“The song of Gusinje”, kode kalorësiake aty ku burrat ndeshen për jetë a vdekje

(pjesë nga libri në përgatitje ““Plava e Gucia – në sytë e udhëtarëve dhe misionarëve” me udhëpërshkrues të huaj para shekullit XX që kanë kaluar dhe kanë lënë shënime për këtë krahinë)

Nga Enver ULAJ

Në kohën e interesimit të madh evropian për Plavën e Gucinë, ku populli theu vendimet e
Fuqive të Mëdha të Evropës, ku u kthye një ushtri e organizuar dhe me gjithë mbështetje që
kishte Mali i Zi dhe ku shqiptarët po krijonin vetëdijen për shtetin e tyre duke mos iu nënshtruar
urdhrave të sulltanit, “Kënga për Gusinjen” u botua dhe ngjalli interesim në disa nga qarqet
evropiane.
Për herë të parë lexuesit evropian ia solli hungarezi Janosh Asboth (János Asbóth, Johan de
Asboth, Johann von Asboth, 1845–1911) 1 e pas kësaj u botua në një periudhë tre vjeçare së
paku katër herë në hungarisht, anglisht dhe gjermanisht. Gjatë qëndrimit të tij në Bosnjë e
Hercegovinë në vitin 1882, dy vjet pas luftës së Nokshiqit, në qytetin e Sarajevës Asboth ndër
tjera ai shënoi nja 10 këngë popullore që tërheqin vëmendjen e tij, të gjitha pjesë të shkurtra
lirike përveç “Këngës për Gusinjën” si e ka titulluar ai. 2
Tshrnagortz-t e guximshëm po festonin,
Në dhomën e bilardos së Knezit 3 .
Foli gjatë ai fisniku Petrovitsh,
Derisa doli te toka e Arnautëve:
“Pse të mos pushtojmë Shqipërinë,
E ta shtojmë tokën tonë të bukur?”
Tridhjetë kapedanë iu përgjigjën:
“Atëherë dëgjo, o fisnik Petrovitsh!
Nëse këshillën tonë do ta dëgjosh,
Ulu e t’i shkruash menjëherë.
Pashës në Guci urdhër të rreptë,
Do luftojë ai, apo dorëzohet!”
Pastaj ata shkruajnë letrën:
Ali Pasha! Pasha turk! Shiko,
ja ku po t’vjen një letër e rëndë:
“A pranon ti ne të na nënshtrohesh,
Vendos në do të japësh çelësat;
Apo do kryqëzosh shpatat me ne?”
Ata e inkurajojnë lajmëtarin e frikësuar:
“Siç është shkruar ashtu u bëftë!” 4
Ata kurrë ndonjëherë nuk dëmtojnë,
As nuk kanë vrarë ndonjë të dërguar,
Merre pra këtë letër me peshë,
Merre dhe çoje deri në Gusi!”

I kënaqur, Tshrnagortzi tani
Shpejt e shpejt lidh këpucët e tij,
Mbërthen fort çantën e tij të krahut,
Hedh mbi krah gunën e tij të ashpër,
Dhe merr me vete pushkën e re;
Udhëton kështu nëpër Mal të Zi,
Gjithmonë me shkopin në dorë,
Fshehur në çarjen e tij letrën;
E çon të sigurt derisa hyn në Guci.
Bajraktarët, tridhjetë e gjashtë,
Rreth e rrotull Ali Pashës qëndrojnë;
Gjoksi me shenja u shndrit plot shkëlqim.
Shmangën mënjanë këta zotërinj,
Duke ia lëshuar rrugën të dërguarit:
Në gjunjët ulur para Pashës turk
E vendos i dërguari aty letrën e tij.
“Dëgjo Rrustem! o bajraktari im,
Ti kujdesmu mirë për këtë lajmës;
Jepi të hajë, jepi të pijë
Zemra e tij krejt çka t’i dojë.”
Ali Pasha tash letrën e lexon,
Lexon letrën gjithë duke qeshur,
S’e vonon përgjigjen aty për aty:
“Më dëgjo këtu, Petrovitsh Nik’la,
As edhe një pëllëmbë toke ty!
Si guxon? O i marrë i shkretë!
Urdhëro pra mblidh pra njerëzit tu,
Priju atyre këtu në Guci;
Le të shohim kush është zot këtu,
Kush udhëheq në tokë dhe në qytet.
Dërgo këtu nja dy kapetanë;
Vijnë në besën e Arnautëve
Nuk do t’u bëjë keq atyre askush.
Atyre t’ua tregoj ushtrinë time,
Vetë ata të shohin se çka ju pret,
Edhe ti të mos mashtrohesh lehtë.”
Lajmëtari kthehet te zotëria i tij, pasi ka marrë një dhuratë prej dyzet dukatesh.
Kapetanët i ulin sytë përtokë kur zotëria i tyre i pyet se cili prej tyre do të shkojë te Pasha.
Lazo Soshitza 5 s’ e uli shikimin,
Me guxim ai u ndesh me Knezin në sy:
“Si shoqërues më jepni Ilitz-in,
Tek Pasha unë vetë do të shkoj.”
Kapetanët Soshitza dhe Ilitzi nisen për në Guci. Pasha dërgon tridhjetë Arnautë për t’i takuar,
nga të cilët ata priten me oldjedije (delikatesa të rralla) dhe pije freskuese 6 .

Ata qëndrojnë për tetë ditë në Guci dhe shpjegojnë se Princi i tyre është betuar mbi Kryq dhe
Ingjill (Ungjill) për ta lidhur Pashën.
Ali Pasha u jep atyre dy palë ledenitz-e 7 , pistoleta argjendi shqiptare:
“Shkoni! dhe fati qoftë me ju, miq;
Të fala nga unë, Knezit Petrovitsh,”
Bajraktarët, Rustemi dhe Ilazi, i shoqërojnë ata deri në kufi.
“Më thuaj, o Iliaz, më thuaj, Turk,
Pse kjo toka pranë Gucisë
Është lëruar, e gjitha është gërmuar?”
“E lëruar jo; por e gërmuar, po; 8
Varret turke janë hapur këtu.”
“Me kë luftuan, ata që ranë?’
“Luftë me Petrovitshin, ata ranë.”
“Mos ishin luftë ndaj armëve ruse?”
“Jojo, u vran’ nga Nik’las Petrovitsh.” 9
“Sa varre gjithsej janë hapur këtu?’
“Afërsisht varre janë tre mijë.”
“Rustem, dëgjo! Dëgjo, o Turk!
Të gjitha këto varre janë hapur,
Por brenda kufoma shoh që nuk ka.”
“Nuk ka se këto varre ju presin ju!
Pse janë tre mijë trima shqiptarë,
Janë betuar e kanë lidhur besë,
Rreptë e me besim të patundur,
Një herë çarkun, e më pas shpatën,
Do hidhen me tehe të zhveshura,
E do të luftojnë me egërsi,
Deri në fat a deri në fikje.” 10
Kështu arritën deri në kufi,
I puthën atje, e shkuan në shpi.
Kapetanët i thonë Princit:
“Mblidh tani, bashko trupat tua,
Ali Pasha prej kohësh po të pret,
Ky është mesazhi që t’ka dërguar,
I dëshiruar për Teferitsh 11 .”
Shtatë letra i shkruan Nikolla,
Po i dërgon nëpër shtatë male;
Dy prej këtyre i nis në Moratsha,
Dy në krahinat me këtë emër,
Një letër e merr fisi i Ashanëve,
Një është edhe për Levretshanët,
Dërgon një tjetër letër te Kutja,
Një ia dërgon fisit Vasajevitsh,
Dobrnjikut poashtu një mesazh,

