Shoqata “Ana e Malit”: Të drejtat e shqiptarëve nuk janë privilegj, por të drejta të garantuara


Vazhdojnë politikat diskriminuese ndaj shqiptarëve në Mal të Zi

NEW YORK – Shoqata “Ana e Malit” me seli në New York shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me zhvillimet e fundit rreth emërimit të udhëheqësisë së re në Shkollën e Mesme të Kombinuar “Vëllazërim-Bashkim” në Ulqin, duke vlerësuar se ky rast dëshmon vazhdimësinë e një qasjeje institucionale që cenon të drejtat kombëtare, gjuhësore dhe administrative të shqiptarëve në Mal të Zi.

Si pjesë e diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po i përcjellim me vëmendje të shtuar dhe shqetësim zhvillimet në vendlindje. Mënjanimi i vazhdueshëm i kuadrove shqiptare nga pozicionet udhëheqëse në institucionet shtetërore nuk mund të konsiderohet më si një seri rastesh të izoluara.

Veçanërisht shqetësues është fakti se në një shkollë ku shumicën absolute të nxënësve e përbëjnë shqiptarët, mosnjohja aktive e gjuhës shqipe nga udhëheqja e institucionit krijon vështirësi administrative, pengon komunikimin dhe dëmton procesin arsimor. Gjuha shqipe në institucionet ku jetojnë dhe arsimohen shqiptarët duhet të jetë e respektuar dhe e pacenueshme.

Mali i Zi, si shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ka detyrimin të zbatojë standardet më të larta të mbrojtjes së pakicave, barazisë qytetare dhe mosdiskriminimit. Çdo praktikë që i vendos shqiptarët në pozitë të pabarabartë krijon ndarje ndërmjet qytetarëve dhe dëmton besimin e komunitetit shqiptar ndaj institucioneve shtetërore.

Shqetësim të veçantë paraqet edhe mënyra se si po trajtohet roli i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi. Vetë KKSH-ja ka bërë të ditur se mendimi i tij për përzgjedhjen e drejtuesve të shkollave ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe nuk merret realisht parasysh nga Ministria, por kërkohet vetëm si përmbushje e një procedure formale. Një qasje e tillë e zhvlerëson rolin përfaqësues të institucioneve shqiptare dhe e kthen konsultimin në formalitet.

Shoqata “Ana e Malit” në New York kërkon që institucionet përgjegjëse në Mal të Zi të respektojnë përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve, gjuhën shqipe dhe mendimin institucional të përfaqësuesve legjitimë të komunitetit shqiptar.

Njëkohësisht, i bëjmë thirrje faktorit politik shqiptar në vendlindje që për çështjet që prekin interesin kombëtar të mbajë një qëndrim të unifikuar, institucional dhe të vendosur, pavarësisht dallimeve politike. Mbrojtja e të drejtave kombëtare, gjuhësore, arsimore dhe institucionale të shqiptarëve nuk duhet të jetë çështje kalkulimesh partiake.

Qëndrimet e pjesshme, të tërthorta apo heshtja përballë rasteve të tilla nuk i shërbejnë interesit të shqiptarëve. Përkundrazi, ato dobësojnë fuqinë përfaqësuese të komunitetit dhe krijojnë hapësirë për vazhdimin e praktikave të marginalizimit.

Diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara do të vazhdojë të jetë e vëmendshme ndaj zhvillimeve që prekin të drejtat dhe pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi. Shoqata “Ana e Malit” mbetet e përkushtuar ndaj zhvillimit, stabilitetit, barazisë dhe mbrojtjes së të drejtave legjitime të bashkëkombësve tanë në vendlindje.

Të drejtat e shqiptarëve nuk janë privilegj – ato janë të drejta të garantuara që duhet të respektohen.

Kryesia e Shoqatës “Ana e Malit”

New York, SHBA