Në traditën e pasur të Vuthajve , ku historia dhe krenaria kombëtare janë gdhendur në gurët e kullave dhe në kujtesën e brezave, figura e trimit mbetet themel i identitetit dhe i qëndresës sonë. Poezia e autorit Hasan M. Gjonbalaj, kushtuar kreshnikut Demë Gjeka nga vëllazëria e njohur Vukaj, vjen si një jehonë e fuqishme e kësaj trashëgimie të lavdishme.
Kjo vepër poetike nuk është vetëm një rrëfim për jetën dhe sakrificën e një burri të madh, por një himn për qëndresën, nderin dhe dashurinë e pashuar për tokën e të parëve. Përmes vargjeve të ndjera dhe figuracionit të pasur, autori rikthen në kujtesë një kohë të vështirë, kur mbrojtja e trojeve kërkonte guxim të jashtëzakonshëm dhe sakrifica sublime.
Figura e Demë Gjekës ngrihet në këtë poezi si simbol i malësorit të pathyeshëm, që përballë padrejtësive dhe dhunës, qëndron i palëkundur në mbrojtje të nderit dhe të truallit të vet. Bashkë me bijtë e tij trima, ai mishëron idealin e burrërisë shqiptare, ku fjala dhe pushka kanë të njëjtën peshë, ndërsa besa është ligj i shenjtë.
Kjo poezi është një kujtesë e gjallë për brezat e sotëm dhe të ardhshëm, se liria dhe identiteti nuk janë dhuratë, por amanet i fituar me gjak dhe sakrificë. Ajo na fton të mos harrojmë rrënjët tona dhe të nderojmë ata që me jetën e tyre shkruan historinë tonë kombëtare.
Portali “Plava e Gucia Sot” me respekt dhe përulësi e sjell këtë krijim para lexuesve, si një homazh të merituar për një nga figurat më të ndritura të Vuthajve dhe për të gjithë ata që mbetën besnikë të tokës dhe kombit deri në frymën e fundit.
Demë Gjeka – Kreshniku i Vuthajve

Nga Hasan M Gjonbalaj
Në Vuthaj, nën bjeshkë ku fryn era e malit,
Jetonte Demë Gjeka, burrë i fjalës dhe i zjarrit.
Shtatë djem i rriti si lisa mbi gur,
Trima si rrufe, si shqiponja në mur.
Kurti e Mehmeti, Hila si dritë,
Syla e Gjeka, në luftë si stuhit,
Rrusta e Haziri, zemrën çelik,
Shtatë vëllezër trima, një gjaku, besnik.
Por veziri i Shkodrës, me dorë grabitçare,
Bjeshkët ua mori me ligjet barbare,
Nga Rokopeci gjer te lumi Vrujë,
Si plagë në zemër kjo padrejtësi thellë u ngul.
Demë Gjeka, fjalë i çon vezirit,
Largohu nga bjeshkët, nga trojet e fisit!
Por veziri me dele barinjtë i dërgon,
Sikur të ishte tokë që kushdo e pushton.
Në Rokopec Demë Gjeka shpatën e ngre,
Delet i merr, barinjtë i rrëzon përdhe,
Si rrufe mbi mal që shkrep në stuhi,
Se toka e Vuthajve nuk shitet për hi.
Pastaj gra me dele veziri i dërgon,
Se burrat e Malësisë me gra nuk luftojnë,
Por djemtë e Demës si era vërshuan,
Dhe përtej kufirit barinjtë i dëbuan.
Atëherë ushtria mbi bjeshkë u derdh,
Si re e zezë që malet i mbërthen,
Luftë e pabarabartë, gjëmim mbi gurë,
Ra Syla i pari, Gjeka pas tij në flamur.
U drodhën bjeshkët, u skuq dheu,
Gjaku i trimave në mal shpërtheu,
Por zemra e Demës nuk u përkul,
Si lis në stuhi që kurrë s’u shkul.
Veziri hakmerret me dorë mizore,
Pasurinë ia mori, bjeshkët arbërore,
Por i rëndë mbi Demën ra ai vendim,
Të lërë trojet, fisin e të marrë mërgim.
Të lërë Vuthajt, gurin e pragut të vet,
Vëllezërit, miqtë, kullat në rrafsh e në breg,
Me plagë në zemër e lot në sy,
U nis për mërgim, por me nder e me burrëri.
Në Pejë i burgosën me pranga në dorë,
Se fjala e vezirit kishte shkuar më parë,
Aty ranë Rrusta e Haziri mbuluar n’gjak,
Si dy yje që shuhen në qiellin e largët.
Per një çast mbi ta erdhi fati i bardhë,
Një fëmijë i vogël nga rojat u pa,
Shikuan me kujdes, shenjën e panë,
Janë myslimanë, rojat bërtitën me zë.
Fjala te Pasha si vetëtimë ka shkuar,
Urdhri i burgut menjëherë u anulua,
Prangat e hekurta përdhe iu rrëzuan,
Dhe trimat me gjak lirinë e fituan.
Me Kurtin, Mehmetin e Hilën pranë,
Demë Gjeka jetën e nisi nga e para në anë,
Në Loxhë për vite qëndroi në qetësi,
Derisa u shua si diell në perëndim.
Por gjaku i tij si burim u përhap,
Në Kralan Kurti rrënjë thellë ka kapur,
Në Balincë Mehmeti shtëpinë e ndërtoi,
Në Izbicë Hila fisin e shtoi.
Dhe brezat që lindën nga ai trung Vuthjani,
Në çdo luftë u ngritën për nder e për liri,
Edhe në luftën e fundit të Kosovës krenare,
Njëmbëdhjetë dëshmorë ranë për tokën shqiptare.
Kështu në Vuthaj, ndër gurë e ndër lisa,
Rron emri i Demës si këngë e si krisma,
Se malësori vdes, por kurrë s’harron
Tokën që me gjak përherë e mbron.
Hasan M Gjonbalaj
21.03.2026