Diplomim i Kampit Kulturor Shqiptar të AACW-së – Mbi 50 fëmijë përmbyllin me sukses programin 12-javor

Më 13 qershor, Albanian American Club of Westchester festoi diplomimin e më shumë se 50 nxënësve të Kampit Kulturor Shqiptar, pas përfundimit me sukses të një programi 12-javor të dedikuar gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar.

Gjatë këtij programi, fëmijët u angazhuan në mësimin e gjuhës shqipe, historisë kombëtare, traditave, muzikës dhe valleve shqiptare. Ky kamp u shndërrua në një hapësirë të rëndësishme edukimi dhe lidhjeje me rrënjët kulturore, duke krijuar gjithashtu miqësi të reja mes pjesëmarrësve.

Programi përmbyllës u karakterizua si një festë e vërtetë e kulturës shqiptare në diasporë. Nxënësit interpretuan këngë në gjuhën shqipe, recituan poezi dhe performuan valle tradicionale, duke sjellë emocione dhe krenari për prindërit, mësuesit dhe gjithë komunitetin e pranishëm.

Në përmbyllje të aktivitetit, u përcollën urime të veçanta për nxënësit, mësuesit, instruktoret, vullnetarët dhe prindërit, për përkushtimin dhe suksesin e arritur. Ky angazhim i përbashkët dëshmon edhe një herë rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe investimit në brezat e rinj të komunitetit shqiptar në Amerikë.

🇦🇱 Krenarë për trashëgiminë tonë. Krenarë për fëmijët tanë. Krenarë për të ardhmen tonë.

Valon Nikçi, njëri nga themeluesit dhe aktivist i njohur i komunitetit shqiptar, ka luajtur rol të rëndësishëm në krijimin e kësaj organizate në vitin 2023. Albanian American Club of Westchester, në përbërje të së cilës janë edhe figura të njohura të komunitetit shqiptar, vazhdon të japë një kontribut të çmuar në forcimin e identitetit kulturor dhe bashkimit të komunitetit shqiptaro-amerikan në Westchester County.

/Plava e Gucia Sot