Kapetan Millani merr të fundit,
Në kalanë fortesë në Nikshitsh. 12
S’bëhen dy javë aty mblidhen
Pesëdhjetë mijë Tshrnagortz-ë;
Të zemëruar janë si gjarpri;
Dinë të godasin, rreptë luftojnë,
Me sytë gaca armikun shikojnë,
Trimat përçmojnë goditjet e forta,
Qëndrojnë me të rënët me guxim.
“Vukotitsh, kunati im i mirë,
Pesëdhjetë mijë burra i ke këtu,
Topa i ke tridhjetë e dy,
Bomba për çdo fortesë poashtu.
Këtu ma sill Ali Pashanë!
Këtu e dua të gjallë Alinë;
Pushtoni të gjithë tokën e tij,
Gjithë dheun e Arnautëve,
Deri në qytetin e tyre, Selanik!”
“Zoti im i mirë, Petrovitsh Knez!’
Heronj janë këta shqiptarë; 13
T’i pushtosh s’është një gjë e lehtë.”
Në ballë të gjithë trupave të tij,
Stefan Vukotitsh sulmin e drejton
Lëndinave të bukura të Gucisë. 14
“Pashë, mos u fsheh në dhomën tënde!
Male të zeza, bijtë e tu arrijnë!
Bajraktarë, ejani, shikoni
Nga dritaret e kështjellës atje!”
Dhe Pasha shikon rreth e rrotull tij.
Mos u zbehen komandantët e tij?
Udhëheqësit shikojnë me nënçmim,
Duke qesh me rrezikun që po vjen.
Ali Pasha pastaj brof në këmbë,
Fut në këmbë mbathjet shpejt 15 ,
I dha kalit drejt e në Tsharshi 16 .
Të gjithë popat pastaj i ka mbledhë,
Dhe gjithë popullin e rajasë 17 .
“A më dëgjoni, raja e Gucisë!
Petrovitsh-i e ka nis për këtu
Ushtrinë e tij që të më pushtojë.
Nëse doni të ktheheni me ta?
Shkoni pra, bashkojuni atij!

Kthemani pushkën mua që tani;
Unë do t’ua jap barutin, pra.” 18
Raja bëri një përulje të thellë.
“Zot dhe Pashë! Me gjithë besimin
Ne t’i kushtojmë jetët tona ty.
Ti ishe gjithmonë i mirë me ne;
Ne me ty do të qëndrojmë o biem.”
“Nuk jam duke kërkuar ndihmën tuaj,
Raja ime e varfër! Se nëse
Në këtë betejë ju e pësoni,
Nënat do të ma japin mallkimin.
Qëndroni pra këtu në Tsharshi,
Qëndroni këtu, o raja besnike,
Ali Pasha mbetet babai juaj.” 19
Tellalli bërtet në të gjitha rrugët:
“Kushdo që largohet nga Gucia,
Gra e fëmijë ai do të humbasë,
Ata do t’ia kallim në zjarr!”
Kërcet topi duke gjëmuar
Dhe i thërret Arnautët në luftë.
Me qylahë 20 të bardhë në koka,
Me fustanella veshur trupit
Çakshirët a bardha në këmbë,
E me pushkë mbushëse 21 në dorë,
Tre mijë arnautë janë gati,
Të qëllojnë, pastaj me shpatë,
Të palëkundur, përballë fatit
Çkado që për ta të jetë shkruar.
Pasha, i veshur me ar dhe argjend, me armët e shtatit ngjeshur, kalëron përgjatë vijave të
trupave turke, arnautët e ndjekin nga pas. Ata rreshtohen para xhamisë për t’u lutur. Nënat u
thërrasin bijve të tyre:
“Oh, ju bij! Paçi faqen e zezë!
Mjerimi e turpi ju pushtoftë,
nëse e koritni vendin tuaj.”
Beteja fillon, pasi ftesa për dorëzim është refuzuar nga të dyja palët. Pashai hidhet me shpatë të
zhveshur mbi Tshrnagortz-t, nën një breshëri plumbash; ai ndiqet nga bajraktarët shtatgjatë me
shpata të mprehta, e më pas tyre vijnë Arnautët.
Qëllojnë një herë, shpatat nxjerrin,
Shpejt nxjerrin shpatat vezulluese,
Hidhen përmbi Tshrnagortz-ët,
Mbërthehen pa mëshirë për fyti.
Krisma e pushkës nuk dëgjohet më,
Veç ndeshja dhe tehet e shpatave,

Bubullimë e rëndë topash gjëmon.
A do të shpërthesh, o tokë e zezë?
A do çahesh dysh, o qiell i kaltër?
Shiko! se yjet vetë po bien,
Dhe fusha mbulohet me të vdekur. 22
Njëri vajton: “o kuku nëna ime!”
“Kjo s’të ndihmon dot, ia hedh tjetri.
Shpatë e mprehtë, teh më i mprehtë,
Në fushë janë sot nanë e babë” 23 .
Turqit kanë thyer linjat armike;
Në ujëra t’Limit u hodh një urë.
Shiko sesi u skuqën ujërat,
Skuqur nga gjaku i Arnautëve.
Me forcë brambullojnë topat,
Më fort gjëmon britma e Aliut:
“Frikë mos kini, o heronj trima!
Ndihma vjen, katër mijë burra
Vijnë Peteratz dhe Kolashini.”
Edhe një herë gjëmon topi,
Topi nga prapavija turke.
Shikoni! Popin! shikoni rajën
Po i sjellin nga kështjella,
Kështu ndihmojnë artiljerët tanë.
Ku shkuan ujërat e kthjellëta të Limit
E rrjedha e Zetës ku humbi?
Kufomat e Tshrnagortz-ve mbushin
Tani mizorisht shtratin e lumit.
Limi dhe Zeta 24 ku kishin përzier
Ujërat e tyre aty më parë
Bllokuar nga grumbujt e kufomave;
Tani nuk mund të rrjedhin më tej,
Duke mbushur fusha e livadhe,
Tani duhet të zbrazin të vdekurit.
Ali Pasha shikon përreth vetes:
“Oh, fisi i paepur i Vlashëve 25
Kujdes, po hyn tani në Gusi!”
Por një shqiptar gjithë i larë në gjak
Trim i guximshëm i zmbraps ata.
“Ti veç mbaje bregun e Limit,
Më i dashuri pashë, Ali Pasha!”
“Ku e kam Rrustem bajraktarin”?’
“Ai shembi një urë mbi lumin Zeta,
Urën që i përkiste armikut;
Kështu tash ai nuk mund ta kalojë.”

