Iniciativa për dërgimin e ushtarëve malazezë në Kosovë është ndërprerë

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes, Rashko Konjeviq, konfirmoi se puna e udhëheqësisë së mëparshëme të Ministrisë së Mbrojtjes është përcjellë me raportime të shumta që tregojnë për ekzistimin e veprimeve që kërcënojnë ligjshmërinë e punës së kësaj ministrie. Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes Draginja Vuksanoviq Stankoviq, ai tha se i kushtoi vëmendje të veçantë pretendimit se puna e ish-ministres së Mbrojtjes, Olivera Injac, është shoqëruar me akuza të shumta për sjellje diskriminuese dhe përndjekje të atyre që identifikohen si malazezë , dhe se në disa raste është krijuar përshtypja se për një sjelljeje të tillë janë përdorur dispozitat ligjore.

“Kjo çoi në ndërprerjen e marrëdhënieve të punës së individëve në mënyrë të çuditshme”, theksoi Konjeviq, duke shtuar se Komisioni kompetent i Apelit i anuloi vendimet e tilla si të paligjshme dhe se ai do të urdhërojë përgatitjen e vlerësimeve të reja , pasi nga ato që ishin bazë për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, mund të krijohej përshtypja e një motivi politik.”

Konjeviq po ashtu u ndal edhe te shqyrtimi i vendimeve të marra më parë në lidhje me shkollimin e kadetëve në akademitë prestigjioze ushtarake aleate, vendime që sipas tij kanë mungesa evidente, veçanërisht në aspektin e transparencës dhe profesionalizmit.

Ndërkohë, sa i përket iniciativës nga Shtabi i Përgjithshëm për zgjerimin e pjesëmarrjes së Ushtrisë së Malit të Zi në misionin e KFOR-it në Kosovë duke dërguar një batalion këmbësorie prej 30 pjesëtarësh, kjo nismë nga Ministria e Mbrojtjes nuk u përcoll në Këshillin e Mbrojtjes dhe Sigurisë, ndaj procesi është ndërprerë, sqaroi Konjeviq.