–Unë dhe mijëra votues të pavarur do të mbështesim vetëm ata liderë që interesat shtetërore dhe kombëtare i vendosin para ambicieve personale.
E nderuara Presidente e preferuar, Vjosa Osmani!
Së bashku me Kryeministrin e preferuar, Albin Kurti, erdhët në jetën e Kosovës dhe të mbarë kombit shqiptar si hëna natën dhe dielli ditën, që e ndriçojnë tokën pas kthjellimit të qiellit të mbushur me re të zeza.
Populli shumicë ju priti me duar hapur, si politikanë të edukuar e të aftë, si liderë të shpresës dhe ndryshimit. Dhe ju e bëtë ndryshimin, i ngjallët shpresat dhe e shpëtuat Kosovën pak para shkatërrimit.
Vendimet dhe veprimet e Kryeministrit Kurti ishin shumë të vështira, por të mençura, të guximshme, strategjike dhe jetike për Kosovën në ballafaqim me agresorin hegjemonist serb dhe me diplomatët e padrejtë, interesaxhinj e disa prej tyre të korruptuar ndërkombëtarë.
Rezultat i këtyre veprimeve ishte çmontimi i strukturave ilegale serbe, zhdukja e barrikadave dhe bandave serbe, si dhe çlirimi definitiv i Veriut të Kosovës. Shkurt, Kryeministri Kurti e bëri Kosovën shtet sovran, cep më cep.
Ishe ti, e nderuara Presidente, që në mënyrë tejet profesionale, me dinjitet dhe aftësi të jashtëzakonshme, i paraqite dhe i mbrojte arritjet e Qeverisë Kurti për Kosovën në të gjitha nivelet ndërkombëtare.
Ishit ju të dy bashkë që na bëtë krenarë për pesë vite, aq sa na morën lakmi edhe popujt e shteteve fqinje. Madje, edhe shokë të mi të studimeve nga Kroacia më telefononin për të shprehur admirimin e tyre. Besuam se ju ishit politikanë ndryshe nga të tjerët, të aftë dhe të pakompromis në ndërtimin e shtetit.
Sukseset tuaja ndikuan që të dështojnë planet e regjimit serb në krye me urrejtësin e shqiptarëve, Aleksandar Vuçiq, kryeministrin pro-serb të Shqipërisë, Edi Rama, diplomatët ndërkombëtarë të korruptuar nga Serbia, disa krerë të lajthitur të opozitës së Kosovës dhe gazetarë të shitur, për ndarjen e Kosovës.
Ata nuk pushuan ditë e natë së punuari për t’ju përçarë dhe më në fund ia arritën qëllimit. Meritat kryesore për këtë i takojnë Edi Ramës. Por edhe ju të dy keni faj që e lejuat këtë, pa marrë parasysh se kush ishte fajtori më i madh, i cili po kuptohet.
Dëshiruam me gjithë zemër që ta vazhdonit punën historike për Kosovën së paku edhe për një mandat, por shpresat tona u shuan brenda natës. Ndodhi ndarja mes jush në mënyrën më të keqe të mundshme. Unë dhe mijëra shqiptarë të tjerë patriotë e të pavarur mbetëm të zhgënjyer dhe të shokuar për javë të tëra. Ishte një gjë e pabesueshme.
Por jeta vazhdon edhe pas ndarjeve të vështira. Politikanët dhe liderët vijnë e shkojnë; askush nuk është i pazëvendësueshëm. Më e rëndësishmja është Kosova, shteti ynë i shtrenjtë, i larë me gjakun e heronjve.
Z. Kurti asnjëherë nuk foli keq për Presidenten me të cilën bashkëpunoi për pesë vite, përveç kritikave parimore, bazuar në bindjet e veta. Pretendohet se ai mund t’i ketë nxitur të tjerët, por kjo duket e pabesueshme, sepse ai vetë ishte dhe është objekt i sulmeve më të ulëta. Mund të pritej që ai, në mënyrë publike, t’i dënonte linçimet e të tjerëve ndaj teje, por as ti, znj. Osmani, nuk i ke dënuar linçimet ndaj tij.
E vërteta është se diskursi politik në Kosovë ka rënë në nivelin më të ulët. Shpifjet, sharjet, fyerjet, etiketimet dhe gënjeshtrat e pafundme nga të gjitha anët janë bërë të neveritshme. Sidomos të poshtra dhe të dënueshme janë ato që bëhen kundër një Presidenteje dhe një Kryeministri të vendit, sepse ato janë sulme edhe ndaj shtetit. Kush nuk e respekton shtetin, e turpëron veten dhe e rrezikon familjen e vet.
Bashkëngjitja jote me LDK-në, edhe pse duket shumë artificiale dhe e motivuar nga interesa personale, ka krijuar një moment të ri në jetën politike të Kosovës. Erdhi koha, të cilën kurrë nuk e dëshiruam, që të vendosim cilin prej jush ta mbështesim dhe cilit prej jush t’ia besojmë Kosovën tonë të dashur. Nuk është gjë e lehtë, por me kalimin e kohës gjërat po kthjellohen.
Me keqardhje më duhet të them se, prej momentit të shpërndarjes së ngutshme të Parlamentit e deri sot, shumë nga paraqitjet tua publike kanë qenë të pamatura, joprofesionale dhe të dëmshme për Kosovën.
