PASARDHËS TË DENJË-Veprimtaria kombëtare e pesë djemëve të heroit kombëtar Jakup Ferri

Plava e Gucia trime, një nga pikat kyçe ku përqëndroheshin lakmitë e shovinistëve fqinjë, sidomos të shovinistëve malazez, do të jetë edhe në të ardhmen një pikë e rëndësishme nevralgjike. Ky mjedis heroik ku lindi dhe ra Jakup Ferri, edhe në vitet e ardhme do të jetë një trevë luftarake. Atje do të dalin burra të tjerë të shquar që do tc vazhdojnë veprën e Jakup Ferrit. Një ndër ta do të jetë edhe biri i kryetrimit të madh, Hasan Ferri, si dhe gjithë vëllezërit e nipërit e tij. Hasani, i biri i Jakup Ferrit, u lind më 15 maj të vitit 1860 në Plavë. Si 15 vjeçar mori pjesë në betejën e Nokshiqit. Pas vrasjes së Jakup Ferrit, Ali Gucia e përkrahu Hasin e vogël. Mjedisi epik, ngjarjet e rëndësishme të gjysmës së dytë të shekullit XIX lanë gjurmë të pashlyeshme në ndërgjegjen e djaloshit Hasan Ferri, i cili qysh në moshë të re nisi të dallohej për veprimtari patriotike dhe për vetëdijë të lartë kombëtare. Pjesëmarrës aktiv përkrah të atit në betejën për mbrojtjen e Plavës e të Gucisë, ai mobilizoi, organizoi dhe udhëhoqi më pas me trimëri e guxim popullin e Plavës kundër pushtuesve osmanë gjer më 1912, dhe kundër shovinistëve të tërbuar serbo-malazez.

Hasan Ferri – Hasi i Jakupit

Hasan Ferri – Hasi i Jakupit

Provokacionet e malazezëve në kufi rifilluan përsëri në vitin 1890, të përcjella me vjedhje, djegje, vrasje.Bandat malazeze sulmonin katundet pranë vijës së kufirit. Por, shqiptarët duke mos dashur asgjë t’i lënë fatit, nën organizimin e Hasan Ferrit, djalit të Jakup Ferrit u përgatiten për vetëmbrojtje. Malazezët sidomos intensifikuan sulmet në vitet 1890-1891, duke sulmuar edhe forcat e garnizonit. Një bandë malazeze sulmoi dhe e dogji karakollin e Qafës së Previsë mbi Guci, duke vrarë paraprakisht 10 ushtarë e oficerin e tyre e tre civilë shqiptarë, kurse një bandë tjetër malazeze sulmoi karakollin në Gërnçar, ku vranë 8 ushtarë e një oficer. Në këtë situatë Hasan Ferri thirri një mbledhje me krerët e bajraktarë të kazasë së Plavës, ku u vendos për krijimin e detashmantit shqiptar të vetëmbrojtjes. Ai rekrutoi 600 burra nga 600 shtëpi të Plavës e të Gucisë dhe menjëherë i caktoi nëpër kufinj.Inicijativa për rekrutimin u bë pa marrëveshje me komandën e garnizonit turk e me kajmekanin Zija beg Gjakova. Por garnizoni dhe kajmekami e toleruan këtë veprim, por vetëm në vetëmbojtje të brezit kufitar. Malazezët protestuan për këtë paraqitje të rojeve shqiptare në kufi.

Hasan Ferri (apo siç quhej në popull Hasi i Ferrit), gjatë vitit 1891 ngriti zërin disa herë kundër lëvizjes së kufirit në Qafë të Çakorrit, kundër vendimit për t’i dhënë Malit të Zi –“një copë tokë shqiptare për të ndërtuar një vendrojë”. Vazhdimisht Mali i Zi bënte provokacione në kufi dhe gjithnjë kërkonte “tokë për të ndërtuar vendrojë”, gjë që autoritetet osmane e miratonin.

 

 

Medmed-Medi Ferri

Më 1892 Hasan Ferri hodhi kushtrimin në Plavë që çdo burrë e grua, çdo plak, plakë e çdo fëmijë, të merrte me vete nga një dërrasë e nga një gur e të hipte në Qafë të Çakorrit. Brenda një nate atje u ndërtua një shtëpi dhe mëngjesi u gdhi me roje te dera. Kjo kullë, që më vonë u quajt “Kulla e Hasan Ferrit”, ishte si pikëvrojtim për plavjanët dhe përcaktonte kufirin në mes të shqiptarëve e malazezve. Vetë Hasani tha në atë kohë se vullneti i popullit bën mrekullira:

 

Hasan Ferri duel te sheshi,

armt e babës shpejt i ngjeshi

dikush gurin, dikush tullën,

n’majet malit bani kullën

me ruejt Plavë, me ruejt Guci,

mos t’na shkeli Mali i Zi.

 

Në majin e vitit 1903, Shemsi Pasha ishte nisur në krye të një komisioni, për të bërë disa ndryshime në kufirin malazezo-shqiptar. Hasi nuk deshi t’i nënshtrohej këtij urdhëri- e ngriti kushtrimin në Plavë e Guci, u mblodhen me shpejtësi turmat e vullnetarëve për të fortifikuar kufirin- u ndërtuan dy kulla të forta në në dy vende- Shejtan Tepe dhe në Qafën e Çakorrit ku u vendosen roje civile vullnetarësh shqiptarë. Shemsi Pasha i shoqëruar nga Xhafer Tajari, mytesarif i Pejës me dy tabore ushtrie u nis për në kufi për të zbatuar urdhërin. Shemsi Pasha e Xhafer Tajari nuk guxuan të konfrontoheshin me forcën e shqiptarëve të armatosur, duke u kthyer pa kryer punë në Pejë. Xhafer Tajari e kishte marrë mëni Hasin, meqë edhe e konsideronte si njëri nga një shtresë më e ultë dhe meqë Hasi kishte shumë autoritet dhe influencë në popull. As bejlerët e Plavës nuk e shikonin me aq admirim ngritjen e Hasit. Për të forcuar pozitën e vet në Plavë e Guci, Xhafer Tajari shkarkoi kadiun Mulla Jahën, mik i Hasit. Kajmekam në Guci e emëroi jusbashin Fejzi beg Rexhepagajn, një njëri pa vlerë, servil, fodull. Por në qershor të vitit 1904 një kushëri i Hasit (pa pëlqimin e Hasit) ia dha për grua vajzën Fejzo begut, i cili, familjen Ferri, e kishte fyer edhe gjatë dasmës. Pas disa ditësh Fejzo begu u vra për shkak të këtyre fyerjeve. Sapo mori vesh këtë vrasje Xhafer Tajari, sundimtar i Pejës, e rrethoi Plavën me tre tabore ushtarësh, me artileri, duke qëlluar kullat e Ferrajve.

