Katër vështrimet e mia

Bagëti e bujqësi


Jam kthyer në Bjeshkët e Nëmura gati para një viti. Aty ku Zana e Visitorit së bashku me Shtojzovallet këndonin, vallëzonin dhe vajtonin. Edhe sot e kam të gdhendur në memorie fytyren e asaj malësores që në vitet 70-të kur isha në shkollen fillore në Guci shiste kos delesh para furrës së Jusit në pikën e dimrit. Akulli ia mbulonte fytyrën e saj të lodhur derisa ajo nga kova e madhe i mbushte tenxheret e “zonjave” të Gucisë. E kam patur kojshi këtë zonjë të vërtetë. Fëmijët e saj ishin në shkollë me mua dhe vëllezërit e motrat e mia. Ajo kishte 8 fëmijë ashtu si edhe nëna ime. Çdo fëmijë i saj ishte në të njëjtën klasë me njërin nga ne. Sikur ta kishin bërë plan prindërit tanë. Nuk i vinte turp të delte në orët e mëngjesit të shiste kos, përkundrazi ishte kryelart. Sot të gjithë fëmijë e saj gjenden jashtë shteti. Gasterbajtera u thoshim atëherë. Ditën e dytë kur u ktheva shkova në burektoren – ëmbëltoren e vetme në Guci dhe porosita një burek me mish dhe një kos. Nuk ishte bureku si e mbaj mend unë te Kupsha Muminoviq me një shije të papërshkrueshme, por ishte mjaft i mirë. Kosi mu duk pak interesant. Ishte në një gotë plastike me vizatimin e një lope të qeshur. Moja Kravica ishte firma. E pyeta shitësin se a ka kos shtëpie? Jo – tha, por ky është kos shumë i mirë. E lexova me vëmendje goten sikur të isha duke lexuar vepren “Bagëti e bujqësi” të Naimit. Produkt i Sërbisë. Kuku per ne thash me vete, imagjino në Gucinë legjendare të shesin kos nga Serbia, sepse nuk ka kos të vendit. E kosi ishte i kualitetit që nënat tona ua qitshin maceve, pulave dhe qenit. Pse nuk ke kos shtëpie? – e pyeta Goranin që me vite është në Guci. S’kam ku ta marr – u përgjigj ai. Medet o medet. Krejt Gucia nuk ka mundësi të prodhojë disa litra kos së paku për nevojat e ushqimoreve. Ku kanë shkuar ato nënat malësore, e besa edhe ato boshnjake që me këngën “o ka po shkon moj rrushja e lalës” mjelshin ato delet bardhoke që na i lanë si trashigim Ilirët dhe Pëllazgët. Unë shkoj në Beran (56 kilometra larg) të blej kos. Tash sa kohë flas me barinjtë dhe bujqit në Guci që të formohet një shoqatë e bujqve dhe blegtorëve se bashkë jemi më të fortë dhe kemi mundësi të trokisim në dyert e Ministrisë së Bujqësisë për ndihma dhe subvensione që na përkasin me ligj. Deri sot nuk kam arritur askund. Ky nuk flet me at tjetrin, ky ia ka inat atij tjetrit, ky kshtu e ai ashtu. Para disa javësh ishim në një mbledhje në Guci ku ishin përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë për buxhetin e ri të vitit 2023. Pyetja që më la përshtypjen më të madhe ishte po nga kjo ministri: A ka kërkuar ndihmë shoqata juaj nga Ministria? Një malësor u përgjigj se ne nuk kemi shoqatë këtu. End of story.

