Ndahet nga jeta në moshën 72- vjeçare aktivisti i shquar i komunitetit shqiptaro-amerikan, Ded Kol Miri (Dedvukaj)

Me dhimbje të thellë njoftohet ndarja nga jeta, në moshën 82-vjeçare, e Ded Kol Mirit (Dedvukaj) – aktivist i dalluar i komunitetit shqiptaro-amerikan, burrë fisnik dhe patriot i devotshëm i Malësisë së Madhe dhe mbarë shqiptarisë.

Ded Kol Miri ishte i njohur si një ndër zërat dhe organizatorët më të palodhur të komunitetit, i cili për dekada të tëra dha kontribut të jashtëzakonshëm në ruajtjen e identitetit, kulturës dhe gjuhës shqipe, si dhe në mbështetjen e kauzës kombëtare. Angazhimi i tij në aktivitetet kulturore, historike dhe kombëtare, sidomos në New York, e bëri një figurë të dashur dhe të respektuar nga të gjithë.

Me përkushtim të pashoq, ai qëndroi gjithnjë në krah të aktiviteteve që ruajnë kujtesën historike dhe nderojnë figurat e kombit. Për këtë veprimtari, ai është vlerësuar me mirënjohje të shumta nga shoqata dhe organizata kulturore në diasporë dhe në trojet shqiptare.

Pacë tokën e lehtë të vendlindjes në Traboin të Hotit, o Kreshnik e Fisnik i Malësisë dhe i Shqiptarisë. Komunitetit shqiptaro-amerikan në New York, dhe më gjerë, do t’i mungojë shumë prania, fjala dhe veprimtaria jote.

Ngushëllimet më të sinqerta u shkojnë të afërmve, familjarëve, miqve dhe gjithë fisit të nderuar Dedvukaj, kudo në botën shqiptare. Kujtimi për Ded Kol Miri (Dedvukaj) dhe veprimtaria e tij e paharruar do të mbeten të përjetshme.

Ngushëllime nga Portali “Plava e Gucia Sot”

Redaksia e Portalit “Plava e Gucia Sot” i shpreh ngushëllimet më të thella familjes Dedvukaj, të afërmve, miqve dhe gjithë komunitetit shqiptaro-amerikan për humbjen e këtij burri të madh të kombit.

Ded Kol Miri do të kujtohet si shembull i gjallë i përkushtimit, fisnikërisë dhe dashurisë për shqiptarët e për Shqipërinë. Veprimtaria e tij mbetet frymëzim për brezat që vijnë.

I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!