Përpara hidhet mbi kalë të bardhë
Arnauti me shpatën e ngrehur,
Me shpatën e zhveshur në dorë,
Thellë përmes zemrës i plagosur.
“Ti veç mbaje bregun e Limit,
Më i ëmbli pashë, Ali Pasha!”
Iliaz bajraktari arrin ta kapë topin
Atje tej me tre mijë shqiptarë,
Topin e princit, top i klasit të parë,
Dhe gjithë artiljerët i ka vrarë.
Shiko Ali Pasha, Pasha hero
Shiko çka ndodh në bregun përtej!
Mrekulli, mrekulli ai sheh atje,
Në panik koke ikin Tshrnagortz-ët!
“Qëndro, qëndro, o Stefan Vukotitsh!
Qëndro, edhe pak aty o trim!
Për një moment të lutem, prit!”
“Pashë i rreptë, duhet të tërhiqem;
Trupat e mia nga ti u munden,
Mijëra prej tyre ti i ke vrarë!”
“Trim Vukotitsh, veç një fjalë pata;
Merr nga unë mbaje këtë jatagan,
E çoja këtë kartë zotit tënd,
Knezi yt duhet ta dijë mirë
Si ti ke luftuar trimërisht këtu,
Siç lufton heroi para hasmit të tij.
Faji s’duhet të bie kurrë mbi ty;
E dëshmoj këtë, me vulën time,
Që vendosa mbi këtë dokument.”
I bie më not tej përtej lumit Lim
Duke mbajt shkresën dhe jataganin,
Iliazi, bjaraktari trim.
Kthehet prapa me treqind florinj
Të dhënë atij nga Vukotitsh-i.
Me ta, gjithashtu, sjell këtë mesazh:
“Bajraktar i guximshëm! Për mua
Puthe dorën e Pashait tënd.”
Në Guci ulet duke festuar
Ali Pasha, heroi Pasha.
Në Tshettinje 26 duke qarë
Rri Petrovitshi, Knez Nikolla;

Ka humbur kaq shumë heronj,
Në ta tridhjet’ kapetanë trima.


II. Historia e këngës

Këngën për herë të parë e kam parë disa vite më parë në një faqe interneti boshnjake të Plavës
dhe Gucisë. Ishte një publikim i pa analizuar i variantit gjermanisht, që me vonë e gjeta në
revistën hungareze të vitit 1887-1888 “Ethnologische mitteilungen aus Ungar” 27 . Më pëlqeu për
origjinalitetin, edhe për qasjen, tonet e forta epike dhe kodet homerike të luftimit. Me intrigonte
edhe rruga që kishte bërë kënga nga trojet tona në Bosnje, e nga aty në gjuhët evropiane. Ajo
ishte sjellë në një variant të shkurtër nga Asboth me pak parathënie në të cilin cek mënyrën
sesi këngët muslimane paraqesin ngjarjet e kohëve të fundit, përfshirë edhe ngjarjet politike.
Sarajeva sapo ishte pushtuar nga Austrohungarezët në vitin 1878, kurse lufta për mbrojtjen e
Plavës dhe Gucisë kishte ndodhur 7-8 vjet më parë se të botohej artikulli. Ky ishte një botim i
shkurtër i përmbledhur në 3-4 faqe teksti, pjesërisht i përfolur nga Alsboth e vetëm në disa pjesë
më me rëndësi është i përkthyer vargu. Menjëherë me hyri në zemër.
Ndoshta pas një viti gjeta botimin e plotë. Jo një por dy, njërin në gjuhën gjermane kurse tjetri
në gjuhën angleze botuar në Londër dy vjet më vonë. Teksti i këngës ndërpritet kohë pas kohe
dhe Asboth jep sqarime. Nuk e di nëse ato kanë qenë pjesë e këngës që ai i ka përfolur, apo
thjesht janë sqarime shtesë të tij. Në gjuhën gjermane dhe angleze kënga gjatë përkthimit është
kthyer nga dhjetë rrokëshi epik ballkanik në tetë rrokësh. Në ato pak rreshta në hyrje Alsboth
thotë se e ka dëgjuar të këndohet në lahutë (guzla) në shtëpinë e një beu boshnjak sarajevas.
Gjatë përgatitjes së këtij materiali e gjeta edhe origjinalin në gjuhën boshnjake. Jo se ishte më i
mirë, botimi i Asboth ishte i shkëlqyeshëm, por origjinali më ndihmoi të kuptoj nënshtresat
kuptimore të tekstit dhe sidomos pjesët që hungarezi nuk i kishte kapur në gjuhën e huaj.
Pas botimit të parë në revistë, kënga si duket kishte ngjallur interesim dhe që në numrin e vitit
tjetër 28 botuesi i “Ethnologische mitteilungen” Anton Herrman angazhohet ta zgjerojë më tej këtë
temë, për çka ai angazhon sllavologun Friedrich Salomo Krauss 29 . Në parathënie shpjegon se
në numrin e kaluar “ne arritëm të përfshijmë vetëm një fragment nga përkthimi gjerman i kësaj
kënge nga J. v. Asboth, sepse kontribuuesi ynë i nderuar nuk e kishte tekstin origjinal në dorë
në atë kohë”. Që atëherë ai kishte kërkuar dhe gjetur tekstin në gjuhën boshnjake me ndihmën
e Krauss ia përshtat lexuesit gjermanish folës në Vjenë, kësaj herë me tekst origjinal në gjuhën
boshnjake.
Ndërkohë në vitin 1888 Absbothi botoi veprën e tij fillimisht në gjuhën gjermane në Vjenë 30 ,
ndërsa dy vjet më vonë në vitin 1890 edhe në gjuhën angleze në Londër me emrin “An official
tour through Bosnia and Herzegovina” përmbajtjen e të cilit e tregon nëntitulli i saj (with an
account of the history, antiquities, agrarian conditions, religion, ethnology, folklore, and social life
of the people)”. 31
Në këtë libër ai tregon përvojën e tij në Bosnjë. Derisa po shëtitej natën vonë rrugëve të
Sarajevës dhe po shijonte jetën e një nate vere (Austrohungarezët po përpiqeshin që Sarajevës
nga një vend i perandorisë turke t’i jepnin një identitet evropian, gjë që edhe e kanë bërë në
pjesën e Sarajevës austrohungareze e dukshme sot), e dëgjoi një këngë që këndohej me lahutë
në një ndejë në kopshtin e një shtëpie bejlerësh në Sarajevë, ku paria vendase po argëtoheshin
në freskun e mbrëmjes pranë lumit Miljacka.

“Këngët u dhanë fund valleve – këngët heroike, ndonjëherë të ‘thurura’ pafund. Nga ato të
lashta, kishte edhe nga ato që merreshin me ‘ngjarjet e fundit’ dhe ofronin një pasqyrë
jashtëzakonisht interesante të pikëpamjeve popullore mbi ngjarjet politike dhe të mënyrës se si
trajtohet politika në këtë pjesë të botës” shkruan ai në hyrje.
Si e kanë vënë re edhe autorë tjerë më parë e deri në ditët e sotme ajo që bie në sy të
evropianëve është një qasje respekti burrëror e nderi në këto ndeshje nga ajo që e përshkon
edhe eposin letrar të shqiptarëve të shkruar deri te Gjergj Fishta në “Lahutën e Malcisë”, pjesa
më e madhe e të cilës i kushtohej pikërisht kësaj lufte për të cilën flet “Kënga për Gucinë” dhe
kryeheroit Ali Pashë Gucia.

