Përkujtimi i ngjarjeve  historike obligim qytetar e institucional

Në vendet me kulturë demokratike përkujtimi i ngjarjeve historike si në nivel lokal e ate kombëtar, paraqet moment reflektimi për qytetarët  e mjedisit përkatës ku kontributin e tyre e japin individët, shoqëria civile e sidomos institucionet përkatëse lokale apo ato shtetërore,  ndërsa përjashtim bëjnë vendet e pakonsoliduara të cilat nuk janë të përkushtuarndaj ngjarjeve të tilla ku si rast tipik kemi mos shënimin e 79-vjetorit të Masakrës së Tivarit(1 prill 1945),  nga institucionet qeveritare te Shqipërisë dhe te Kosovës  si dhe nga mediat,  veprim i cili nuk mund të arsyetohet me asgjë! 

Nail  Draga

Sa herë vjen pranvera e sidomos data 1 prill te shqiptarët, paraqet moment të veçantë emocional, sepse në këtë datë në vitin 1945, në Monopolin e Duhanit në Tivar ndodhi Masakra e Tivarit, ku janë  vradisa qindra shqiptarë nga Kosova, të cilët ishin mobilizuar nga Kosova, për të marrë pjesë në operacionet luftarake kundër nazisteve gjerman në perëndim të ish-Jugosllavisë. Ishte ky një mashtrim politik nga udhëheqesit jugosllav të cilët nga data 8 shkurt 1945 në Kosovë kishin vendosur administrimin ushtarak dhe si qellim kishin të spastronin Kosovën  nga shqiptarët të cilët mund të mobilizoheshin në luftë kundër tyre. Dhe nga mobilizimi i eshalonit të dytë i cili ka numruar 4700 vetë, me datën 26 mars ka udhëtuar nga Prizreni-Kukësi-Vau i Dejës-Shkodër e deri në Tivar me datën 31 mars. 

Në këtë rrugëtim shqiptarët ishin të pa armatosur, iu ngjasonin robërve të luftës, janë përcjellur me roje  nga sllavët ndërsa duke ecur këmbë gjatë rrugës janë maltretuar, rrahur e vrarë, ku finalja ndodhi me 1 prill 1945, pas një incidenti të ndodhur i vendosin në Monopolin e Duhanit në Tivar. Në këtë masakër kanë marrë pjesë trupat e rregullta ushtarake të Brigadës së Dhjetë Malazeze të cilët kanë  gjuajtur me të gjitha mjetet luftarake, ku kanë gjetur vdekjen qindra shqiptarë. Në lidhje me numrin e të vrarëve është dëshmuar se minimalisht kanë humbur jetën 1560 vetë e ai numër mund të jetë më i lartë qe arrinë deri në 3764 persona. Një konstatim i tilllë e japin burimet e ndryshme të botuara për opinionin pas vitit 1990 dhe dëshmitarët okularë të cilët kanë pasur fatin të mbesin gjallë.

Pjesëmarrësit e Konferencës shkencore, të Monopoli i Duhanit në Tivar (31.3.2013)

Konferenca e parë shkencore 

Për këtë tragjedi në kohën e monizmit nuk është guxuar të flitet as  të shkruhet se pasojat ishin të mëdha. Çdo informatë ishte në heshtje, sepse politika komuniste e kohës si mision kishte eliminimin e krimeve duke mos i publikuar ato, por  e vërteta nuk ka mundur të heshtet. 

Vetëm pas rënies së monizmit, të mbijetuarit por edhe disa studiues kanë filluar të shkruajnë artikuj e botime të veçanta, e po ashtu janë përgatitur edhe emisione televizive.

Në lidhje me ketë ngjarje tragjike Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi, në Ulqin, më 30-31mars të vitit 2013, ka organizuar Konferencën shkencore ”Masakra e Tivarit-1945”, me pjesëmarrje të studiuesve  nga Kosova, Shqipëria e Mali i Zi. Pas prezantimit të kumtesave për këtë ngjarje(të cilat ende nuk janë botuar)  pjesëmarrësit më pas  kanë shkuar e vizituar vendin e krimit të Monopoli i Duhanit(31 mars). Ishte ky takimi i parë nga përfaqësuesit e një subjekti të shqiptarëve  ku kanë marrë pjesë edhe ish të mbijetuar e kësaj masakre nga Kosova, duke dëshmuar në mënyrë autentike përjetimet e kësaj tragjedie. 

