Plavë: Dyshohet se shiti të njëjtën shtëpi dy herë, vëllai nga Amerika e padit

Një rast i pazakontë pronësie ka dalë në pah në Plavë, ku Enes Bakoviqi dyshohet se ka shitur të njëjtën shtëpi dy herë, duke shkaktuar një mosmarrëveshje serioze ligjore mes disa palëve.

Sipas informacioneve të siguruara, Enes Bakoviqi dhe vëllai i tij, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kishin trashëguar shtëpinë familjare nga prindërit, ku secilit i kishte takuar nga një pjesë e pasurisë.

Fillimisht, Enesi kishte vendosur t’ia shiste pjesën e tij vëllait dhe për këtë kishte marrë pagesën përkatëse. Megjithatë, duke u mbështetur në besimin e ndërsjellë familjar, dokumentacioni i shitblerjes nuk ishte përfunduar zyrtarisht.

Situata u ndërlikua më tej kur, pavarësisht se kishte marrë paratë nga vëllai, Enesi dyshohet se gjeti një blerës tjetër dhe e shiti të njëjtën pronë edhe një herë. Si pasojë, ka lindur një konflikt mes disa palëve që pretendojnë të drejtën mbi të njëjtën shtëpi.

Sipas pretendimeve, aktualisht Enesi po përpiqet ta mbajë gjysmën e tij të pronës dhe nuk po lejon as vëllain dhe as blerësin tjetër të marrin pronësinë, ndonëse të dy pretendohet se kanë kryer pagesën.

Ndërkohë, sipas rrëfimeve që qarkullojnë në opinionin lokal, Bakoviqi njihet si person me jetë boheme dhe frekuentues i rregullt i lokaleve, ku thuhet se ka shpenzuar një pjesë të konsiderueshme të parave për argëtim.