III. Ndeshjet shqiptaro malazeze 

Edmund Spencer, një udhëpërshkrues britanik po i shekullit 19, udhëtoi gjithë pjesën e Ballkanit dhe në vitin 1848 qëndroi në Guci, ku përshkroi gjendjen e atij momenti kur vendasit bënin luftime për të mbrojtur tokat e tyre pjellore në luginën e Plavës dhe Gucisë nga fisi i Kuçit.  Ai shkroi se armiqësia shqiptaro malazeze, ndonëse e ashpër, sipas tij, ka nota burrërie dhe nderi, që “një udhëtari nga Perëndimi ia kujtonte se si mund të kishte qenë Skocia e bukur në ditët e kaluara, kur kapelat blu kishin vendosur të kalonin kufirin anglez”. Ai këtë e quan kalorësi: “Ndoshta tipari më interesant në karakterin e këtyre njerëzve, qofshin arnautë apo sllavë, kaq të kundërt me njëri-tjetrin në besim dhe racë, është kalorësia e tyre e njohur. Për shembull, nëse në vend udhëton një i huaj, i cili nuk është palë në grindjet e tyre, armiqësitë pezullohen derisa ai të jetë përtej zonës së plumbave të tyre. Ata sillen me të njëjtën mirësjellje ndaj një gruaje, qoftë e krishterë apo muhamedane, e cila mund të kalojë nëpër radhët e secilës palë pa asnjë frikë nga ngacmimi; bile, aq i madh është ndikimi i gjinisë të bukur mbi këta luftëtarë të ashpër, sa një grua mund të shkaktojë në çdo kohë pezullimin e armiqësive, kur shkaku i mosmarrëveshjes i lihet rregullimit të pleqve”.

Kjo që ka përshkruar Spencer ndodhte në fundin e viteve 40 të viteve të 1800-a, derisa në skenë dalin fisi i Vasojeviqit, që poashtu ishin sllavizuar njëjtë si fisi i Kuçit. 

Në ndeshjet e mëvonshme mes shqiptarëve e malazezëve kryesisht bartës të kësaj lufte u bënë fqinjët ri, ata të fisit të Vasojeviqëve. Duke filluar në pjesën e parë të shekullit XIX, e sidomos nga gjysma e dytë deri në fund të tij, Vasojevviqasit kishin kaluar rrëzave të Komeve dhe kishin zbritur fillimisht perreth lumit të Zlloreçicës (Andijevicë) e më pas u zgjeruan drejt Plavës dhe në luginën e poshtme të Limit, që në atë kohë quhej Has, ku më vonë u themelua qyteti i  Beranes më 1862. 

Vasojeviqët nuk erdhën dhunshëm në luginën e Limit, nuk erdhën si pushtues, bile në një farë mënyrë u mirëpriten. Tokat e mira ishin të banuara rrallë dhe ardhja e fqinjëve të rinj nuk u pengoi shumë vendasve. Në luginë, ata erdhën si çipçinj dhe pranuan me dëshirë të shërbejnë si të tillë në tokat e bejlerëve të Plavës dhe Gucisë. Gjithë lugina e Limit deri në Beranën e sotme njihej si nahija e Plavës dhe Gucisë dhe në këtë kohë ishte pronë e bejlerëve të Plavës dhe Gucisë kryesisht familjeve Rexhepagaj, Omeragaj, Shabanagaj, e dhe shumë familjeve tjera. Pa harruar se më parë për një kohë gjatë shekullit 17 kishin qenë në zotërim të kelmendasve, kur Kelmendi ishte në ekspansionin e vet më të madh. Por me mbështetjen e  turqve bejlerët dhe agallarët e Plavës dhe Gucisë arritën t’i dëbojnë kelmendasit dhe e morën pronën në zotim për rreth dyqind vjet. Në këtë kuptim për parinë e Plavës ardhja e çifçinjve vasojeviqas, në luftën e tyre kundër Kelmendit ishte e mirëseardhur. Është e njohur shprehja e asaj kohe që malazezët janë më lehtë të nënshtrueshëm dhe më pa pretendime, në krahasim me kelmendasit e egër dhe të panënshtrueshëm. Kelmendasit që nga dokumenti parë që përmendet nga turqit në vitin 1497 ishin përmendur si gjysmë autonom dhe pronarë të tokave të veta, asnjëherë nuk kishin qenë çipçinj. Këta agallarë, e ndër ta thuhet se Rexhepagajt më së shumti, ndër shekuj sollën malazezë edhe brenda Plavës dhe Gucisë duke krijuar kolonitë e tyre në Gjyriq, Brezovicë etj, për t’i shfrytëzuar për punë dhe kundër kelmendasve. Autori Veshoviq në librin e tij për fisin Vasojeviq (1935) thotë se as Vasojeviqët nuk ishin të pakënaqur me pozitën e tyre në luginën e Limit, pasi toka ishte e pëlleshme dhe pagesat ndaj Plavës e Gucisë ishin më të ulëta sesa ndaj sulltanit, e në shumë raste kalonin edhe vite pa paguar.

Të hamendur mes rrënjëve të tyre arbërore, joshjes nga turqit dhe islamizimi dhe interesave të çastit, nga vitet 1850 Vasojeviqët vendosin definitivisht të vihen në shërbim të knjazit të Malit të Zi. Ai kishte ambiciet e veta që me mbështetjen perëndimore dhe të Rusisë të merrte sa më shumë nga Turqia e lodhur, kurse Vasojeviqëve ua dha mundësinë që ta zhvillojë profesionin e tyre të preferuar cubërinë dhe grabitjen. Kështu filluar ndeshjet e pandalura me shqiptarët nën hijen e largimit të perandorisë turke nga Ballkani dhe në themelet e krijimit të shtetit shqiptar. 

Megjithatë ndeshjet me Vasojeviqasit i humbën notat e kalorësisë së përmendur më lart nga autorë si Spencer e Asboth, ose sepse ky fis nuk e kishte burrërinë dhe trimëritë e Kuçit, ose sepse kohët kishin ndryshuar, kombet ishin krijuar dhe nën plafin e Perandorisë turke dhe në largimin e saj po zhvillohej një përplasje e madhe mes dy popujve. Ndoshta edhe mbështetja e pafund që Fuqitë e Mëdha ua kishte dhënë malazezëve ishte marrë si leje për të bërë çkado, që të vinin në plan idetë ekspansioniste dhe për sigurimin e tokave të bukës për një popull të varfër dhe të uritur.  Prandaj kur morën pushtetin në krahinë Vasojeviqët në vitin 1912/13 dhe në vitin 1919 ata kryen masakrat nga më të tmerrshmet nga popullatën civile, në gra e fëmijë, të moshuar e të sëmurë, pa mëshirë dhe në kundërshtim me çdo kod e kanun vendor nderi, lufte e burrërie. E po e njëjta ndodhi edhe në Kosovë në vitet 1998-1999. Pikërisht zona Pejë-Gjakovë, ku jetonte me shumicë popullata malazeze serbe, është zona ku ndodhen krimet dhe masakrat dukshëm më mizore në Kosovë. 

