Kur humanizmi bëhet histori: Zymer Sinanaj nderohet nga Presidentja Osmani

Sot, me një krenari të veçantë, familja dhe komuniteti i Plavës e Gucisë njofton se aktivisti dhe bashkëvendasi ynë i dalluar, Zymer Sinanaj, është dekoruar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, për kontributin e tij human dhe shoqëror. Lajmi u bë i ditur nga djali i tij, Driton Sinanaj.

Në një mesazh në rrjetin social në facebook , Dritoni shprehu:

“Sot ndjej një krenari të veçantë si djalë, jo vetëm për këtë shpërblim të babait tim, por për vlerat njerëzore që ai përfaqëson. Mirënjohja që ka marrë për kontributin e tij në strehimin e të përndjekurve nuk është thjeshtë një vlerësim për një gjest fisnik, por për faktin se ai ka zgjedhur humanizmin edhe në momentet më të vështira.”

Ai kujtoi se në kohë të vështira, kur frika dhe pasiguria dominonin, babai i tij, së bashku me shumë qytetarë të Plavës dhe Gucisë, zgjodhi të hapë derën dhe zemrën për njerëz në nevojë, pa pyetur për prejardhjen, besimin apo statusin e tyre.

Familja Sinanaj shpreh falënderime të veçanta:

  • Presidentes Dr. Vjosa Osmani, për nderimin e kontributeve njerëzore që nuk duhen harruar kurrë.
  • Bajram Gecaj, Gazmend Muhaxheri, Beke Osmonaj dhe Ismet Tolaj, për përkushtimin që kontributi dhe bujaria e Plavë-Gucisë të mos humbin në harresë.

Krenarinë e ndajnë Dritoni, vajzat Tina, Vlora dhe Valbona, së bashku me nipat dhe mbesat, si dhe bashkëshortja Manja, duke theksuar se vlerësimi nderon jo vetëm babain, por edhe familjen dhe vlerat që ajo përfaqëson.

“Ajo që na bën njerëz është mënyra si kujdesemi për njëri-tjetrin,” përfundon mesazhi i familjes.