Omer Ferri

 

Me qindra luftëtarë nga Malësia e Tropojës e nga Rrafshi i Dukagjinit, vrapuan në ndihmë të Hasit. Patrioti Hasan Ferri çau rrethimin dhe doli prej andej me gjithë familjen e të vëllëzërit dhe me 30 shokë malësorë.Gjatë kësaj përleshjeje u vranë 30 veta nga forcat turke.Për guximin, trimërinë dhe aftësinë organizuese të Hasasn ferrit, populli këndon”

 

“Po pvet pasha i osmanllisë

Ku i ka kullat Hasi Haxhisë,

Që tri ditë e qe tri net

Topi zitit(murit) po ia qet!

Hasani u nis për në Kosovë -me 12 veta të vëllazërisë dhe me 39 shokë malësorë kaloi në arrati. Për 6 muaj qëndroi në Rrafshin e Dukagjinit, përreth Deçanit dhe nëpër bjeshkët e Plavës. Në pllajën e Dobërdolit ai u takua me Isa Boletinin.Në këtë kohë të dyja familjet u lidhen mes tyre me një krushqi. Hasi i dha të bijën, Shefkijen për Halilin, të birin e Isait.Kjo ndodhi në gusht të vitit 1904.Që nga ajo kohë u farkëtua edhe një miqësi shumë e ngushtë midis familjes Ferri dhe familjes Boletini Pas 6 muajsh u amnistua nga qeveria, u kthye në Plavë dhe rindërtoi kullat e djegura.

 

 

Agan Ferri

Në maj të vitit 1895, valiu i Shkupit, Hafëz pasha, një antishqiptar i tërbuar që përdorte çdo mjet për ta shkombëtarizuar elementin shqiptar, urdhëroi bimbashin Mehmet Efendi Qyrdin të sulmonte në Plavë Hasan Ferrin, i cili kishte rënë në konflikt me zyrtarët osmanë për shkak të lëshimeve që u bënin ata shovinistëve malazez. Hasan Ferri thirri të besëlidhurit, ndër të cilët Isa Boletinin në krye të katër vëllezërve të tij e të disa trimave të tjerë kosovarë dhe i priti me pushkë taborët osmane të Hafëz pashës, të cilët u thyen.

Një herë, me rastin e një incidenti kufitar, filoturku Hasan pasha i tha Hasan Ferrit: «Për një pëllëmbë tokë nuk duhet t’i nxirrni telashe padishahut, që zoti ia zgjattë jetën, se ka mjaftë toka të gjëra në mbretërinë e tij». Atëherë Hasan Ferri iu përgjigj: «Zoti ja shkurtoftë jetën! Sulltani le t’ia japë tokat e veta kujt të dojë, por jo tokat tona! Se na thirrena shqiptarë.”

Misionin për të lëvizur përsëri vijën kufitare në favor të malazezve, e mori përsipër renegati shqiptar Shemsi pasha, i cili me dy taborë, në vitin 1898, u nis për në Plavë. Qëllimi i tij ishte që tc lëvizte atje piramidat. Hasi i Ferrit me forcat e Plavës e të Gucisë, të ndihmuar edhe nga Rugova, e forcoi vijën kufitare Jeçmishtë — Çakorr.\

Atëherë Shemsi pasha kërkoi të bënte bisedime me Hasan Ferrin. Gjatë bisedimeve, trimi plavjan nuk u tund. Shemsi pasha i tha: «Do të bahesh pishman sepse sulltani ka me u idhnue» Hasan Ferri aty për aty ia ktheu: -«Po u idhnue sulltani, le të pijë ujë! Asnjë pëllambë tokë nuk ia lshojmë Cernogorës, as knjaz Nikollës. Për këtë tokë kanë luftue dhe i kanë lanë eshtnat ktu baballarët tanë. Nuk e lshojmë kurrë pa u zhbi na me gra e thmi, po kthehu mbrapsht se përndryshe po i jap emën popullit që të fillojë pushka e po qes kushtrimin në Rekë e Malsi”.

 

 

Emin Ferri

 

Shemsi pasha uli kokën e u kthye i turpëruar në Pejë.

Hasan Ferri tani në aktivitet të plotë, merr pjesë gjallërisht në të gjitha lëvizjet në Kosovë e në të gjithja tubimet si i deleguar i Plavës. Se Plava nga vet pozita e saj, si rrugë drejt Malësive të Veriut dhe Kosovës përbënte një pikë nyje për synimet shoviniste serbo-malazeze.

Pas triumfit të Revolucionit Xhonturk, lëvizja jonë kombëtare bëri hapa të rëndësishëm përpara. Shpirti luftarak i masave popullore konkretizon tani shpresat për një fitore të afërme.Filluan kryengritjet njëra pas tjetrës sepse, sikurse thotë kënga popullore:

 

Kush asht shqiptar nuk do hyrjet,

Lidhim bes si e kem adet,

Me fitu ose me dek!se

Për pa m’gri, për pa m’coptue,

Kto bidate nuk i due se

 Jem shqiptar qysh prej fetit

S’ kondisim ktih hurjetit.

Ekspeditat ndëshkimore osmane të Xhavit pashës e Dërgut pashës, dogjën, shkatërruan e vranë por nuk e nënshtruan popullin tonë, as nuk e përkulën shpirtin e tij luftarak dhe frymën patriotike.

Plava e Gucia u bënë çerdhe e kryengritësve kosovarë, zonë e tërheqjes, por edhe zonë prej nga niseshin ata për të shpërthyer lëvizje të reja në Kosovë. Plava tërhiqte, si dhe Kosova, vazhdimisht ekspeditat ndëshkimore osmane.

Edhe në Plavë pashallarët turq dogjën e vranë dhe u munduan më kot të çarmatosnin Hasan Ferrin:

 

Dërgut pasha n’gjog t’bardh

Has Jakupit po i çon fjal’:

“Qat manzerre me ma fal’.»

«Qat manzerre s’muj me dhan,

tridhet lira m’i ka bam.

Kudo zhvillohen luftime të rrepta dhe shkruhen faqe të lavdishme të historisë shqiptare. Pashai turk ikën nga sytë këmbët dhe detyrohet të njoftojë Stambollin për dështimin e tij të turp shëm:

Tel te mreti paska çue,

nuk po muj Shqipninë me shtrue,se:

s’mun e shkela kët Shqipni,

s’mun e shkela kët soj robi,

s’po m’druen pushkën,

s’po m’druen topin,

Gjuej me top, gjylen ma kap,

mitrolazit m’i thot turraç (turtull).