Mbase beteja e Nokshiqit është e fundit luftë e tillë burrërore që u zhvillua me kode nderi, me respektin për fituesin dhe për humbësit, për të gjallët dhe për të vdekurit, pasi pikërisht në këtë luftë malazezët udhëhiqeshin nga kuçjanët Mark e Teodor Milani. “Kënga për Gucinë” e shpreh më mirë se kushdo tjetër këtë kod nderi e kalorësie dhe kjo është një nga vlerat më të mëdha të saj. Fituesi shpreh respekt për humbësin, por edhe për popullatën serbe ortodokse vendase, para dhe pas luftës. Ndeshjet ndodhin mes burrash që pas një të shtëne hedhin pushkët, kapin shpata, e ndeshja përfundon me kapje fyt me fyt, por fituesi nuk e prek popullin e thjeshtë. Ata edhe para edhe pas luftës vijuan të jetonin të patrazuar dhe të respektuar në qytetin e Gucisë, ndërsa ata po njëjtë respektojnë një pasha hero si Ali Pasha. Kënga i nxjerr në pah këto kode nderi e lufte si në veprat e Homerit, ku ka nderim dhe respekt për fituesin dhe për humbësin. Një pasha i madh dhe një popull hero.

E përmbyll këtë hyrje me vlerësimin e fundit dhe mbase më interesantin të Alboth për Këngës e Gucisë: “Interesante dhe karakteristike është objektiviteti i mirësjellshëm me të cilin këngët heroike muhamedane trajtojnë kundërshtarët e tyre të krishterë, në kontrast me urrejtjen dhe përbuzjen ndaj turqve të shprehura në këngët e krishtera. “Kënga e Gucisë”, e cila tregon veprat luftarake të Princit të tanishëm të Malit të Zi, është një këngë heroike muhamedane e kësaj klase”.

IV. Varianti boshnjak i këngës për Gucisë 

Varianti boshnjakisht është më i shkurtër se ai anglisht dhe është zhgënjyes pasi ke lexuar më parë variantin e Asboth pasi për mua kënga as përafërt nuk ka vlerën dhe forcën që e ka në anglisht. Krauss thotë se tekstin e këngës nga origjinali ia ka shënuar një mësues serb nga Hercegovina, i panjohur për të, por nuk ka të dhëna nëse Kraus dhe Asboth kanë pasur të njëjtin tekst këngë apo variante të ndryshme, pas këngët kanë shumë dallim. 

Në variantin e botuar boshjnjakisht (1888) mungojnë shumë nga episodet e bukura dhe fryma fisnike e kalorësiake është shumë më e dobët. Edhe figuracioni është më i zbehtë. Në aspektin e analizës historike kjo ka ndryshime, roli i Ali pashës si “baba” dhe mbrojtës i rajës malazeze nuk është i pranishëm, sikurse mungon edhe besnikëria e rajasë ndaj pashës së vet që e ka varianti tjetër. Është përfshirë besnikëria ndaj sulltanit, që nuk është fare në variantin anglez e gjerman. Skenat e luftës janë më të reduktuara, pa atë pjesën kur ka një dilemë nëse po fiton njëra apo tjetra palë, në variantin boshnjak fitorja nuk vihet në dyshim, kurse në variantin e Asbosh, malazezët hyjnë deri te portat e qytetit, por pastaj “një shqiptar i larë në gjak” (që mua tërësisht më vjen si imazhi i Jakup Ferit), i largon nga aty. Mungon edhe pjesa e bukur “Ti veç mbaje bregun e Limit, më i dashuri Pashë, më i ëmbli Pasha!”. Ndryshon edhe dialogu epik mes fituesit dhe humbësit në finale, pasi këtu Ali Pasha është thumbues e tallës ndaj Knjaz Nikollës, kurse Stevan Vuktoqi shprehet se është i turpëruar, ndryshe nga varianti i mësipërm kur dy burrat janë më kreshnikë. 

Megjithatë në aspektin gjuhësor, kjo e plotëson variantin e parë duke sjellë atmosferë më autentike të luftërave ballkanike. Këtë e bën posaçërisht me emrat e njerëzve (që në pjesën më të madhe, së paku për mua, janë persona të panjohur dhe ta padëshmuar historikisht si Vukotiq Stevani, apo bajraktarët Rrustem dhe Iliaz ), por edhe toponiminë duke qartësuar disa nga dilemat që ka teksti anglisht. Ndërsa pasuria e fjalorit në gjuhën e origjinalit, e pasuron shumë tekstin dhe nëntekstin e këngës me fjalë dhe përshkrime autentike, jo vetëm të fjalorit, por edhe të një tradite vendore në luftërat shqiptaro malazeze. 

Kënga e Gusinjes

Pikan verë malazezët e egër
në Biliardën e knjazit Petroviq.
Në mes tyre Petroviq Nikolla.
Muhabete hapkan për gjithçka,
por më në fund për tokën shqiptare:
— “A do ta sulmojmë atë tokë,
se më duhet ta zgjeroj vendin tim?”

Po i thonë tridhjetë kapitenë:
— “Zoti jonë Petroviq Nikolla,
po të doje ne të na dëgjosh,
ti t’i dërgosh një letër pashait,
atij turkut, pashës Alipashë.
Dërgo letrën ti atje në Guci:
a do pasha të luftojë me ne,
apo ndoshta do të na dorëzohet!”

Malazezi dy herë s’u mendua,
por shtrëngoi opingat në këmbë,
shpatullave cakullin e larm

e në krahë gunën e përhime 

kapi armën pushkën ignelije
dhe iu kap maleve të zeza.
Kur arriti pranë hudutit turk,
fshehu letrën e futi në një cep
dhe me një hap zbriti drejt Gucisë.

Kur te pasha hyri në një dhomë,
tridhjetë bajraktarë po i gjen aty:
në të djathtë Iljas Bajraktari,
në të majtë Bajraktari Rustan,
në kraharor nishanet e mretit.
Nimë o Zot! Thirri malazezi,
hapën rrugën bajraktarët e lehtë,
po i afrohet pashës malazezi,
po ia merr e puth dorën e tij
e m’ia lë letrën përmbi gju.

Lexon Pasha letrën rresht m’rresht,
lexon letrën, qesh me zë të lartë.
Pasi pasha e kqyr mirë e mirë,
ul në shkam letër tjetër shkruan:

— “A dëgjon ti, Petroviq Nikolla,
nuk të jap ty tokë as qytete.
Çka shpresove mor i marr i shkretë?
Mblidh ushtri gjithë sa të duash
edhe sjelli fushave të Gucisë,
aty unë e ti, aty të përballemi.
Do ta shohim kujt i takojnë qytetet,
a është toka e sulltanit tonë
apo e jotja, Petroviq Nikollë.
Mi dërgo ti nja dy kapitenë
mbështetur në besën shqiptare,
premtoj se s’do t’ju ndodh asgjë.
Vet le ta shohin ushtrinë time,
që të mos thuash se ish mashtrim.”

Lazari i thirr Iljas Bajraktarit:
— “O ti turk, Iljas Bajraktari,
perse kështu fushat nën Guci
qenkan lëruar dhe qenkan çërmuar?”
— “A më dëgjon, o Lazar Soçica!
ajo fushë nuk është e lëruar,
por taman ajo është e gropuar

fusha është me varre turke
ata turq të vranë gjithandej
dhe këtu ne i kemi varrosur.”

Ia hedh fjalën menjëherë Lazari:
— “Kush i vrau turqit nga kush pësuan?”
— “I vrau knjazi Petroviqi juaj,
me njat ditë kur këndej sulmoi.”
— “Haber s’kemi kush s’e ka dëgjuar;
a mos ishte nga ushtria ruse?”
— “Jo, nuk ishte ushtria ruse,
veç goditjet e knjazit Petroviq.”

— “E sa varre paska në këtë vend?”
— “Këtu janë varre plot tre mijë.”

