Bjeshkatarët maqedonas riemërojnë toponimet shqiptare në Korab

Është e vërtetë që një pjesë e madhe e toponimeve të fshatrave të banuara vetëm me shqiptarë, sot e kësaj dite mbajnë emra sllavisht. Rreth kësaj teme është biseduar shumë, por me gjasë vështirë se është marrë ndonjë iniciative për t’u riemërtuar ata ose për të marrë emrat e vjetër.

Por është një zonë në Maqedoninë e Veriut, që edhe sot e kësaj dite, shumica e toponimeve në anën maqedonase janë shqiptare – është zona e Korabit. Përroi i Thellë (Proifelskiot vodopad), Guri i Kuq (Guri i Kuj), Vorri i Osmanit, Kepi i Bardhë (Kepi i Bard), Gropa e Fongot, Guri i Zi, Kepi i Dhelpnës, Gryka e Ujkut e shumë të tjera. Për të kuptuar sesa shumë toponime shqiptare ka në malësinë e Korabit, mjafton të bleni hartën e fundit të Parkut Nacional të Mavrovës, ku do kuptoni se shumica e tyre kanë kuptim shqip, siç përmendëm disa shembuj më lartë.

Por kohët e fundit, ka një iniciativë nga bjeshkatarët maqedonas, që këto emërtime në të ardhmen t’i shkruajnë vetëm në maqedonisht, përkundër që ajo zonë thuajse vizitohet vetëm nga barinj shqiptarë të matanë kufirit.

Në dy organizimet e para që bjeshkatarët maqedonas bënë për në Përroin e Thellë, në titujt e tyre figuronte “Proifelskiot” (maqedonasit në vend të “th”, përdorin “f”), kurse më pas, pasi ndokush mund t’ua ketë treguar kuptimin e saj, i përdorin vetëm shprehjet “Dlaboka Reka” ose “Korabskiot Vodopad” (Ujëvara e Korabit). Ngjashëm ndodh edhe me Gurin e Kuq, ku pavarësisht se edhe në hartat e tyre shkruhet Guri i Kuj, së fundi ata i referohen vetëm si Crven Kamen, kurse së fundi edhe majën Lakqet e Gjipqe, i referohen si (“Ciganski Premin”).

Në mes të qershorit 2020, tre bjeshkatarë maqedonas kanë vizituar edhe njëherë Korabin për ta eksploruar, ku përveç që kanë vendosur një kryq mbi majën e Kabashit dhe tabllat e reja me emërtimet sllave, ata shkruajnë hapur që në mbledhjen e ardhshme të tyre do vendoset për një emër të ri për Gropa e Fongot. Nga daljet e fundit, banorët vendas shqiptarë, thonë se “barit të ashpër të bjeshkevë” ata i thonë Fongot. Pra një toponim shqiptar, që me sa duket nuk u ka pëlqyer bjeshkatarëve maqedonas.

Se çfarë bëjnë maqedonasit, kjo nuk është për të ardhur keq, ata thjesht po mundohen të vendosin emra që u përshtaten atyre, por është mirë që bjeshkatarët shqiptarë të mos binë pre e tyre, por kur të vizitojnë këto vende përrallore t’u referohet toponimeve të vjetra që tregojnë emrat e paraardhësve të tyre.

Nuk ka argument më kokëfortë sesa toponimi shqiptar për identitetin shqiptar.