Si mund të hidhet baltë mbi arritjet e jashtëzakonshme, të cilat deri dje ishin të përbashkëta, pa pikë kontrolli dhe pa pikë nevoje? Si mund të bëhen publike mospajtimet normale dhe sekretet shtetërore gjatë qeverisjes?
Përpjekjet për t’i përvetësuar të gjitha të mirat dhe për t’ia mveshur Albinit të gjitha të këqijat nuk i ha populli. Deklaratat si “qiraja e Bondsteel-it”, “pengimi i njohjeve”, “luajtja bixhoz me shtetin”, “prishja me aleatët”, “rikthimi i shtetit”, si dhe kërcënimi i votuesve me “bllokim të shtetit”, janë të panevojshme, të gabuara dhe shumë të dyshimta.
Bazuar në të gjitha këto vlerësime, vota për ty me LDK-në e zotit Abdixhiku bëhet e vështirë, ndërsa vota për Kryeministrin Kurti e lehtë. Por edhe sikur të mos ekzistonin këto gabime të njëpasnjëshme, do të mjaftonte vetëm fakti se ndërtimi i shtetit është më i rëndësishëm sesa përfaqësimi. Kosova në këtë moment bën pa ty, ndërsa nuk bën pa Kryeministrin Kurti.
Paraqitjet ndërkombëtare, njohjet e fundit të shtetit të Kosovës dhe takimi me presidentin amerikan në Bordin e Paqës ishin arritje të mëdha. Por shtrohet pyetja: nëse z. Trump do të kërkonte që të bëhej Asociacioni i komunave me shumicë serbe pa kushte, apo madje t’i jepeshin Serbisë pjesë të territorit të Kosovës, kush do të ishte ai ose ajo që do ta refuzonte? Përgjigja dihet!
Amerikës dhe as Kosovës nuk u duhen servilët që presin nga Amerika të bëjë punët e tyre. Interesi amerikan është për një Kosovë me liderë të fortë, të sinqertë dhe të pakorruptuar; një Kosovë të zhvilluar, demokratike dhe sovrane cep më cep, që i mbështet aksionet amerikane në Evropë dhe kudo në botë. Këto vlera, në këtë moment, i përfaqëson më së miri Kryeministri Albin Kurti.
Fotot e Presidentit legjendar Ibrahim Rugova dhe përmendja e emrit të tij gjatë fushatës zgjedhore nuk mjaftojnë për të siguruar votat e shumicës së popullit, së paku jo në zgjedhjet e 7 qershorit. Populli e ka shprehur vullnetin për z. Kurti edhe për një mandat. Votimi për LDK-në dhe për partitë e tjera, PDK-në dhe AAK-në, në këto zgjedhje nuk ka kuptim.
Krijimi i një blloku të djathtë rreth LDK-së, bazuar në parimet e vërteta rugoviste, i cili do të ishte në gjendje të konkurronte me LVV-në në zgjedhjet e rregullta pas këtij mandati, do të ishte shumë i vlefshëm për zhvillimin e demokracisë në Kosovë. Kosova dhe z. Albin Kurti kanë nevojë për një opozitë të mirëfilltë dhe konstruktive.
Një presidente e djathtë dhe parimore, në këtë drejtim, do të ishte e mirëseardhur. Por përmbajtja nga retorika negative për të kaluarën dhe paraqitja e vizionit të vërtetë rugovist për të ardhmen janë qenësore. Kjo nuk mund të bëhet me një kandidat për kryeministër përçarës dhe të kapur nga oligarkët, si z. Abdixhiku.
Kjo është e vetmja mënyrë për të pasur sukses në jetën politike të Kosovës. Nuk është e mirë humbja e një kuadri me kualifikime superiore në përfaqësimin e shtetit, të nivelit tënd, znj. Osmani. Kosova ka nevojë për kuadro të afta si ti, por me qasje pozitive ndaj politikës vendore.
Mbetet të shpresojmë se do ta gjesh forcën për të reflektuar dhe për të ndryshuar veten, por edhe një pjesë të opozitës. Sa më larg Ramave dhe Grenellëve e sa më afër popullit të Kosovës, aq më mirë për ty dhe për shtetin. Ata janë mashtrues të përkohshëm, vijnë e shkojnë si era; vetëm populli i Kosovës është i përhershëm.
Zgjedhjet e panevojshme, të lodhshme dhe të kushtueshme të 7 qershorit u shkaktuan ekskluzivisht nga LDK-ja dhe opozita, të cilëve iu bashkove dhe u bëre si ata, znj. Osmani. Ata u mashtruan keq kur menduan se ndarja e jote nga Kurti do ti zvoglonte shumë votat për te. Prandaj, të gjithë bashkë do të ballafaqoheni me ndëshkimin e popullit. Dhe, nëse vazhdoni me bojkote dhe bllokada, do të përfundoni në murin e turpit të historisë kombëtare.
Unë dhe mijëra votues të pavarur do të mbështesim vetëm ata liderë që punojnë mirë për Kosovën tonë të shtrenjtë e të shumëvuajtur, vetëm ata që interesat shtetërore dhe kombëtare i vendosin para interesave dhe ambicieve personale. Ne nuk do të lejojmë askënd “të luajë bixhoz” me votën tonë demokratike.
Me shumë respekt,
Agim Aliçkaj