan Miraljemoviqit (56) nga Novi Pazari, është shoqëruar sot në prokurori për t’u marrë në pyetje.

Pas dhënies së deklaratës mbrojtëse, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit deri në 72 orë, raportojnë mediat malazeze.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur gjatë natës mes të hënës dhe të martës, në një banesë në lagjen “Stari Aerodrom” në Podgoricë.

Dyshohet se krimi është kryer me armë të ftohtë. Pas kësaj, Muriq është larguar drejt Rozhajës, ku i ka rrëfyer nënës së tij për ngjarjen.

Pas denoncimit të saj, autoritetet kanë zbuluar trupat e tre viktimave në një banesë me qira në rrugën Kozaraçka në Podgoricë.

Ai është arrestuar mbrëmjen e djeshme në qendër të Rozhajës, ndërsa motivi i krimit, sipas prokurores kujdestare Danka Gjeriq, mbetet ende i paqartë.

Sipas policisë, ekziston dyshimi se krimit i kanë paraprirë mosmarrëveshje personale mes të dyshuarit dhe viktimave.