Për vetë kushtet dhe rrethanat që po kalonte vendi ynë, në vitin 1910 patriotët Hasan Ferri, Isa Boletini e Bajram Daklani emigruan në Mal të Zi, ku ishin grumbulluar patriotë të tjerë shqiptarë. Isai dhe Hasani rrinin kudo bashkë, bile banonin bashkë në një hotel.

Në Mal të Zi ata hynë në lidhje me shumë personalitete përparimtare qoftë shqiptare, qoftë të huaja.

Një herë ata i thirri në pritje edhe knjaz Nikolla. Bashkë me Isa Boletinin në këtë pritje mori pjesë edhe Hasani. Pas takimit, knjazi i ftoi që të bënin një vizitë në muzeun e pallatit. Në mes të objekteve të shumta knjazi u tregoi Hasanit dhe shokëve të tij edhe jataganin e Jukup Ferrit.

Në mes të Hasanit dhe knjazit u zhvillua ky dialog:

Knjaz Nikolla: Ky është jatagani i Jakup Ferrit, i babait tënd. E doni, se po jua shes.

Hasan Ferri: Jo, nuk mund ta blej, se nuk kam shumë pare.

Knjaz Nikolla: Nuk po jua lë shtrenjtë. Do ta blini fare lirë.

Hasan Ferri: Nuk ke sesi të ma shesësh lirë, sepse shtrenjtë të ka kushtue: rreth 3000 njerëz prej saj kanë mbetur në Nokshiq dhe në lumin e Limit.[10]

Knjazi heshti i turpëruar.

 

Presidenti i Shqipërisë Sali Berisha e kishte dekoruar Jakup Ferrin

 

Pas kryengritjes së Kosovës 1909-1910, Krahina e Plavës dhe e Gucisë u mbush me vullnetarë për mbrojtjen dhe strehimin e kryengritësve. Në vitin 1892 malazezët provokuan një karvan dasmorësh, që sillnin një nuse – kur mbeten të vrarë disa dasmorë, kurse të tjerët, së bashku me nusen u kthyen prapa. Hasan Ferri dërgoi forcat e vetëmbrojtjes në ndjekjën e bandës malazeze. Në fushën Suqanska, malazezët u shpartalluan, duke lënë disa të vrarë. Knjaz Nikolla u ankua pranë Portës së Lartë kundër Hasan Ferrin. Vitet vijuese bandat malazeze shtonin provokimet, duke shqetësuar vazhdimisht këtë Krahinë. Në këto vite vazhdoi përforcimi i lidhjeve me viset tjera shqiptare, sidomos me Rrafshin e Dukagjinit. Në këto vite gjithnjë e më shumë shquhej roli i Hasan Ferrit në strehimin e mbrojtjen e kryengritësve nga Kosova, në dimrin e vitit 1909-1910, bërthama e kryengritësve u shpërnda në tërë Krahinën deri në Çerem të Valbonës, duke shpëtuar nga ndjekja e njësive operative osmane. Krahina u dha përkrahje të madhe kryengritësve. Krahina u fut në gjendje shtetrrethimi gjashtëmujor nga forcat osmane.

 

Hasan Ferri po ashtu ishte dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë

 

Në vitin 1911 nga masat ndëshkuese të Dërgut Pashës u dëmtua rëndë popullsia e Kosovës, e Shkodrës, por populli nuk u gjunjëzua. Përkundër përpjekjeve të xhonturqve ishte e pashmangshme rënia e Perandorisë. Këtë rënie të Perandorisë e shfrytëzuan shtetet ballkanike, të ndihmuara nga disa fuqi të mëdha evropiane, sidomos nga Rusia. Porta nuk u treguan realiste ta kuptonte këtë rrezik, duke shpresuar se do të arrijë ta mbajnë atë në këmbë. Xhonturqit vazhdonin me shtypjen e kombeve të nënshtruara. Sulltan Mehmet Reshati i Pestë, vizitoi Kosovën (Tyrben e Sulltan Muratit). Kosova e priti dhe përcolli ftohtë sulltanin. Ai kishte sjellë me vete bakshishe, 10 kuaj–atllarë arabë, disa duzina tespijesh prej qelibari, shumë dekorata dhe një sasi monedhash ari destinuar për joshjen e krerëve shqiptarë. Me këtë rast Hasan Ferri ishte ankuar për çarmatimin e shqiptarëve nga pasha i Krahinës dhe rrezikun nga karadakët. Lufta që po afrohej e gjente Shqipërinë të rrënuar ekonomikisht, pa kufinj të përcaktuar, të çarmatosur të paaftë për rezistencë. Vendet: Serbia, Mali i Zi, Bullgaria, Greqia po përgatiteshin për luftë kundër Portës dhe për ndarjen e plaçkës së luftës- trashëgiminë e saj në Gadishullin Ballkanik, për asgjësimin e Shqipërisë, ndarjen e Shqipërisë si plaçkë lufte.

Gjendja e kryengritësve shqiptarë të Malësisë së madhe ishte e vështirë nga uria e sëmundjet. Mali i Zi ua shkurtoi qëndrimin-strehimin në Mal të Zi, kur nuk arriti t’i përdorë për vete.Shumica e lëshoi Malin e Zi, disa u dorëzuan të autoritetet osmane..Hasan Ferri u kthye në Plavë e Guci. Hasi ishte udhëheqës i Krahinës-dukej gjetur përgjigje dhe zgjidhje për sfidat e pyetjet- të ishte mbi situatën. Një ditë pazari Hasi mbledhi parinë e Krahinës dhe popullin, ku mori pjesë edhe komandanti i garnizonit osman të kufirit, bimbashi Fejzi Bej. Hasan Ferri kërkoi armët që ua kishte marrë Durgut Pasha, për ta përforcuar hudutin me Malin e Zi në këto ditë, duke kërkuar shtimin e numrit prej 6oo burrave me burra të tjerë të kësaj Krahine, por edhe të Rafshit të Dukagjinit e të Malësive, meqë se shpejti do të ketë luftë me Malin e Zi, i cili po përgatitej dhe po mobilizohej për luftë. Nga mesi i muajt korrik Shqipëria ishte në këmbë me armë. Qeveria xhonturke, nga paaftësia kishte dhënë dorëheqje. Qeverria e re, e formuar nga kundërshtarët e xhonturqve nën drejtimin e Ahmet Myhtar pashës, nuk pati rrugë tjetër pos të ulte tensionin me shqiptarët. Popullsia e Plavës dhe e Gucisë shtoi protestat kundër dhunës që kishte ushtruar Durgut Pasha, duke kërkuar kthimin e armëve të mbledhura. Hasan Ferri shkoi në Prishtinë dhe valiut ia paraqiti ”arzuhallet (kërkesat) e miletit”, por nuk pati përgjigje nga valiu. Hasan Ferri iu drejtua komandës së lartë të armatës osmane në Kosovë e Maqedoni dhe kërkoi armë.Kërkesa u refuzua me arsyetimin se “hudutin e ruan asqeri i Dovletit dhe nuk nevojiten ndihma e bashibuzukëve shqiptarë”.

