Pse u ktheva?

Gjovalin Nikçi

Pse? E pse jo. U ktheva në parajsën e vogël të tokës. Në rrënzë të bjeshkës së Gjo Nik Sykut. Aty ku uji del nga toka, e shqiponja fluturon lirshëm mbi Bjeshkët e Nëmuna e konakun e zanave të Fishtës. 40 vjet në emigrim pash në ëndërr çdo natë Lugun e Harushës e fshatin tim të bekuar. 40 vjet dëgjova zërat e të parëve të mi duke më përshpëritur me zë të ulët : “Mos i harro ato vorre e gjakun që e kena derdh aty. Amanet”. E amaneti pasha të madhin Zot është i rëndë. Peshon më shumë se ata gurë të gëlqeres që dikur i dogjëm me javë të tëra për t’i zbukuruar ato kullat e gurit që me djersë e gjak u ndërtuen. Ato kulla që sot janë të rrënuera, e njerëzit ua marrin ata gurë një nga një e kulla harrohet porsi edhe historia. E si mos me u kthye te Kisha e Shna Ndout që për herë të parë e mora Lahuten e Malsis nga Padër Kolë Berishaj në sekret “se na fusin n’burg me ba me dijtë se e kem”, më tha i ndjeri. E Padër Kola kishte qenë nxënës i Fishtës. Imagjinoje me u ulur në bankën e shkollës e të del mësuesi përpara, e ai është Padër Gjergji. Po, po ai i njëjti padër që e quajti Evropën “Kurva e Motit”. 40 vjet diku në një qoshe të trurit tim i dëgjova fjalët e mësuesit tim të parë Sefer Qosjes: “Mësoni fëmijt e mi, mësoni”.
Pasha bukën me thënë se më ka marrë malli për Guci nuk është reale. Jo se më ka marrë malli, por më është djegur zëmra çdo ditë nga pak. Më ka dhembur shpirti çdo ditë sikur të ishte duke ma vajtuar shpirtin Zadja e Selmanit që me një mjeshtëri të rrallë i ka lidhur fjalët si më i miri poet e ta ka prekur bash pikën më sensitive të shpirtit.
Duhet ta kesh dorën e Fishtës ose të Kadaresë, për ta pershkruar atë moment kur ngjitesh në qershinë e gjyshit dhe e kafshon atë pëmë të kuqe, e memoria të kthehet në moshën 8 vjeçare duke dëgjuar zërin e nënës që të bërtet: “Ulu more dreq se po rrëzohesh”.
Nëna nuk është më këtu të më bërtasë, por zëmra mu bë sa Mali i Rosit kur në tavan e gjeta xhubleten e saj qindra vjeçare dhe e vendosa afër çakshirëve të babës në mur. Jam i sigurt se nga Parajsa po shikojnë poshtë e thonë: “Qyre, qyre se çka është kujtuar”.
Lotët më shkuan kur e kalova atë urën e Dolit që së bashku me 20 e ca fëmijë, e kalonim përditë duke shkuar në ato bankat me shkronjat e Alfabetit të Manastirit. Sot katuni im ka popullatën që numëron 7 vetë. 6 deri dje, unë jam i shtati. 13 shtëpia janë në katun e ne jemi 7 që jetojmë në 3 shtëpi. Ato 10 të tjera si ti kishte nëmur ndonjë zanë e Bjeshkëve të Nëmuna. Ndoshta sepse s’ka kush të dalë me i mbledhë ato boronicat e zeza që ta kënaqin shpirtin kur i shtrydh e prodhojnë pijen më të mirë e freskuese në ketë dynja.
“Ka thanë frati
shko te shtrati,
n’mos t’kapt gjumi
t’pushon shtati”
Ishte kënga që nënat tona na e këndonin kur nuk i dëgjonim të flenim gjumë. Mua sot, jo vetëm që më pushon shtati, por zemra e shpirti flenë të qetë. Në gjashtë të mëngjesit unë shkoj te bleta që ma dhuroi Valoni nga fshati Martinaj, pasi u bind që me të vertetë jam kthyer. Shkoj e flas me bletën e bekuar e bëjmë muhabet. Ndoshta njerëzit mendojnë se mi ka marrë Amerika mëndtë, por unë jam i bindur se bleta më kupton. Kan ditur diçka pellazgo-ilirët që na kanë thënë se bleta nuk cofë, por vdes si njeriu.
Shokët e mi nuk e besuan se po kthehem. E, ja pra, këtu jam. Ju që më premtuat se nëse unë kthehem, do të ktheheni edhe ju: “Hajdeni pra”! Ju pres. Dera është e hapur. Ju pres me bukë e krypë e mjaltë.
Inshalla ua kam hapur rrugën. As Aleksandri i Madh nuk mori asgjë me vete, edhe pse e pati pushtuar botën. Unë e di se kur të shkoj në Gllavicë (në varrezat familjare), do të marr vetëm qetësinë e shpirtit e amanetin e të parëve. Po edhe paqen e Zotit shpresoj. Hajdeni!