Komuniteti Shqiptar në Westchester në mbështetje të Kongresmenit George Latimer

Komuniteti shqiptar në New York–Westchester, nën patronazhin e aktivistit të njohur të komunitetit Valon Nikçi, u mblodh mbrëmë në Ciao Restaurant në një takim mbështetës dhe sponsorues për rizgjedhjen e kongresmenit George Latimer.

Mbrëmja bashkoi shumë bashkëatdhetarë, aktivistë dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në zonën e Westchester-it, duke dëshmuar edhe një herë lidhjen dhe bashkëpunimin e ngushtë që komuniteti shqiptar ka ndërtuar ndër vite me kongresmenin Latimer.

George Latimer ka një karrierë të gjatë në shërbim publik, duke filluar nga niveli lokal e deri në Kongresin Amerikan. Ai fillimisht shërbeu si anëtar i Këshillit Bashkiak të qytetit Rye (“City Council”), më pas si senator në shtetin e New Yorkut dhe si “Westchester County Executive”. Pas zgjedhjeve paraprake (“Primary Elections”) të vitit 2024, ai u zgjodh kongresmen demokrat në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai është gjithashtu anëtar i grupit Albanian Issues Caucus në Kongresin Amerikan dhe njihet si përkrahës i vazhdueshëm i çështjeve shqiptare, përfshirë mbështetjen për Kosovën, integrimin e saj në NATO dhe rezoluta të rëndësishme në interes të shqiptarëve në Ballkan.

Duhet theksuar se Valon Nikçi është një aktivist i kahershëm i komunitetit shqiptar në Westchester, themelues i Albanian American Club of Westchester, pjesë e ekipit të kongresmenit George Latimer dhe organizator i kësaj mbrëmjeje të suksesshme mbështetëse.

Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe vëllazërore, duke reflektuar marrëdhëniet e afërta që kongresmeni Latimer ka ndërtuar ndër vite me komunitetin shqiptar në Westchester County.

Esad Gjonbalaj

/Plava e Gucia Sot