Përmes fushës atëherë po i bin.
Shkon Llazari e po shikon varret,
nuk po i sheh trupat askurrkund.
— “O ti turk, Iljas bajraktari,
që janë hap varret ti më the

Hapur po, por nuk janë mbuluar;
e kufoma në to asnjë s’ka!”
— “Për njat Zot, o ti Llazar Soçica,
kështu juve pasha po ju pret.
I ka pasha tre mijë arnautë,
arnautë që kanë ba një be:
secili prej tyre ka bërë jemin,
kanë ba be me din e imanë,
nga një pushkë një herë të nxjerrin,
tuj hallakatë. Me emën të Zotit,
jataganat pastaj do t’i nxjerrin
dhe do bien përmbi malazezë,
bahti i zotit si kujt t’ia jep fati!”

I çuan përmes fushës së Gucisë,
pesë çerekë tokë ecën bashkë,
në kufirin e knjazit Petroviq.
U përqafuan dhe u ndanë.
Bajraktarët zbritën në Guci,
kapitenët u kthyen në Cetinë.

Kur dëgjoi knjazi këtë hata,
u ul të shkruajë letra të shpejta .
Shtatë letra shpejt i përgatiti,
e i dërgoi aty në shtatë male:
dy letra i nisi në të dy Moraçat,
një në Ashanë knjazi e nisi,
një tjetrën për në Jevoriçanë,
edhe të Kuçët, letrën e dërgoi.
Dërgoi një letër në Vasojeviqë,
në Drobnjakë letrën poashtu.
Një letër për qytetin e Nikshiqit,
e në dorën e kapiten Milanit:
“Të mi mblidhësh trimët e Nikshiqit!”

Ashtu shkuan dhjetë pesëmbëdhjetë ditë,
ushtria filloi t’i mblidhej ngadalë.
luftëtarë mblodhi pesëdhjetë mijë,
malazezë si gjarpërinj të egër,
që dinë ku godasin e ku tërhiqen,
ku presin në vend të frikshëm,
ku mësyjnë edhe kur i pret prita,
e të mos lënë shokun e plagosur.

“Kjo tokë nuk merret lehtë,
Arnautët janë trima në zë.”

Bajraktarët nuk do të tremben,
por qeshin me pashain në odë.

Atëherë pyeti pasha Alipasha:
— “Pashë Zotin, o bajraktarët e mi,
a e keni ende atë besën e parë,
që fytyrën të mos e fshihni,
por të godasim mes malazezëve?”

— “E kemi, o pasha, atë besë të parë!”

Atëherë pasha kërceu më këmbë,
futi në këmbë këpucët jemene,
me vrap pasha doli për çarshi
dhe thirri me një zë që bubulloi:
— “Këtu ma bini priftin e Gucisë!”

Dhe nxori telalë rrugëve të Gucisë:
“Kush largohet nga Gucia ime,
gjithë familjen do t’ia djeg në zjarr!”

Pastaj i briti Iljas Bajraktarit:
— “Shko fluturim në tabje të qytetit,
thirru ti topçinjve të mbretit
të ndezin topat nga qyteti!”

Bubulluan topat që të katër,
e gjëmimi u hap rrafshit të Gucisë.
Nuk kaluan as tri çerekë kohë,
kur vërshuan arnautët e rreptë:
në kokë kishin qeleshe të bardha,
në shpatulla mintanë të bardhë,
në këmbë çakshirë të bardhë,
në duar pushkë me ignelie;
erdhën plot tre mijë shqiptarë.

— “Do të përplasemi me ta,
secili nga ne nga një pushkë të zbrazë,
pastaj të kapim shpatat e përflakura!”

E t’i nxorën shpatat nga këllëfët,
e u sulën mes malazezëve.
Kur t’u afruan shqiptarët e rreptë,
edhe zbrazën secili nga një pushkë,
u hallakatën, thirrën emrin e Zotit
dhe u kapën për shpatat e zjarrta
dhe u përplasën përmbi malazezët.

Me sa mundën ashpër u goditën,
sa të gjithë u kapën trup më trup,
krejt për fyti e për përçini.
Krismë pushke as nuk dëgjohej më,
gjithçka mund të dëgjosh me veshë

ish përplasja e shpatave të mprehta,
kokat e trimave rrokullisen përdhe,
veç topat e knjazit ende gjëmojnë.

Sa fort ishin bërë gati për dekë,
thoshe toka tash dysh do të çahej,
qielli i kthjellët do të binte mbi lendinë
dhe yjet do të iknin në skaj.
E gjithë fusha me trupa u mbulua,
të gjithë ishin trupa insanësh.

Dikush thërret: “O nënë e mjerë!”
Dikush tjetër: “Nëna këtu s’ndihmon,
sot t’është shpata babë e nanë!”

Pushkët kërcasin rreth e m’anë,
e vërshojnë shqiptarët e rreptë.

Lumi Lim nga gjaku u mpleks,
dy ujëra u përplasën rreptë:
njëri lum është Limi, tjetri është Zeta.
Nuk rridhnin më siç ujërat rrjedhin,
aq shumë trupa që kishin rënë,
sa lumenjtë në fusha u përmbyten
dhe i nxirrnin trupa mbi lëndinë.

— “Më lër, o Alipashë i furishëm,
rëndë me turp ti më ke rënduar,
një e treta e ushtrisë sime u shua!”

Iu përgjigj Pasha nam madh:
— “A po më dëgjon, Vukotiq Stevan?
Duhej ta dëgjoje knjazin tënd
dhe gjithmonë t’i rrije në ndihmë.
Jazëk i qoftë Petroviq Nikollës,
s’qe i zoti as vetën ta mbante,
e jo më të mbërrinte në Selanik.
Përshëndetma Petroviq Nikollën,
le ta mbledhë ushtrinë përsëri
dhe të sulmojë prapë Gucinë time!”

Ia dha jataganin e stolisur:
— “Çoje këtë shpatë Stevan Vukotiqit.”

U ul pasha në bregun e Limit
u ul shkroi një letër të vogël:
— “Më dëgjon, o Petroviq knjaz,
ja ku e ke letrën time të vulosur,
mos e fajëso Stevan Vukotiqin.
Ushtria iu përplas egërsisht.
Beteja zgjati gjashtë orë e gjysmë.
Ia dhashë shpatën Vukotiqit tënd,
me këtë letër e me vulën time,
që të mos thuash se të mashtruan
apo Vukotiqi ta tradhtoi ushtrinë.”

Ia dha shpatën Iljas Bajraktarit
dhe ia dorëzoi letrën e vulosur.
Ja tash turku, Iljas Bajraktari!
I jep kalit, e fut përmes Limit
e kalon kalin më anë me not.
Po e shikon Stevan Vukotiqi
e u thërret malazezëve të vet:
— “Mos gabon kush të qëllojë,
mos ia ktheni pushkën djaloshit,
se është trim që s’ka një të dytë!”

Iu afrua Vukotiq Stevanit,
ia dha Stefanit të gjitha nderimet
dhe ia dorëzoi shpatën e pashait.
Stevani mori shpatën e stolisur
mori edhe letrën e vulosur.
Menjëherë futi dorën në xhep
ia dha treqind talirë argjendi.

“Bajraktar i dashur, tani shko,
për mua puthja dorën pashait!”