Hasan Ferri qe pjesëmarrës aktiv edhe në Besëlidhjen e Junikut (21-25 maj 1912) si përfaqësues i Plavës dhe i Gucisë. Qëllimi kryesor i kësaj besëlidhjeje ishte bashkimi i të gjitha forcave për krycngritjen e përgjithshme me një qcndër drejtuese e me një program të përcaktuar; po kështu edhe bashkimi i katër vilajetevc: Shkup. Shkodër Manastir, Janinë.

Në sajë të punës së Hasan Prishtinës edhe të shokëve të tij, u arrit më në fund që të bashkoheshin forcat.

Pas mbledhjes së Junikut, lufta çlirimtare mori vrull të madh dhe u zllvilluan beteja pas betejash kundër trupave osmane. Të gjitha kryengritjet (të viteve 1909-1912 kishin pjesëmarrës dhe organizatorë Hasan Prishtinën, Isa Boletinin. Bajram Currin, Idriz Seferin, Bajram Daklanit si dhe Hasan Ferrin. Këto kryengritje tronditën nga themelet Perandorinë Osmane dhe i dobësuan pozitat e saj në Gadishullin e Ballkanit. Ato e ngritën lart emrin e Shqipërisë dhe i dhanë të kuptonte botës se shekujt e rëndë të robërisë osmane kurrë nuk e mposhtën krenarinë kombëtare të popullit shqiptar, dashurinë e tij për atdlie e liri.

Në vjeshtën e vitit 1912, Turqia dëbohet fare nga Ballkani. Serbia dhe Mali i Zi iu vërsulën tokave dhe popullsisë shqiptare.

Në gusht të vitit 1912 Hasan Ferri mori pjesë në një mbledhje të krerëve të Kosovës në Prishtinë- ku u bisedua për mobilizimin e popullit në mbrojtje nga sulmi serbo-malazez. Hasani kishte folur për gjendjen e katandisur, si dhe për nevojen e forcimit të unitetit mes gjitha krahinave shqiptare, para rrezikut potencial. Meqë knjaz Nikolla kishte kryer mobilizimin e gjithë mashkujve mes 14-60 vjeç, Hasani e kishte prezentuar me hollësi gjendjen në Krahinën e Plavës e të Gucisë.

Nga fundi i shtatorit 1912 Komiteti i Mbrojtjes ngarkoi Bajram Currin e Riza beg Gjakovën të shkonin në Plavë që të interesoheshin për organizimin e mbrojtjes.Ata biseduan me Hasan Ferrin e me krerët tjerë. Por ata theksuan mungesën e armëve, ndonëse orditë malazeze do të priten me luftë. Pos 600 vullnetarëve, Hasan Ferri kishte kërkuar 1200 pushkë me municione të mjaftueshme për armatimin e një force shqiptare. Bimbashi turk mendoi se do të mjaftonin 1200 ushtarë të rregulltë dhe 1800 ushtarë shqiptarë për mbrojtje të suksesshme (“për të ba gajret e të mos i dorëzohen Karadakut”. Hasi ndërmori edhe një udhëtim në Pejë, Gjakovë, Mitrovicë dhe në Prishtinë ku u takua me krerët dhe përfaqësuesit civil e ushtarak të vilajetit, por përfundoi pa sukses.

Pas shpalljes së Pavarësisë, Hasan Ferrin e gjejmë gjithnjë e gjithkund me armë në dorë. bashkë me dhjetëra e dhjetëra patriotë të tjerë. Ai luajti rol të rëndësishëm në luftën kundër synimeve grabitqare të shteteve shoviniste fqinje, të përkrahura nga Fuqitë e Mëdha si dhe kundër vet fuqive të mëdha.

Kah mesi i tetorit të vitit 1912 forcat e Janko Vukoviqit e të gjeneralit Radomir Veshoviqi sulmuan kufirin kah Visitori-duke kaluar nëpër Qafë Xhami, Pepaj, Arzhanicë, Nokshiq pastaj nëpër Prelimpat, Martinaj, Previ në sulm të furishëm kundër Gucisë. Llogoret dhe fortifikatat gjatë kufirit u pushtuan nga orditë malazeze brenda 3 ditësh. Forcat turke i lëshuan shpejt pozicionet dhe i dorëzuan karakollet, duke lëshuan me panik frontin. Pas tërheqjes së forcave turke, qëndresa u bë nga luftëtarët shqiptarë vendas dhe nga vullnetarët e ardhur nga Rrafshi i Dukagjinit dhe nga Malësia e Gashit dhe e Krasniqës, duke e mbajtur frontin për 7 ditë. Madje edhe përparuan në sektorin e Visitorit, por u thyen kur forcat malazeze depërtuan nga mbrapa shpine dhe pushtuan Qafën e Çakorrit, kështu që fronti shqiptar që nga Arzhanica deri te Metohet u thye. Komanda e lartë malazeze kishte dhënë komandën për sulm të përgjithshëm. Në saje të epërsisë numerike, armatimit më të mirë, artilerisë dhe të mitralozave, trupat e Veshoviqit thyen luftëtarët shqiptarë edhe në sektorin e bregut të Limit, zbriten në Ivanpole, nëpër Brezovicat dhe nëpër Qafë të Previsë nga ana tjetër. Plava e Gucia ranë në duartë e malazezëve. Pushtimi ndodhi ditën e tetë të luftimeve, më 31 tetor 1912. Operacionin e kryen brigadat e Avro Cemoviqit, Bllazho |Bozhoviqit dhe të Mirko Tomoviqit, kurse Plava u pushtua nga divizioni i tretë nën komandën e serdar Janko Vukoviqit. Popullsia u zbraz drejt fshatrave në bjeshkë apo drejt Pejës dhe Gjakovës- arratisje që zgjati disa ditë. Sipas të dhënave zyrtare malazeze nga një komunikatë ose nga buletin ushtarak i 31 tetorit 1912 ”në luftën për pushtimin e Plavës e të Gucisë malazezët patën 950 të vrarë dhe 1450 të plagosur. Vet turqit humben 1200 asqerë dhe 970 të plagosur. Prej forcave shqiptare pati 730 të vrarë e 1235 të plagosur. Si pushtues i Gucisë llogaritet vojvoda (komandant brigade) Avro Cemoviqi.