Memorialimonument i kujtesës

Pasi në lidhje me këtë masakër, nuk ka asnjë të dhënë në vendin e ngjarjës, duhet bërë çmos që në ketë vend të ngrihet një memorial i shkruar ne tre gjuhë kushtuar kësaj ngjarje tragjike. Një memorial i tillë duhet të jetë monument i kujtesës, për të kaluarën, tashmën dhe të ardhmën për të njohtuar opinionin e gjërë mbi ketë masakër që ka ndodhur në qytetin e Tivarit. Në rrethana të reja kur tash Kosova është shtet i pavarur i takon qeverisë së saj të inicojë një çështje të tillë me pushtetin në Malin e Zi.

Ngjarja tragjike e vitit 1945 nuk mund ta ngarkojë me përgjegjësi pushtetin aktual në Mal të Zi, por angazhimi ne drejtim të ndriçimit të kësaj masakre dhe të ballafaqimit më të shkuarën sepse edhe pas 79 viteve nuk ka të dhëna ne lidhje me varret e viktimave të kësaj maskre.  

Në rrethana të reja shoqërore historia duhet të rishkruhet dhe të thuhet e vërteta për këtë tragjedi, duke eliminuar qasjen ideologjike qe janë te pranishme edhe në ditët tona. Në këtë aspekt është obligim profesional  të hulumtohen arkivat sekrete të UDB-ës jugosllave, për  të hequr  hipotekat nga e kaluara ideologjike, që do të jetë në favor të faktografisë shkencore si kudo në botën demokratike. 

Botim me rastin e 75-vjetorit

Me rastin e 75-vjetorit të Masakrës së Tivarit(2020), autori i këtij shkrimi duke parë mos angazhimin e institucioneve si në Kosovë e Shqipëri, për të shënuar këtë jubile, me ndonjë sesion shkencor apo botim të veçantë, ka botuar librin “Masakra e Tivarit-gjenocid kundër shqiptarëve”, që paraqet një përmbledhje të artikujve  nga autor të ndryshëm për këtë masakër e cila ndodhi në vendin ku nuk kishte operacione luftarake, sepse të tillat këtu kishin përfunduar nga fundi i nëntorit 1944. Ishte ky një kontribut modest për të shënuar dhe përkujtuar opinionin për këtë masakër kundër shqiptarëve të Kosovës, ku përgjegjësi përveç pushtetit jugosllav mban edhe pushteti i kohës në Shqipëri.

Leksion për shkollat fillore dhe të mesme

Nëse deri në viotin 1990, nëkohën e monizmit si në shqipëri dhe ish Jugosllavi përkujtimi i kësaj ngjarje tragjike kundër shqiptarëve ishte e ndaluar dhe me pasoja, pas këtij viti me miratimin e pluralizmit heshtja apo anashkalimi i Masakrës së Tivarit, nuk mund të arsyetohet më asgjë. Ajo duhet të jetë leksion i veçantë në tekstin shkollor në lëndën e histiorisë si për shkollat fillore dhe të mesme, duke qenë mesazh për kohën tonë dhe të ardhmën, për të kuptuar sfidat dhe mbijetesën e shqiptarëve në hapësirën e tyre etnogjeografike.Nëse ne kohën e monizmit për shkaqe jo vetëm ideologjike kjo masakër nuk është theksuar në tekstet shkollore tash në pluralizëm është obligim profesional, për të kuptuar krimet e pushtetit jugosllav kundër shqiptarëve! Sepse nxënësve duhet t`iu shpjegohet e vërteta, pa paragjykime, ku shkolla përkatësisht arsimi ka një mision të tillë.

Viti i ardhshëm është 80-vjetori i masakrës

Dhe në fund mbetet të shpresojmë se në vitin e ardhshëm ku do të jetë 80-vjetori i kësaj ngjarje tragjike institucionet qeveritare e ato shkencore si në Kosovë e Shqipëri do të angazhohen për  shënimin e këtij përvjetori  me ndonjë konferencë shkencore që do të ishte si homazh për të gjitha viktimat e kësaj masakre. Çdo hezitim në këtë drejtim nuk mund të arsyetohet me asgjë, sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët!

(Maj  2024)


4