Kështu thanë dhe u ndanë.
Iljasi u kthye te pasha AliPasha.
Kur po nisej Stevan Vukotiqi,
në Guci tashmë po krisnin topat;
Shenllëk bënte pasha Alipasha,
se e kishte mbrojtur Gucinë e tij.

Stevani vrap u kthye në Cetinë
krejt ia tha Petroviq Nikollës,
ia tha krejt, siç kishin ndodhur.
Nikolla derdhte lot nga sytë,
thekshëm vajton malazezët e rinj
vajton ku i kishin rënë bijtë,
qan për katërmbëdhjetë kapetana.

Fusnotat, sqarime shtesë nga teksti:  

  1. Asboth ishte anëtar i parlamentit hungarez, intelektual dhe studiues i shekullit XIX, i njohur për
    analizat e tij kritike mbi shoqërinë dhe politikën evropiane. Ai u mor edhe me çështjet ballkanike,
    kryesisht me Bosnjën dhe Ballkanin në përgjithësi, të cilin e shihte si një hapësirë komplekse me
    ndërthurje kulturore, fetare dhe politike. Ai analizoi pasojat e sundimit osman dhe ndikimin e
    fuqive të mëdha evropiane në destabilizimin e rajonit.
  1. Fatkeqësisht unë nuk kisha mundësi për të bërë një përkthim profesional gjuhësor dhe artistik
    metrik të këngës. Ky është vetëm një përkthim pa pretendime sa për të analizuar përmbajtjen.
    Kënga duhet përkthyer nga profesionistët duke iu përshtatur metrikës së këngës popullore, pasi
    Asboth në anglisht e gjermanisht me tetë vargësh, kurse origjinali është dhjetë vargësh i epikes
    historike në boshnjakisht e shqip.
  2. Ka një bazë historike për atë që pohon kënga pasi vërtetë në Cetinë nga viti 1836 kishte një sallë
    bilardoje, ishte një pallat i quajtur “Biljarda” i ndërtuar në 1838 në të cilin kishte një dhomë të
    madhe me një tavolinë bilardo, pasi ajo kishte qenë loja e preferuar e sundimtarit që e porositi, P.
    P. Njegosh. Biljarda edhe sot është pjesë e Muzeut Kombëtar të Malit të Zi.
  3. Angl. Shprehja “May a serpent bite thee” është një pasthirrmë poetike në anglishten e vjetër —
    përdoret për të shprehur një dëshirë apo mallkim (“Ashtu u bëftë!”).
  4. Një person me këtë emër, Lazar Soçica, ka jetuar në këtë kohë në Mal të Zi nga zona e Pivës, ka
    qenë një autoritet lokal dhe ka qenë i njohur edhe si luftëtar, mendimtar, tregtar, vojvodë e
    bylykbash e politikan.
  5. Në fakt ky është një gabim nga Asboth në përkthim dhe në të kuptuar të materialit që ka marrë.
    Ajo që ai e quan “oldjedije” nuk është as ëmbëlsirë e as pije por është përshendetja dhe pritja me
    hozhgjellden (oždželdija, nga turqishtja: hoş geldiniz -mirë se vini”) dhe këtë e ka sqaruar dhe
    korigjuar Krauss në botimin e dytë në revistë.
  6. Ndoshta ltina, pushkë latine, italiane
  7. Dallimi është në qëllim, lërimi është për tokë bujqësore, gërmimi bëhet me lopatë për varre dhe
    llogore.
  8. Variant boshnjak e jep më qartë këtë skenë. Malazezët pyesin a mos kanë rënë nga ushtria ruse,
    sepse knjazi nuk i ka sulmuar ende, po bajraktarët këmbëngulin se janë varret e të vrarëve nga
    knajzi (në fakt janë të vrarët që do të vriten më vonë)
  9. Shprehja që e kam përkthyer tri herë, nga boshnjakisht, gjermanisht dhe anglisht në shqip “For
    these graves do wait for ye!” (Ata po ju presin ju) ngjan si një kërcenin për armikun me varret e
    hapura: ato po ju presin ju! Një kërcenim me varre të hapura që nja pashë ia dërgon një knjazi
    para ndeshjes me armë duket e zakonshme. Por për mua kjo ka një kuptim tjetër, pasi teksti në
    vijim megjithatë e përmbys këtë shprehje të thjeshtë duke krijuar një figuracion shumë më të
    fuqishëm. Ato varrë nuk janë hapur për ju, ato varre janë hapur për ne (pasi janë 3000 luftëtarë
    shqiptarë dhe poaq varre). Në këtë rast poezia ka një simbolikë shumë të fortë. Kërcënimi banal:
    do t’ju vrasim, tash kthehet në një akt ekzistencial: këta 3000 burra kanë vendosur të luftojnë
    edhe nëse kjo do t’i çojë në vdekje. Ky paralelizëm numrash është i qëllimshëm: çdo luftëtar e ka
    tashmë të hapur “varrin e vet”. E kjo do të thotë se kapetanët duhet t’ia dërgojnë knjazit porosinë
    se shqiptarët vdekjen e kanë pranuar si mundësi, se ata e kanë tejkaluar frikën, dhe ata e kanë
    bërë betimin për këtë. Ne po hyjmë në këtë luftë duke e llogaritur vdekjen, është mesazhi i fortë i
    kësaj skene të mrekullueshme poetike. Dhe: se vdekja është pranuar si çmim i mundshëm,
    prandaj kjo luftë do të shkojë deri në fund. Një moment i shkëlqyeshëm poetik.
    Thonë se kur bajraktarët i thanë Ali Pashës në takim te Livadhi i Kovaçit që të largojnë gratë e
    fëmijët, pasi luftës nuk e dihet dhe luftëtarët do jenë më të lirë pa menduar për fatin e tyre, Ali
    Pasha ua ktheu se jo, ata duhet ta dinë që gratë e fëmijët aty që të luftojnë me shpirt edhe për
    familjet e tyre (Kjo më lidhet edhe një kujtim nga fëmijëria treguar nga Hamzë Z. Balidemaj nga
    kujtimet e gjyshit). Në këtë frymë është edhe porosia e nënave në këtë këngë: “Mjerimi dhe turpi
    u pushtoftë, nëse turpëroni vendlindjen tuaj!”, qoftë nevoja edhe duke ndodhur më e keqja.
  10. Teferiç, ndejat dhe festat, freskimet që bëheshin në Guci te krojet e Ali Pashës. Këtu ka kuptimin
    se për Pashën lufta është si një piknik. Varianti boshnjak nuk e ka këtë varg.
  11. Toponime dhe emërtime fisesh malazeze: Moraça, Ashanin, Lijevarijeka (varianti boshnjakisht e
    ka Jevoričani), Kuç, Vasojeviq, Drobnjak, Nikshiq
  12. Në tekstin në anglisht (dhe gjermanisht) herë u referohet si “Arnauts”, e në disa raste edhe
    “albanian”, kurse vendi është “Albania”. Në variantin boshnjakisht përdoret vetëm “arnaut”.
    Ndonëse e regjistruar në Bosne askund as përkthimi as varianti boshnjak në tekst nuk i referohet
    popullatës vendase dhe pjesëmarrësve në luftë si “bošnjak”, as si “bosniaks”.
  13. Siç e ka edhe emrin kënga, lufta i referohet vetëm Gucisë, Plava nuk përmendet fare as nga