Pushtimi i Plavës dhe i Gucisë u përcoll me masa të rrepta, të egra ushtarake me arrestime e vrasje, zhdukje, me diktaturë e terror, me persekutimin e shqiptarëve, me ndjekje në emër të procedurave gjyqësore, me shpronësimin e pronave të shqiptarëve, sistemimin e kolonëve malazezë, për të ndërruar strukturën etnike të popullatës, me shpërnguljen e familjeve shqiptare, me vendosjen e malazezëve në shtëpitë e tyre, me nxitjen e emigrimit, sidomos për në Turqi. Terror i tërbuar.

 

Ndërrimi me forcë i fesë së myslimanëve

dhe i katolikëve shqiptarë në ortodoks

 

Sipas dekretit që hyri në fuqi më 5 shkurt 1913 shqiptarët myslimanë e katolikë u detyruan ta ndërrojnë fenë.Personat që me dhunë ndërruan fenë u pagëzuan me emra sllav. Po ashtu u bë mbyllja e xhamive: disa madje u shndërruan në hane kuajsh. Ndëshkim për shqiptarët që nuk donin ta ndërrojnë fenë ishte “mushketa” – vrasja me anë të pushkatimit. I madh është numri i atyre që nuk pranuan konvertimin e fesë dhe kundërshtuan vuarjen e kapicës në kokë, pra që më parë preferuan “mushketën” vdekjen me pushkatim sesa konvertimin në malazez. Bilanci i viktimave – atyre që nuk deshën të konvertoheshin ishte 800, të cilët u çuan në Bugaki, në vendin Previ, mbi Andrijevicë ku ekzekutoheshin me procedurë të shkurtër, sipas ligjit të luftës. Për mospranimin e konvertimit-kalimit në malazez vetëm nga familja Ferri u pushkatuan 12 vetë.

Në fillim të qershorit 1913 nga Cetina arriti urdhëri që një numër nëpunësish malazez civil e ushtarak të tërhiqeshin nga Plava e Gucia dhe të transferoheshin nga kjo Krahinë dhe të ndërpritej aksioni i ndërrimit të fesë dhe përgjithësisht terrori ndaj shqiptarëve. Avro Cemoviqi, Grubela Labani, Arsenije Labudoviqi, Bogdan Shoshkiqi u detyruan të tërhiqeshin nga Plava e Gucia. U dërgua një komision nga Cetina kinse për hulumtimin e reprezaljeve ndaj shqiptarëve. U lejua rikthimi i shqiptarëve muhamedanë në fenë e mëparshme. Shqiptarët i flaknin në tokë kapicat malazeze, që ishin detyruar t’i bartnin. Ndonëse gjithçka dukej e pashpresë, forcat shqiptare nuk u ndalen se vepruari, nuk e ndalen qëndresën – shumë dolën në mal duke iu bashkangjitur çetave të Bajram Currit, ku çerdhe të para të luftëtarëve për çlirimin kombëtar dhe për atdheun e bashkuar u bënë Krasniqja dhe Gashi. Për tre vjet këto çeta të udhëhequra nga Bajram Curri e Hysni Curri ndërmorën një varg aksionesh kundër pushtuesve serbo-malazez.

Gjatë viteve 1916-18 pushtuesit u detyruan të largohen nën presionin e ushtrisë austro-hungareze, por rikthehen sërish pas tre vjetësh.

Pas pushtimit të Plavës e të Gucisë prej ushtrisë malazeze nga fundi i tetorit 1912 (31 tetor), një grup nacionalistësh i përbërë prej afro 200 burrash u arratis dhe ishte në lidhje me Bajram Currin, për të organizuar aksione kundër pushtuesit së bashku me krasniqasit dhe me luftëtarët kosovarë të strehuar në Krasniqe, së bashku me “plakun e maleve” këta burra shkuan në Durrës më 1914 ku morën pjesë në mbrojtjen e qytetit nga sulmet e rebelëve”.

Gjatë Luftës së Parë Botërore ushtria austro-hungareze shpartalloi Serbinë dhe Malin e Zi- duke depërtuar në viset shqiptare deri në Luginën e Vjosës. Komanda austro-hungareze i la të lirë shqiptarët të krijonin një administratë civile të tyre, të përdornin flamurin kombëtar, të hapnin shkolla shqipe, duke u prezantuar çlirimtarë të Shqipërisë në Kosovë e viset tjera të aneksuara më 1913. Depërtimi i forcave austro-hungareze në Mal të Zi u ofroi mundësi kryengritësve të Plavës dhe të Gucisë të hidheshin në aksion për çlirimin e kësaj Krahine. Në drejtim të Gucisë sulmuan rreth 200 kryengritës të drejtuar nga Ismail efendi Nikoçi, kurse në drejtim të Plavës, të udhëhequr nga Mehmet Ferri Më 1916, Hasan Ferri organizoi qëndresën e plavjanëve e gucjanëve kundër trupave austro-hungareze Për shkak të kontributit të tyre në luftë kundër forcave malazeze, autoritetet austriake i njohën këto forca. Por më vonë këto forca u çarmatosen, madje komanda austro-hungareze urdhëroi arrestimin e tyre. Për këtë u organizuan demonstrata të shqiptarëve në Plavë e në Guci. U liruan personat e arrestuar dhe u ndërrua përbërja e administratës civile-në vend të malazezëve u caktuan shqiptarët. Në krye të administratës civile të Plavës u emërua Mehmet agë Ferri, kurse në Guci Adem agë Omeragaj e Jusuf Hoti. Austriakët kishin nevojë për ndihmën e shqiptarëve prandaj ofruan dorën e miqësisë. Madje ushtria austriake u përforcua me disa batalone vullnetarë shqiptarë, që u dërguan në frontet e betejave.

Por, kjo kohë solli krizën trevjeçare të bukës.

Gjatë kohës së okupacionit austro-hungarez në Krahinën e Plavës e të Gucisë vepronin çetat e kapitenit Boshko Juriq, Vasit të Zelit, Vesho Turkoviqit, Baco Dashiqit. Nëpër kishat e fshatrave pas meshave, priftërinjtë ortodoksë sugjeronin e predikonin që femrat malazeze të përhapin intriga e propagandë në dëm të popullit shqiptar të Plavës e të Gucisë, që ato të bënin çdo gjë për të mirën e atdheut. Ushtarakët austriakë kishin lidhje me femra malazeze, të cilat përpiqeshin t’i diskreditonin shqiptarët dhe të përfitonin simpatinë për popullin e tyre. Nga fillimi i vitit 1916, trupat ushtarake austri-hungareze në kuadër të operacioneve shpartalluan ushtrinë serbe, vërshuan në Mal të Zi dhe futën nën kontroll Kosovën dhe një pjesë të madhe të trevave shqiptare veriore. U mundësua që Hasi të kthehej në Krahinë, por së shpejti autoritetet austriake e arrestuan dhe e internuan në Podgoricë, por internimi nuk zgjati shumë. Hasit iu lejua që të ishte në udhëheqjen e popullit të Krahinës, por ai e refuzoi zyrtarisht këtë. Më pëlqimin e tij, administrimi i Krahinës iu besua të vëllait, Mehmet Ferrit dhe Bejto Plavës, kurse për administrator të Gucisë u caktuan Ismail Efendi Nikoçi, Adem Omeraga dhe Isuf Hoti.