Gjovalin Nikçi

Byrokracia dhe hipokrizia


Të përmendësh byrokracinë në krahinat veriore të Malit të Zi është sikur të diskutoni fizikën bërthamore. Askush nuk mund të përgjigjet ose të shetisin nëpër zyrat e katër qyteve: Gucisë, Plavës, Beranit dhe Podgoricës. Rast konkret është rasti im me kompaninë e Telekomit malazez. Në maj të vitit 2022 kam nënshkruar kontratë 2-vjeçare per telefon, televizor dhe internet. Në muajin dhjetor të gjitha u ndërprenë pa asnjë shpjegim. Për 15 ditë nuk pata asnjë nga shërbimet e lartpërmendura. Për 15 ditë kam telefefonuar numrin famoz të shërbimeve 1500 nga disa herë në ditë. Të gjitha të evidentuara. Sipas kontraktës së nënshkruar unë kisha plotësish të drejtë të anuloj kontratën. Thjesht, apo jo? Shkova në Plavë me krejt mobilet e tyre dhe kërkova të ndërpritet kontrata zyrtarisht. Nuk bën këtu – më tha vajza simpatike me të cilën e pata nënshkruar atë dreq kontrate. Duhet shkuar në Beran. Mirë, i hypa veturës për Beran. Jo, duhet në Podgoricë më thanë. I hypa veturës për Podgoricë. Në rregull – më thanë atje, do e shqyrtojmë kërkesën por pajiset duhet kthyer në Plavë. Më 22 dhjetor më erdhi vendimi se kontrata është anuluar. Shyqyr Zotit! E ktheva pajisjen dhe mora kontratë me Moj One, kompaninë tjeter të Malit të Zi. Hajde prapë në Podgoricë se numri i telefonit duhet kaluar në kompaninë e re. U krye edhe kjo. Në janar 2023 më erdhi fatura nga kompania e parë Telekom. Prapë në Plavë me origjinalin e vendimit se kontrata është anuluar. Duhet shkuar në Beran – më tha prapë simpatikja e Telekomit. Hajde me hajër. I hypa veturës drejt për Beran. Do e analizojmë ku është gabimi më thanë. Erdh shkurti, prapë fatura. Nuk ia vuna mendjen. Më 12 shkurt telefoni nuk punoi. Thirra kompaninë e re dhe më thanë se numri ishte bllokuar nga Telekomi. Si është e mundur kjo? U kini borxh për dy muaj më thanë. Vrap për Beran unë me vendimin e anulimit të kontratës. Moj One më thanë duhet paguar e pastaj ankohu. E pagova. Shkrova ankesë pa përgjigje. Erdh marsi, përsëri fatura. Thashë me vete tash e keni tepruar me të vërtetë. Prapë në Plavë, pastaj Beran dhe në fund Podgoricë. Shkruaj ankesën përsëri – më thanë. Hajde me shtatëqind dreqen. Shkrova ankesën dhe çuditërisht mora përgjigje për dy ditë. Nuk mund ta anulosh kontratën mu përgjigjën. Hajde dreq hajde. Të njëjtit ma kishin dërguar vendimin per anulimin e tash nuk bën. U ankova në Shërbimin për mbrotjen e konsumatorit me datë 17 mars 2023. Ende nuk janë përgjigjur. Mesiguri do të shifemi në gjyq. Hajde edhe nja dy a tre muaj posht e perpjetë. Haj medet.
Në ndonjë numër tjetër do të shkruaj rreth aventurës sime me Agjensinë e Kadastrës dhe zyrat tjera. 4-5 muaj shëtitje poshtë e përpjet e më duket se nuk jam kurrkund.