    emri, as për zhvillimin e ngjarjeve atje edhe pse lufta më e madhe u zhvillua në dyert e Plavës.
  14. Boshnjakisht “meqe jemenlije”, këpucë-opinga të bëra nga lëkurë e zgjedhur nga Jemeni me dhe
    punime dore.
  15. Çarshi
  16. Fjala është për popullatën malazeze të Gucisë dhe udhëheqësit e tyre fetarë.
  17. Një kod burrëror lufte e nderi. Nëse është përkthyer mirë ky është një moment kur Ali Pasha u
    hedh dorezën e sfidës malazezëve: nëse doni shkoni bashkojuni me ta, por nëse rrini mos rrini
    me tradhti. Në është për t’u qëlluar, ja merrni pushkët dhe barutin, më qëlloni tash këtu sesa të
    më tradhtoni më vonë pas shpinë.
  18. Një tjetër kod kalorësiak. Ali Pasha refuzon të merr me vete në luftë rajën sllave (do të ishte me
    detyrim pavarësisht se ata paraqiten vullnetarisht), pasi siç thotë ai nënat do ta mallkonin. Ai do
    ushtarë që vijnë vetë me dëshirë në luftë për të mbrojtur atdheun e vet. Ofrimin e ndihmës së tyre
    Pasha ua kthen me premtim se ata prapë se prapë do jetë nën mbrojtën e tij (baba, mbrojtësi
    juaj) nëse i përmbahen fjalëve dhe nuk lëvizin gjatë luftës për të spiunuar apo goditur në
    prapavijë.
  19. Qylahu- plis, varianti anglishy e ka “Turbans”, çallma, shalla por varanti boshnjak e ka qulah.
    Mitanin Asboth e ka përkthyer fustanella, kurse për çakshirët thotë vetëm me të bardha
  20. Pushkë ignelie e ka varianti boshnjak. Pushkë iğne quheshin pushkët me gjilpërë, pasi godisnin
    me thumb, ndryshe nga pushkët e vjetra me strall a me kapsollë
  21. Fillimisht në këto rreshta jepet përmasa kozmike e betejës, pas tyre në rreshtat në vazhdim jepet
    ana njerëzore.
  22. Në luftë fyt më fyt askush s’të ndihmon, tehu i shpatës është krejt çka ke. Prej të cilit varet do
    vdesësh a do rrosh.
  23. Figurativisht lumi shqiptar Lim ndeshet me lumin malazez Zeta (që në realitet është shumë larg
    në Mal të Zi) tregon që bashkë me njerëzit po ndeshet edhe natyra. Njëjtë si të Fishta Zana e
    Visitorit dhe Zana e Durmitorit. Natyrisht kur Limi ngadhënjen, kur ligështohet zana e Durmitorit,
    aty është momenti kur thyhet fronti dhe ushtria malazeze merr ikën.
  24. Clan of the Vlashi, fis i vëllehëve? edhe pse anglisht për vllehët thuhet “Vlachs”
  25. Cetinje
  26. “Ethnologische mitteilungen aus Ungar “(Raporte etnologjike nga Hungaria) Nr 2, botuar nga prof.
    dr. Anton Herrmann faqe 149-152
  27. Ethnologische mitteilungen aus Ungar “Mesazhe Etnologjike nga Hungaria” (1887-1889) Nr 3,
    1889 nga prof. dr. Anton Herrmann (varianti shkurt serbisht me sqarime gjermaništ) 323- 328
  28. Friedrich Salomo Krauss (1859–1938) ishte një studiues austriak i folklorit dhe etnologjisë së
    popujve sllavë të Jugut, kontribuues i rëndësishëm në botime shkencore
  29. “Bosnien und die Herzegowina: Reisebilder und Studien” (skica udhëtimi dhe studime) Johhan
    von Alboth, Hölder Vjenë 1888
  30. “An official tour through Bosnia and Herzegovina” by Johan de Asboth, Swan Sonnenschein,
    London: 1890.
  31. Edmund Spencer, “Travels in Europian Turkey” 1850, London (dy vëllime)
  32. Edmund Spencer, “Travels in Europian Turkey”, London volume 1, 1850
  33. Çifçi (çipçi) bujk pa tokë, që punonte një ngastër të pronave të çifligarit dhe merrte për vete vetëm
    një pjesë të prodhimit.
  34. Radosllav Jagosh Veshoviq “Vasojeviqi”, Sarajevë 1935
  35. Kjo ndodhi sidomos gjatë fushatës së Hyraverdi Pashë Mahmutbegollit të Pejës në vitin 1700 që i
    dërmoi kelmendasit dhe i shpërnguar nëpër Rugovë e Peshter e deri në Vojvodinë (kolonitë në
    Srem)
  36. Radosllav Jagosh Veshoviq “Vasojeviqi”, Sarajevë 1935
  37. Kufiri
  38. Ka bërë be
  39. “Hallakatë” (alaknuti) ka kuptimin bërtasin, lëshojnë një britmë lufte të fuqishme dhe të
    menjëhershme, lidhjet edhe me me britmën “Allah, Allah!” që lëshonin luftëtarët muslimanë në
    momentin që hidheshin në sulm ballor.
  40. Noshta Lijeva Reka, levoreçanë
  41. Pushkë iğne quheshin pushkë me gjilpërë, pasi godisnin me thumb, ndryshe nga pushkët e vjetra
    me strall a me kapsollë
  42. Përçini ishte një bishtalec flokësh që burrat e asaj kohe, shqiptarët malësorë e malazezët e linin
    të rritej në majë të kokës, ndërsa pjesën tjetër e rruanin. Kjo bëhej në rast se burri vritej në luftë
    dhe i pritej koka si trofe, siç ishte zakoni burrëror i kohës, perçini shërbente si “dorezë”, pasi ishte
    më mirë që armiku ta kapte kokën nga flokët sesa t’i fuste gishtat në gojë apo në hundë për ta
    bartur. Ishte një lloj respekti i fundit për dinjitetin e të vdekurit. Njëkohësisht edhe në kohën e
    paqes për burrat ishte një shenjë prestigji dhe burrërie, që tregonte se unë jam i bërë dhe i
    përgatitur për lufte.
  43. Varianti boshnjak ka vetëm thikat e jo shpatat, por unë i kam përkthyer shpata. Shpata përmendet
    vetëm në episodin e fundit, kur Ali pasha ia dhuron një shpatë Vukotiqit, “sablja”, shpatë e kthyer
    turke, jatagan.
  44. “Koliko su pričesteli bili”: “pričesteli” i referohet ritualit të kungatës. Në traditën e krishterë (si atë
    ortodokse malazeze, ashtu edhe atë katolike shqiptare të asaj kohe), ushtarët përpara se të
    niseshin në një betejë ku e dinin se mund të vdisnin, rrëfeheshin dhe merrnin kungatën, dmth
    pajtoheshin dhe në paqe bëheshin gati për vdekjen.
  45. Në kuptimin jo vetëm që arma është prindi i burrit dhe në fushë të mejdanit je vetëm veç me
    shpatën e krahun tënd. Se në luftë fyt më fyt askush s’të ndihmon, tehu i shpatës është ai prej të
    cilit varet do vdesësh a do rrosh. Ai është krejt çka ke.
  46. Boshnjakisht “Lim je voda lešom usirio”; “usirio” mund të jetë trashje, si djathi (sir) si mpleksje
    gjaku