Lamtumirë Viganit të Mendimit: Ilir Shaqiri nderon Rexhep Qosja me “Vuthaj”

Vargje kushtuar figurës madhore të mendimit dhe kulturës shqiptare, ku fjala poetike shndërrohet në kujtesë, nderim dhe përjetësi

Ndarja nga jeta e akademikut Rexhep Qosja ka prekur thellë mbarë hapësirën shqiptare, duke nxitur reagime të shumta nga qarqet akademike, letrare, artistike dhe publike. Humbja e tij shihet si largimi i një prej figurave më qendrore të letërsisë, kritikës dhe mendimit kombëtar shqiptar, një personalitet që me veprën dhe qëndrimet e tij ndikoi fuqishëm në jetën kulturore dhe intelektuale të shqiptarëve.

Kantautori i mirënjohur Ilir Shaqiri ka zgjedhur artin si formë nderimi dhe përmes poezisë “Vuthaj” sjell një homazh të ndjerë me ngarkesë të lartë simbolike. Kjo poezi tejkalon kufijtë e elegjisë së zakonshme dhe shndërrohet në një akt kujtese kolektive për figurën e akademikut.

Në vargjet e saj, vendlindja, natyra, historia dhe kujtesa ndërthuren në mënyrë organike. Vuthaj paraqitet jo vetëm si hapësirë gjeografike, por si truall shpirtëror ku lindin urtësia, qëndresa dhe vizioni. Përmes figurave poetike si “gurët flasin me gurra” dhe “majëmalet me burra”, autori e lidh figurën e Rexhep Qosja me madhështinë e natyrës dhe me frymën historike të maleve shqiptare.

Një nga kulmet semantike të poezisë është vargu: “Po shkruan Rexha…, mbi lëkurën e dheut që dridhet!”, ku akti krijues paraqitet si forcë që prek historinë dhe ndërgjegjen kombëtare. Po aq domethënës është edhe motivi i “metrikës së ecjeve tona”, përmes të cilit Rexhep Qosja shfaqet si orientues i rrugëtimit kulturor e kombëtar.

Përmes gjuhës së pasur figurative dhe ndjeshmërisë artistike, kantautori Ilir Shaqiri sjell bindjen se figura të tilla nuk largohen kurrë. Ato mbeten të gjalla në vepër, në kujtesë dhe në ndërgjegjen historike të kombit.

VUTHAJ

Lidhur me retë –
puthur nga lulet!
Aty ku gurët flasin me gurra,
majëmalet me burra!
Aty ku toka nektarin nga fara,
e dielli përkulet
mbi jastëkët e borës,
mbi djepësit e vet,
përthinje yjesh
varreve të bardha!

Hëna pehatet në barkun e natës…
Më e bukura balerinë
e përbujtur luginës…
E përnatshmja jetësore
me sytë e diellit
lëvaret dritareve,
përhiron mollët e vajzave,
përsysh perishanet e nuseve.
Moshëthyer i duket vetja
tek përralliset pellgoreve
duke pirë ujë në kërthizën e lumit,
nënkresë i bëhen brigjet,
e pagjumë
veshtinë!
Tepër e bukur për t’i besuar
të gjallët
më të gjallë se jeta
tek nanurisin porosinë:
Ndiq të parët – të mbarët,
gjatësisht e gjatë,
margjënor
ballëlart!

Trofetë qiellzojnë bukurinë
me kënaqësinë e dhimbjes!

Viganor – pallëlarë,
ves ballnik
e virtyt ballaballë!

Ata që jemi ne
rri atje
ku plaket bora,
atje ku zanat vekojnë nusërinë,
andej nga shkojnë furtunat
e malet rrinë!

Fol, o Mal,
më bardh se bora jote
nëna e kishte zemrën
edhe shaminë!
Vuthaj – valomë kujtese
mes kataraktesh paratrojane.

Aty muza të merr për dore
në sheshin e shijeve ndryshore,
ku gëzimi i dorëzohet guximit
e mendjet sundon e vërteta!

Aty ku tridhjetë e gjashtë germa
dihasin nga dritëhedhja e situr
me gjashtë sita +,
nën kërcitjen e gishtërinjve
si arra të forta
ormisjeve të pafundme…
Çejz mbi krahët e fluturave
ku përhimnohet e bukura!

Sakaq, ndrydhen retë,
të vetmet që nuk u marrin leje maleve,
argalisur derdhin urdhrin e ripërtëritjes
mbi gjethet pëllëmbore,
prelud i 1001 harkorëve vjenezë
mbi qilim – shpirtin e pambuluar
të luginës!

Vals veror
për afshzjarrtët që duan shi
dhe pak ormi!

Psherëtimat e pleqve
ngrohen pranë vatrës…
Kohë për t’i kujtuar
ato që kemi thënë,
ato që po themi sot,
domethënien
dhe domosdonë e tyre.
E nesërmja duhet të na gjejë pa gabime!

Osmozë bore
për orëmirët e historisë,
që lajnë sytë te krojet e bardha,
tek kuvendojnë,
këndojnë
e vuthzojnë ëndshëm
nën tingujt e prushtë
ajërflladitës.

Suitë valëzimi,
Kantatë e maleve,
Simfoni e livadheve,
Baladë e të rënëve,
Vajazan i të gjallëve!

Vuthaj – vatër që ngroh fatet
për rrugëgjatët…

Aty saktësohet metrika e ecjeve tona!
Aritmetikë përpjesëtimesh hapmëdha
për ata që shtohen
e mezi bashkohen.
Qartësisht e qartë
qëndisen në kartë
ata që ishin,
ata që janë,
ata që do të vijnë,
ata që mbi jetën patën,
kanë dhe do ta kenë
Shqipërinë!

Zëlartët mrizojnë puhishëm…
… qetësi…!?
Po shkruan Rexha…,
mbi lëkurën e dheut që dridhet!
Lidhur me retë,
puthur nga lulet…
Vuthaj – behar i urtësisë,
ku dielli përkulet!