Me krijimin në Shkodër të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” më 1918 në Plavë e Guci u organizua një miting i madh ku folen patriotët Hasan Ferri e Imail Nikoçi. Aty u vendos të krijohet lidhje e ngushtë me Komitetin në fjalë dhe të luftohej me armë në dorë kundër shovinistëve serbo-malazez.Si përfaqësues i Plaves e i Gucisë në Komitetin në Shkodër u dërgua Ismail Nikoçi. Hasan Ferri ishte organizatori kryesor i qëndresës së popullit të këtyre dy krahinave kundër ushtrisë shoviniste malazeze.

Në vitin 1918, Hasan Ferri ishte nder figurat qendrore në të cilat mbështetej Komiteti Kombëtar për Mbrojtjen e Kosovës.

Përkundër rezistencës, Krahina u pushtua në shkurt të vitit 1919, kurse popullsia u masakrua nga trupat serbe e bandat malazeze.Pas arratisjes nga Plava Hasani u vendos në Shkodër, ku u lidhë me patriotët tjerë nga gjithë vendi. Kishte shoqëri me Bajram Currin, Hasan Prishtinën, Luigj Gurakuqin, madje kishte pasur një takim edhe me Fan Nolin.

Në dhjetor të vitit 1918, pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore u shpall krijimi i -«Mbretërisë jugosllave«-. Në shkurt të vitit 1919, shumë forca serbo-malazeze të komanduara nga gjeneralë në zë, u grumbulluan në kufi për të sulmuar Plavën e Gucinë.

Në një mbledhje të të gjithë krahinës, mbledhje kjo e organizuar dhe e drejtuar nga Hasan Ferri, u mor vendim që të mbrohej me çdo kusht Plava e Gucia duke luftuar gjer në vdekje.

Për drejtimin e aksioneve luftarake në këto krahina, u formua një komitet krahinor, [11] i për bërë nga patriotët Hasan Ferri me të vëllanë Mehmetin. Mull Koja, Keri i Sadri Bardhit, etj.

Shumë burra shqiptarë rrinin në gatishmëri në Qafë të Çakorrit. Lufta që nisi qe jashtëzakonisht e ashpër. Ndeshja e përgjakshme e shqiptarëve me trupat serbo-malazeze, në atë dimër të egër, vazhdoi disa ditë e net me radhë. Pas një qëndrese të fortë të forcave shqiptare, ushtria armike, shumë e madhe në numër dhe e pajisur me armët më moderne, hyri në Plavë e Guci, ku vrau mijëra njerëz: gra, fëmijë, pleq e plaka; dogji e grabiti më se 10 ditë me radhë.]

 

 

Disfata e ushtrisë austro-hungareze 1918

– rritja e lëvizjes çlirimtare shqiptare

 

Nga java e dytë e majit 1918 bandat malazeze ndërmorën një varg vrasjesh dhe grabitjesh në viset periferike të Krahinës. Në afërsi të Plavës operonin bandat e Baco Dashiqit, në afërsi të Gucisë bandat e Vaso Zelit. Forcat ushtarake austriake dhe burra të armatosur të Krahinës u vunë në ndjekje të kriminelëve malazezë kur brenda dy muajsh u asgjësuan bandat e tyre.

Mbarimi i Luftës së Parë Botërore aktivizoi si shqiptarët ashtu edhe malazezët- të parët për çlirim e bashkim kombëtar, të dytët për pushtim, aneksim të këtyre viseve të lakmuara me kohë. Paria e vendit, nën kryesinë e Hasan Ferrit, përpiqej që popullit t’ia shpjegonte gjendjen e krijuar dhe t’i jepte kurajë. U mbajt edhe mbledhja e Këshillit Popullor të Krahinës, ku u moren disa vendime: krijimi i një Krahine administrative lokale; ata që kishin armë të rrinin në gatishmëri kundër sulmeve eventuale malazeze; u angazhua një detashment prej 100 burrash dhe u dërgua në kufi me Malin e Zi; u zunë pozicionet që i lëshuan austriakët. U mbajtën edhe mitingje në Plavë e Guci ku Hasan Ferri e Ismail efendi Nikoçi njoftuan popullit për rrezikun që kanosej, kundër nënshtrimit ndaj Malit të Zi e ndaj Beogradit.

Krahina nisi një bashkëpunim me Komitetin e Kosovës, në të cilin dërguan Ismail efendi Nikoçin, kryetar i Bashkisë së Gucisë, si “anëtar efektiv” kurse anëtarët e Këshillit të Krahinës që do të organizonin mbrojtjen në vend krijuan njëfarë “nënkomiteti”, ku bënte pjesë edhe Hasan Ferri. Me pëlqimin e Hasan Ferrit, Shelko Kurti dhe Bejto haxhi Plava u caktuan udhëheqës të detashmenteve shqiptare për mbrojtjen e kufirit.

Muajt nëntor e dhjetor 1918 ishin muaj të tmerrit e të panikut, nga rreziku serbo-malazez. Paria nuk pranonte kurrfarë nënshtrimi, madje as nën autoritetin serb. Në Plavë kishte ardhë një tog ushtarësh serb ku edhe krijoi garnizonin e vendit. Forcat serbo-malazeze filluan të aktivizoheshin për të shkatërruar “çerdhet e kryengritësve shqiptarë”, siç i quanin. Pësonin më se shumti fshatrat Arzhanicë, Pepaj, Nokshiq e Martinaj. Administrata shqiptare merrte të gjitha masat për të ruajtur qetësinë, por forcat serbe shtonin provokimet. Udhëheqja e Krahinës lejoi daljen në mal të disa shqiptarëve me Mulla Aganin e Plavës dhe Rexhë Voglin e Gucisë, që vepronin kundër çetave malazeze.

Në këtë gjendje të dy palët malazeze e shqiptare caktuan një takim të përbashkët në Plavë, por nuk rezultoi me ndonjë sukses.

