Takimi i katërt i Gjeneratës 1978–1979NJË DITË KUJTIMI DHE MIRËNJOHJEJE

 Në ambientin e bukur të Restorantit Villa "Gërmia" në Prishtinë, në një atmosferë të ngrohtë, dhe mjaftë fisnike, mbushur me emocione që sjell kjo moshë, u mbajt takimi i radhës, njëherësh takimi i katërt i gjeneratës 1978–1979 të Qendrës Teknike Shkollore në Kastriot, institucion që sot me krenari mban emrin e patriotit “Ismail Dumoshi”, njërit prej drejtorëve më të përkushtuar të kësaj shkolle gjatë viteve të shtatëdhjeta.
 Në mesin e ish-nxënësve, prania e profesorëve Shaip Fazliu dhe Riza Noka i dha këtij organizimi një dimension të veçantë respekti dhe mirënjohjeje. Ish-kryetari i klasës, Avni Musliu, ekonomist i diplomuar dhe sipërmarrës i suksesshëm, me fjalën e tij të qetë, të ngrohtë dhe plot kulturë, u uroi mirëseardhje shoqeve dhe shokëve të klasës, të cilët kishin ardhur nga vise të ndryshme të Kosovës, nga shtetet e Evropës Perëndimore, si edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
 Në fjalën e tij përshëndetëse, Avniu falënderoi profesorët për pjesëmarrjen, ndërsa gjithë të pranishmëve iu uroi shëndet, jetë të gjatë - JETËGJATËSI, lumturi familjare dhe një pleqëri të qetë e të begatë. Ishte një përshëndetje e thjeshtë, por e mbushur me sinqeritet, që u prit me mirënjohje dhe buzëqeshje nga të gjithë.

Më pas fjalën e mori Zymer Gjonbalaj, profesor i kimisë, i cili, ashtu si në takimet e mëparshme, kishte ardhur posaçërisht nga New Yorku për t’iu bashkuar shokëve të gjeneratës. Ai solli edhe surprizën më të bukur të këtij takimi: kapele të kuqe me mbishkrimin “KLASA 78/79”, një dhuratë e përgatitur me shumë dashuri nga vajza e tij, Dritë Gjonbalaj, shoqet dhe shokët e babait të saj.
Ky gjest fisnik krijoi një atmosferë të veçantë. Kur të gjithë pjesëmarrësit vendosën kapelet në kokë, salla u mbush me ngjyra, buzëqeshje dhe krenari. Të pranishmit e tjerë në restorant nuk mund ta fshihnin kureshtjen se çfarë grupi ishte mbledhur me aq harmoni e gëzim. Ishte një ide e bukur, simbolike dhe origjinale, e cila i dha këtij organizimi një identitet të veçantë dhe e bëri edhe më të paharrueshëm.
Fjalët e Avni Musliut dhe të Zymer Gjonbalajt nuk mbetën vetëm në kuadër të formaliteteve. Ata përshëndetën edhe shoqet e shokët që, për arsye të ndryshme, nuk kishin mundur të merrnin pjesë në këtë takim. Një çast prekës ishte ai kur shprehën ngushëllimet e sinqerta për ndarjen nga jeta të nënës së shoqes së klasës, Hylkije Kicaj, duke përcjellë edhe nga ky takim fjalët më të ndjera të solidaritetit dhe dhembshurisë.
Më pas, dreka vazhdoi në atmosferën e bisedave të lira, kujtimeve të rinisë, humorit dhe rrëfimeve që rikthenin në jetë vitet e bankave shkollore. Grupet formoheshin e shpërndaheshin vazhdimisht; karriget ndërroheshin për t’u afruar me secilin, ndërsa orët kalonin pa u ndier. Rreth katër orë bisedash dukej sikur kishin kaluar vetëm katër minuta, sepse kur kujtimet janë të bukura, koha humbet peshën e saj.
Në këtë takim morën pjesë përveç profesorëve Shaip Fazliu dhe Riza Noka, edhe ish-nxënësit: Avni Musliu, ekonomist i diplomuar; Zymer Gjonbalaj, profesor i kimisë; Agim Dakaj, së bashku me motrën e tij nga Gjermania; Selvije Ibrahimi, nga Gjermania; Isak Qolli, komandant i UÇK-së; Sami Leci, ish-i burgosur politik dhe veteran i UÇK-së; Fatmir Sogojeva, nga Suedia; Gani Krasniqi, nga Franca; Destan Hashani; Ramadan Hasani; Ejup Kurshumlia; Shefqet Dibrani dhe Imer Brestovci. Veçanërisht u theksua se Imer Brestovci që prej sa vitesh jeton në Gjermani, ishte pjesëmarrës për të parën herë në kato takime, duke u lutur që herave të tjera të vijnë edhe të tjerë.
Rreth orës 15:15, në emër të grupit, Zymer Gjonbalaj falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për praninë dhe kontributin e tyre në ruajtjen e kësaj fryme miqësore. Ai përcolli përshëndetje për të gjithë shokët e shoqet që nuk kishin mundur të ishin të pranishëm dhe propozoi që takimet e gjeneratës të vazhdojnë të organizohen çdo tre vjet. Edhe pse pati mendime që këto tubime të mbahen çdo vit, u vendos që çdo propozim i ardhshëm të diskutohet në grupin e klasës në Rrjetin Social “Viber”, dhe çdo gjë të bëhet dhe marrëveshje të përbashkët.
Një falënderim i veçantë iu kushtua Dritë Gjonbalajt për dhuratën simbolike që i dha këtij takimi një ngjyrim të veçantë. Përmes të atit, profesor Zymer Gjonbalaj, pjesëmarrësit shprehën mirënjohjen e tyre për këtë kujdes fisnik, i cili do të mbetet një kujtim i bukur i këtij organizimi.
Në fund, në oborrin e gjelbëruar të Villa “Gërmia”, u realizuan fotografitë tradicionale të gjeneratës, fotografi që do të mbeten dëshmi e një miqësie të ruajtur ndër dekada dhe e një kohe që, megjithëse ka kaluar, vazhdon të jetojë në kujtesën dhe zemrat e secilit.
Duke iu bashkuar urimit të ish-kryetarit të klasës, Avni Musliu, edhe unë uroj që të gjithë bashkëmoshatarët tanë të gëzojnë shëndet të mirë, Jetëgjatësi, pleqëri të mbarë dhe realizimin e çdo ëndrre që ende i shoqëron në udhëtimin e jetës.

Prishtinë, 11 korrik 2026
Shefqet DIBRANI