Një ngjarje shqetësuese, e cila po qarkullon gjerësisht në rrjetet sociale dhe media online, thuhet se ka ndodhur më 11 qershor në Guci të Malit të Zi.
Sipas pretendimeve të publikuara, një turist nga Izraeli kishte hyrë në një lokal për të darkuar, ku gjatë bisedës është pyetur për vendin e origjinës. Pasi është përgjigjur se vinte nga Izraeli, ai pretendon se është përballur me refuzim shërbimi dhe i është kërkuar të largohet nga lokali.
Turisti ka deklaruar se është ndjerë i fyer dhe i poshtëruar nga ky trajtim, duke shtuar se pas kësaj përvoje nuk do të rikthehet më në Mal të Zi. Sipas burimeve që kanë shpërndarë rastin, ngjarja është raportuar menjëherë tek autoritetet lokale dhe janë dorëzuar dëshmi lidhur me pretendimin.
Po ashtu, në publikimet që po qarkullojnë thuhet se deri më tani nuk ka pasur reagim zyrtar apo masa konkrete nga institucionet përgjegjëse. Në disa komente dhe vlerësime publike online pretendohet se raste të ngjashme mund të kenë ndodhur edhe më herët.
Nëse këto pretendime rezultojnë të vërteta, bëhet fjalë për një rast serioz diskriminimi, i cili bie ndesh me parimet themelore të të drejtave të njeriut, mikpritjes dhe bashkëjetesës ndërmjet popujve e kulturave të ndryshme.
Mali i Zi është një vend që mbështetet ndjeshëm në turizëm dhe çdo incident i tillë ka potencial të dëmtojë imazhin e vendit në opinionin ndërkombëtar. Për këtë arsye, pritet që institucionet kompetente të sqarojnë rastin dhe të informojnë publikun mbi veprimet e ndërmarra.
Redaksia e portalit Plava e Gucia Sot dënon ashpër çdo formë diskriminimi mbi baza kombëtare, fetare apo etnike. Nëse ky rast ka ndodhur ashtu siç është raportuar, atëherë kemi të bëjmë me një veprim të pahijshëm, cinik dhe të papranueshëm, që cenon vlerat universale të respektit njerëzor dhe mikpritjes për të cilat njihet treva jonë.