Komuna e Gucisë vazhdon mbështetjen për fermerët – shpërndahen makineri të vogla në kuadër të projektit GORA

Guci – Mbështetja për zhvillimin e bujqësisë në Komunën e Gucisë po vazhdon përmes projektit GORA, në kuadër të të cilit është realizuar me sukses shpërndarja e makinerive të vogla bujqësore për përfituesit nga territori i komunës.

Ky aktivitet përbën një tjetër hap konkret në forcimin e kapaciteteve të fermave lokale dhe në nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm rural. Përmes kësaj mbështetjeje, fermerëve u krijohen mundësi më të mira për të lehtësuar punët e përditshme, për të rritur efikasitetin e punës dhe për të përmirësuar prodhimin bujqësor.

Projekti GORA vazhdon të jetë një ndër programet më të rëndësishme në mbështetje të komunitetit rural, duke kontribuar në fuqizimin ekonomik të familjeve bujqësore dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës së banorëve të Komunës së Gucisë.

Nga Zyra e Bujqësisë bëhet e ditur se mbështetja nuk përfundon me këtë fazë. Dy prodhues të tjerë bujqësorë do të përfitojnë së shpejti nga projekti GORA: njëri do të pajiset me makineri të vogla bujqësore, ndërsa tjetrit do t’i sigurohet një mëshqerrë riprodhuese, si pjesë e masave për zhvillimin dhe zgjerimin e prodhimit blegtoral.

Institucionet komunale theksojnë se investimet në bujqësi mbeten një ndër prioritetet kryesore, me synimin që fermerëve t’u ofrohet mbështetje e vazhdueshme dhe të krijohen kushte sa më të mira për zhvillimin e ekonomive familjare dhe të sektorit bujqësor në përgjithësi.

Burimi: Zyra e Bujqësisë, Komuna e Gucisë.