Cirilica dhe malësorët


Alfabeti dhe shkrimi i parë sllav quhej gllagolica, prej asaj Cirili dhe Metodi nga Selaniku diku rreth viteve 800 të epokës së re krijuan cirilicën. Në shkollën fillore ishte e detyrueshme të mësohet gjuha serbo-kroate dhe cirilica, prandaj edhe unë e flas dhe lexoj. Bjeshkët e Nëmuna ose Prokletije në gjuhën serbo-kroate, tani janë Park Nacional dhe për t’i vizituar ato në disa vende duhet paguar njëfarë tatimi prej një euro për person. Në verë më vizitoi një mik imi nga Italia, profesor dhe doktor i filozofisë. U nisëm për në Grebajë për darkë. Paguam taksën dhe fatura ishte në cirilicë. E pyeta djaloshin pse? Nuk e di – u përgjigj ai. Nga vijnë turistët këtu?- e pyeta. Shumica nga SHBA dhe Evropa Perëndimore – ma ktheu. A dinë të lexojnë cirilicë ata? Jo more burrë, po çka dinë ata. Mora kopjen e faturës dhe shkova te kryetarja e Komunës të ankohem. Ne nuk kemi të bëjmë asgjë me ato fatura, më tha. Parku Nacional është i shtetit e jo yni. Hajde dreq hajde. Shumica e atyre nga shteti as nuk mund ta gjëjnë Gucinë në hartën gjeografike, e ata na kontrollojnë. Nejse. Rrugët në Guci janë katastrofë. Të shkosh te Gërla në Vuthaj, më mirë është të shkosh në shpinë të gomarit se me automjet. E njëjta për në Doli apo Vishnjevë e Kukaj. Pse po flas për rrugë e çka ka lidhje kjo me cirilicë? Para disa javësh shkova në një funeral në Tuz për një mik timin. Ai ishte nga Koja e Kuçit dhe kishte lënë amanet të varroset në vendlindje. Kurrë nuk kam qenë atje. Edhe pse ishte ditë hidhërimi më erdhi mirë që më në fund po shkoj ta vizitoj Kojën legjendare. U habita me kualitetin e rrugës nga Tuzi për atje. Mashalla, mashalla. Kemi për të kaluar nëpër Medun, më tha një bashkatdhetar kur u nisem nga Tuzi. Unë Medunit ia kisha dëgjuar zërin, por nuk e dita se çka po më pret atje. Kur u afrova të gjitha tabelat ishin në cirilicë. Kishte piktura të “patriotit” serb Ratko Mlladiq. Germat famoze në cirilicë CCCC me kryqin serb. Atëherë e kuptova se ky është vendi i Mark Milanit, dhe arsyeja pse rruga është e mirë. Kur dola në Kojë, atje ishte një kishë e vogël simpatike me vorreza pranë saj. Nisa bisedën me një burrë malësor rreth rrugës, cirilicës, Ratko Mlladiqit. E biro – më tha ai, deri në vitet 1950 ata të gjithë kanë folë shqip, e tash janë bërë më çetnikë se çetnikët. Surprizën më të madhe e gjeta mu në vorreza, ku kishte vorreza të shkruara me cirilicë. Thashë me vete a kanë lënë këta kënd mrapa e kur vijnë t’i vizitojnë a dijnë se çka shkrua në ato vorreza, sepse jam i sigurt se askush nga Rusia nuk vjen në Kojë të Kuçit. Ishalla kthen Zoti faqe prej nesh.

A po e pijmë nga një kafe?


Në Guci janë pak a shumë 20 kafene. Të gjitha plot. Punëtorë kurrkund. Një shok imi nga fshati Martinaj më tha më së miri: “Ne na gënjejnë vëllezërit tonë nga Amerika e na çojnë nga dy-treqind dollarë e ne mendojmë se jemi të pasur”. Para disa muajsh kisha prerë disa pemë të vjetra. Edhe pse paga ditore në Guci është përafërsisht 30 euro dita, unë kërkova një punëtor për 4-5 orë me pagesë 40 euro. Nuk e gjeta. E kreva punën vetë. Një djalë kishte rënë në problem me shtetin dhe u desh ta paguajë gjobën rreth 400 euro ose të shkojë në burg. M’i kërkoi duke bërë be se m’i kthen për 1 muaj. I dhash ofertë më të mirë. Eja më ndihmo rreth shtëpisë për 10 ditë dhe e kryer borxhin. Kjo ndodhi në gusht. Nuk e di se ku është, nuk erdhi asnjë ditë e 400 euro shkuan në hamam t’Hyres. Shkoj të pi kafe e më shpesh dëgjoj: “A po mi jep 20 euro për disa ditë se mirë se ta ka pru Zoti n’atdhe?”. Unë edhe tash shkoj të pi kafe, por shkoj në mëngjes heret kur dembelat janë fjetun. Më pyesin shpesh se ku ke humbur. Unë nuk kam humbur aspak, por shkoj te shtëpia e gjyshit e katërgjyshit se më pëlqen, punoj rreth shtëpie, merrem me bletë, me pëmë, me bahçe, se babai im Dedë Zefi më ka pas thëne: “Biro, punët e shpisë nuk kryhen kurrë”, e unë punë rreth shtëpisë kam mjaft, e më e domosdoshme se të shkoj e të pres dikë të më lypë 20 euro, sepse më duket ata mendojnë se unë e kam emrin baba Tereze e jo Gjovalin./ Koha Javore