Aty nga fundi i shtatorit të vitit 1918 në Mal të Zi u krijua administrata e re e Mbretërisë Serbe të bashkuar, që do të funksiononte edhe në shtetin serbo-kroato-slloven, ose në Mbretërinë Jugosllave. Sipas ndarjes së re administrative, Plava e Gucia iu bashkangjiten rrethit të Andrijevicës, kurse më vonë Banovinës së Zetës. Mirëpo, mbetej çështje e hapur mosnënshtrimi i kësaj krahine.Për nënshtrimin e saj sidomos u interesuan malazezët- kur naçallnik të parë dërguan Millosh Popoviqin, i cili kishte detyrë edhe të formonte Këshillin Administrativ të rrethit me përbërje mikste-shqiptare e malazeze, ndonëse të dytët paraqisnin vetëm pakicën në Plavë e Guci.Paria e Krahinës refuzoi në mënyrë energjike ta pranonte Popoviqin për “naçallnik”, kurse populli doli në demonstrata.

Në fund të shkurtit të vitit 1919 popullsia e kësaj ane ishte në një gjendje thuaj agonie. Sipas urdhërit të komandës së brigadës së Vasojeviqit po mblidheshin të gjithë kryebanditët malazezë me Simo Nikoletiqin, me çetat dhe ish ushtarët e kralit, ku bënin pjesë edhe Vasi i Zelit, Vesho Turkoviq, Millosh dhe Novica Popoviqi, Labanët, Shoshkiqët, Zoroviqët që prisinin urdhërin për sulm ndaj shqiptarëve.

Në një takim me banorët Hasan Ferri përsëri theksoi rrezikun që i kanoset kësaj krahine. Forcat e krahinës u ndanë në dy drejtime: Që nga Vuthaj e teposhtë, Gucia me katundet, nën udhëheqjen e Jusuf Hotit organizuan një fuqi prej 1000 burrash, duke zënë grykat e kufinjve, kurse Plava nën udhëheqjen e Mehmet Ferrit organizoi 600 burra që zunë pozicionet prej Visitorit deri në katundin Velikë. Bejto Plava me Shelko Kurtin, agan Kojën dhe Sali Ramën e Rugovës, me forca të bashkuara prej 1000 burrash mbanin pozicionet në Qafën e Çakorrit, në Qafën e Diellit, në Bjelluhë e përgjatë Rugovës deri afër Zhlebit, që përgatiteshin për sulm kur të fillonte në Rrafshin e Dukagjinit, si dhe në Malësi (Gash e Krasniqe), por plani nuk u realizua. Formacionet e rregullta të ushtrisë serbe u afruan ndërkohë kah Peja, shpejt e bllokuan Rugovën. Trupat serbe së shpejti paralizuan planin e shqiptarëve. I tërë Rrafshi i Dukagjinit u vu nën një kontroll të ashpër, shtetrrethimi të tmerrshëm, terrori të egër.

 

Zhdukja pagjurmë e shumë personave

 

Ndërkaq, forcat serbe e malazeze u hodhën në sulm në të njejtën ditë, më 21 shkurt 1919 kundër Rugovës dhe Plavës e Gucisë. Rezistenca e forcave shqiptare në Rugovë, përkundër armatimit modest, që u tërhoqën deri në Qafën e Çakorrit dhe të Diellit. Forcat serbe sulmuan me këmbësori e artileri dhe ngushtuan rrethin e forcave shqiptare. Ditën e tretë të sulmit, më 23 ose 24 shkurt, komanda operative serbe dërgoi nga Peja në Bjelluhë, Rugovë dhe në Plavë për marrëveshje dy oficerë të lartë – kolonelët Punisha Raçiq dhe Malë Rexhepagaj, por kërkesat serbe u refuzuan, sepse ishin të papranueshme. Ata u kthyen pas tre ditësh nga Peja sërish me kushte për marrëveshje me prijësit shqiptarë.

Forcat malazeze shfrytëzuan kinse një incident të shpifur gjoja se shqiptarët i kanë sulmuar disa civilë malazezë në bjeshkën Bjelluhë, në fund të shkurtit 1919. Këtë preteks e shfrytëzuan forcat serbe prej tre batalonësh, kur sulmuan.U plagos edhe vet Muja agan Koja, i cili komandonte njërën nga çetat shqiptare. Nga ushtria serbe në këtë sektor pati afro 200 të vrarë dhe shumë të plagosur. Ndërkaq, në luftimet në afërsi të Gucisë dhe në frontin e Plavës mbeten të vrarë rreth 40 malazezë, e 50 të plagosur, ku u vranë edhe dy udhëheqësit e bandave malazeze Vaso Llabani dhe Radomir Gjuriçanini.

Pas shpartallimit të forcave shqiptare, malazezët sulmuan Plavën. Ndaj popullatës duarthatë u bë një kasaphane e vërtetë. Forcat serbo-malazeze vrisnin, thernin, digjnin e plaçkitnin popullatën shqiptare në emër të hakmarrjes. Terrori kishte vazhduar për 24 orë, kur Plava u la në gjak. Pas 24 orësh u dha komanda për ndërprerje të terrorit dhe filloi ndalja e masakrave. Por, u bë spastrimi i qytetit. Bilanci ishte: 1600 të vrarë të kësaj krahine (të pushkatuar apo të therur me sungija). Pasoi edhe një sëmundje e popullatës- tifoja, e cila mori mbi 200 veta. Një pjesë e popullatës në ikje kishte shkuar në Shkodër, por që ishte rraskapitur e katandisur gjatë ecjeve zbathur nëpër shkrepa e pyje. Krahina e Plavës dhe e Gucisë, përkundër reprezaljeve ushtarake dhe të shkatërrimit të plotë që përjetoi në datat 27 e 28 shkurt të vitit 1919 nga forcat serbo-malazeze, nuk pushoi së rezistuari, meqë çeta të shumta vazhduan luftën për çlirimin e vendit.

Më 1919, pas pushtimit të Plavës e të Gucisë nga forcat armike, Hasan Ferri kaloi në Shkodër dhe atje bashkëpunoi me «Komitetin Kombëtar për Mbrojtjen e Kosovës». Në shtëpinë e tij në Shkodër shkonin vazhdimisht për ta vizituar e për t’u këshilluar Hasan Prishtina, Hoxhë Kadriu, Bajram Curri, Luigj Gurakuqi, Avni Rustemi etj.

