Mbylli sytë rilindasi i fundit në një kohë kur pararendësit nuk duken më në horizont. Rexhep Qosja ishte një shtyllë kombëtare që nuk u ndërtua mbi modë ideologjike, por mbi gurin e rëndë të së vërtetës. Kur fliste Qosja, dukej sikur fjala nuk artikulohej, por rridhte. Retorika e tij nuk kishte nevojë për zbukurime, sepse fuqia e saj qëndronte në mendimin e qartë dhe në guximin për ta thënë atë. Ai ishte polemist i lindur, por jo për hir të polemikës. Polemikat ndërmjet Rexhep Qoses dhe Ismail Kadare ngjajnë me një përplasje të thellë blloqesh tektonike të vetë qenies shqiptare, sikur të përplaseshin Korabi me Alpet Shqiptare.

Nga : Prele Milani
Nuk ishte thjesht debat letrar, por një tronditje e nëndheshme që nxirrte në sipërfaqe shtresat më të thella të identitetit tonë. Kadare, me prirjen e tij pragmatiste dhe idealiste, qëndronte si një kapiten i matur, orientues i një busulle më një drejtim që shqiptarët e kanë synuar dhe që vështirë se mund ta braktisin pa humbur vetveten. Ai shihte përpara, drejt një horizonti ku Shqipëria dhe Kosova duhet të përkufizohen si pjesë organike e qytetërimit perëndimor. Ndërsa Qosja, me këmbë të ngulura fort në litologjinë historike dhe në ndërgjegjen kritike, i kujtonte këtij vizionari se realiteti nuk është gjithmonë në përputhje me aspiratën. Ai e thoshte pa drojë – Ne jemi ende, në shumë përmasa, më tepër orientalë sesa perëndimorë; dhe se trashëgimia e përvetësuar ndër shekuj nuk mund të fshihet me një vullnet të thjeshtë deklarativ. Të mohosh këtë, për të, ishte jo vetëm e kotë, por edhe e rrezikshme. Në zemër të këtij debati qëndronte një nyje e ndjeshme historike, diversiteti dhe ndërthurja e besimeve, krishterimi i thyer dhe konvertimi islam . Kjo e bëri debatin të marrë valë të forta, si baticat dhe zbaticat e një deti të trazuar, duke u përjetuar me ankth, me pasion e shpesh me tifozëri të verbër, deri në akuza armiqësore ndaj dy mendjeve që, në thelb, synonin të zgjonin ndërgjegjen kombëtare. Sepse në fund, ata bënë pikërisht këtë: na shkundën. Qosja na thanë kush jemi, pa maska dhe pa zbukurime. Kadare na kujtoi kush kemi qenë dhe ngriti sytë drejt së ardhmes së dëshiruar. Qose nguli këmbët në të vërtetën e trashëguar që nuk mund të fshihet. Ata që i sulmojnë lehtë këta dy emra, më shumë zbulojnë varfërinë e vet sesa dobësinë e atyre. Kadare dhe Qosja, nuk ishin engjëj, por Korabi e Jezerca e mendimit dhe letrave shqipe bashkëkohore. Njëri, shkrimtar i paarritshëm në artin e rrëfimit; tjetri, historian, filozof dhe mendimtar i thellë që nuk ia kurseu kurrë të vërtetën kohës së vet. E vetmja dobësi e tyre, qe se politika nuk ishte trualli ku ata mund të shkëlqenin. Dhe kur u përfshinë përkohësisht në të, ajo nuk arriti t’i mbante gjatë , sepse madhështia e tyre nuk qëndronte në pushtet, por në fjalë. Në fjalën e menduar, të peshuar dhe të thënë pa frikë, edhe sikur të deklarohej përpara vetë Zotit Kosova dhe Shqipëria për të nuk janë thjesht territore, por dy barkushet e një zemre që kërkonte bashkim në dinjitet dhe në vetëdije. Ai i deshi të dyja pa retorikë të zbrazët, por me një përkushtim që shfaqej në çdo rresht dhe në çdo qëndrim. Në një kohë kur mendimi shpesh përkulet para interesit të çastit, Njohuritë e tij të thella dhe karakteri i vendosur i dhanë mundësi të bëjë shkapërcime që edhe sot mbeten të vështira për t’u përtypur nga shtresa me formim mesatar, madje edhe nga një pjesë e asaj elite që, nën hijen e politikës, ndërton karrierë artistike apo shkencore. Qosja nuk shkroi për të pëlqyer, ai shkroi për të tronditur. Në këtë kuptim, ai nuk ishte vetëm mendimtar, por një lloj demaskuesi i heshtjeve kolektive. Nga ajo që mund të quhet “olimpi” i mendimit shqiptar, pa u korruptuar dhe pa u ndikuar, ai artikuloi një nga pohimet më të debatueshme: se dy figurat më dominuese dhe më ndikuese të historisë shqiptare janë Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Enver Hoxha… Në Konferenca e Rambujesë, Rexhep Qosja nuk u shfaq si një kërkues i karriges, por si një bartës i ndërgjegjes historike. Po aq i kthjellët ishte edhe pas Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, kur paralajmëroi se lufta për liri kishte përfunduar, por një luftë tjetër, më e vështira, sapo kishte nisur. Politikanët nuk mund të jetojnë më me kapitalin e luftës, por duhet të mbajnë peshën e jetës së përditshme të popullit. Sepse historia nuk fal dy herë: ajo të jep rastin e parë për t’u çliruar, por të gjykon pa mëshirë për mënyrën si e ndërton lirinë. Në këtë kuptim, Qosja mbetet një ndërgjegje e pakëndshme, por e domosdoshme. Në një botë ku shpesh fjala blihet, ai mbeti i pablerë. Në një kohë kur e vërteta shpesh negociohet, ai e tha atë, edhe kur dhembte. Dhe ndoshta kjo është madhështia e tij më e madhe, nuk ishte thjesht një njeri i dijes, por një njeri së vërtetës.