Edhe pas pushtimit të Plavës e të Gucisë, Hasan Ferri organizonte çeta, të cilat kalonin pastaj në Kosovë, Plavë e Guci dhe, në bashkëpunim me çetat e tjera në ato anë, kryenin aksione luftarake Një çetë e organizuar nga Hasan Ferri, me Agan Kojën në krye, një herë bëri një aksion në Qafën e Diellit, ku vrau katër oficerë malazez dhe 50 ushtarëve u mori shulet e pushkëve bashkë me municione të tjera ushtarake. Pastaj u dhanë një letër për autoritetet malazeze, ku thuhej: “Kështu kemi urdhër prej Hasan Ferrit”.[13]

Burra të shquar plavjanë e gucjanë vazhduan rezistencën dhe lëvrinin në çeta bashkë me: Xhemal Kojën, Ismail Sharkinin, Ram Mazin, Beqir Arifin, Haxhi Nimanin etj.Në muajin maj 1919 këto çeta numëronin një forcë prej disa qindra burash.

Më vonë trimat Ram Mazi, Ismail Sharkini me burra të tjerë nga ato anë organizuan çeta më vete duke bërë aksione pas aksionesh deri në vitin 1924. Sapo kryenin aksione në vendet e caktuara, pjesa më e madhe e trimave të çetave me udhëheqësit e tyre strehoheshin në Malësinë e Tropojës, ku gjenin një mbështetje dhe mikpritje të ngrohtë. Sidomos Çeremi dhe Valbona u bënë pikëmbështetje kryesore, në të cilat jetonin me muaj çetat, sepse ato ishin vende kufitare dhe me një terren malor.

Në këto vite u shquan për një ndihmë të madhe organizative, morale e materiale, që u jepnin çetave, Bajram Curri, Sali Mani, Niman Syla, Ibrahim hoxhë Dollapi etj.

Patrioti Hasan Ferri ishte pjesëmarrës aktiv dhe njëri nga udhëheqësit kryesorë të forcave shqiptare kundër intervencionit ushtarak jugosllav në Shkodër, në gusht të vitit 1920 (e quajtur Lufta e Koplikut. Bash me nismën e Hasan Ferrit, një grup pune hartoi planin e marshimit të forcave shqiptare, duke i ndarë në tri kolona. Hasan Ferri u caktua komandant i kolonës së dytë, kolonës së majtë, e përbërë kjo kryesisht nga vullnetarë kosovarë. Kjo ndoqi itinerarin buzë Liqenit. Pas një përleshjeje të përgjakshme, intervencionistët jugosllavë u thyen përfundimisht.[14]

Pas vitit 1924, me ardhjen e Zogut në Shqipëri, shumë trima të këtyre çetave u asgjësuan si pasojë e bashkëpunimit të qeverisë së atëhershme jugosllave me regjimin e Zogut.

Revolucionin e Qershorit Hasan Ferri e mirëpriti dhe u aktivizua në të. Me ardhjen e Zogut, në vitin 1925, Hasan Ferrin e burgosën në Shkodër. E detyruar nga presioni i masës dhe i patriotëve të tjerë, u detyruan ta lironin, por gjatë gjithë regjimit të Zogut ky patriot i shquar vuajti edhe për bukën e gojës.

Në vitin 1929 Hasani u rreshtua përkrah forcave që organizuan Kongresin e Lushnjes, duke e mbështetur pa rezerva qeverinë e dalë nga ky Kongres.

Hasani e mirëpriti edhe Revolucionin e Qershorit të vitit 1924. Ishte kundërshtar i Zogut. Familja u gjend në vështirësi ekonomike. Fillimisht iu dha një copë tokë në Bisht Palla, pranë Durrësit, që nuk e kishte pranuar, por e pranoi familjari i tij Medi ku u vendos me familje. Në gusht të vitit 1938, përmes disa miqve Hasani nxori një pasaportë dhe emigroi në Turqi, ku e tërhoqën disa të afërm të tij.

Para nisjes u tha shokëve të tij: “Plavjanit, kudo që të gjendet, zemra duhet t’i rrahë për Shqipni.”[15]

Megjithëse qëndroi në mërgim, jashtë atdheut, zemra e Hasan Ferrit, e këtij patrioti të flaktë, njërit nga udhëheqësit e shquar të kryengritjeve popullore për çlirim kombëtar e shoqëror, rrahu deri në ditët e fundit për tokën shqiptare.

Hasani u vendos në Bergam të Izmirit, ku kishte edhe shumë emigrantë shqiptarë që ishin detyruar ta lënë atdheun.Atje edhe vdiq në vitin 1946.

*

*          *

Jakup Ferri u vra heroikisht në betejën e Nokshiqit, ku shqiptarët pa dyshim kishin arritur fitoren më të madhe dhe më të lavdishme në historinë e vet me forca të veta kombëtare dhe pa ndihmë të huaj, ndërsa 5 djemtë; e tij dhe një numër i madh i nipave vazhduan luftën kundër Turqisë, Malit të Zi, Austro-Hungarisë e më vonë edhe kundër Jugosllavisë dhe regjimit të Ahmed Zogut. Luftën shekullore dhe gjakun e derdhur të Jakupit, Hasanit dhe pasardhësve të tyre e ka mbuluar pluhuri i historisë dhe duket se tashmë ka rënë në harresë, meqë pos disa rapsodëve popullorë pak kush e zë ngoje.

Për shkak të natyrës luftarake dhe të mospajtimeve me padrejtësi ngado që ajo vinte, sot pasardhësit e Jakup Ferrit jetojnë të shpërndarë në Plavë, Durrës, Tiranë, Mitrovicë, Pejë, Prishtinë, Stamboll, Mynih, Amsterdam e gjetkë.

 

 

Gazeta “Bashkimi”, 25 nëntor 1978, f. 3.

Gazeta “Bashkimi”, 25 nëntor 1973, f. 3.

AQSH i RPSSH. Dosja “Vuajtjet nëpër shekuj të një krahine në kufi, për lirinë dhe pavarësinë kombëtare”, Tiranë, 1964.

Për vend tonë jem tuj luftue, Tiranë, 1979, f. 195.

Ligje.

Këngë popullore historike, Tiranë, 1956, f. 234.

Këngë popullore historike, Tiranë, 1956, f. 239.

Për vend tonë jemi tuj luftue, Tiranë, 1979, f. 193.

Këngë popullore historike, Tiranë, 1956, f. 240.

AQSH i RPSSH, Dosja “Vuajtjet nëpër shekujt një krahine kreshnike në kufi për liririnë dhe pavarësinë kombëtare”, Tiranë, 1964.

A. Haxhiu, vep. cit., f. 144.

A. Haxhiu, vep. cit., f. 148.

Gazeta “Bashkimi”, 25 nëntor 1978, f. 3.

Xh. Repishti, Lufta kundër intervencionitushtarak jugosllav në Shkodër më 1920 (Lufta e Koplikut), në “Studime Historike”, 2, Tiranë, 1972, f. 50.

AQSH i RPSSH, Dosja “Vuajtjet nëpër shekuj të një krahine kreshnike në kufi për lirinë dhe pavarësinë kombëtare”, Tiranë, 1964.