Vdes Adem Demaçi, simboli i rezistencës kombëtare

Ka ndërruar jetë veprimtari i çështjes shqiptare, Adem Demaçi, në moshën 82 vjeçare.

Lajmin për vdekjen e tij e ka dhënë nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti.

“Ka ndërruar jetë mësuesi jonë, njeriu që i dha 28 vjet të jetës së tij nëpër kazamatet serbe. Ai ka ndërruar jetë por vepra e tij do të lartësohet e të kujtohet për sa të ketë jetë”, ka thënë Haliti, që po kryesonte seancën në të cilën po diskutohej për dialogun me Serbinë.

Pasi ka ftuar deputetët për një minutë heshtje, seanca është ndërprerë për të vazhduar nesër.

Demaçi njihej si simboli i rezistencës kombëtare, i quajtur edhe si Mandela i Ballkanit. U lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë. Studioi për letërsi, juridik në Prishtinë, Beograd dhe Shkup.

Në vitet 1950, ai botoi një numër tregimesh të shkurtra me komentime sociale në revistën Jeta e Re, si dhe romanin emblematik të tij të vitit 1958 me titull “Gjarpijt e gjakut” që flet për gjakmarrjen në Kosovë dhe Shqipëri. Krijimtaria letrare i solli famë.

Demaçi u arrestua fillimisht për kundërshtimin e tij ndaj qeverisë autoritare të Josip Broz Titos në vitin 1958, duke mbajtur tre vjet burg. Ai u burgos përsëri më 1964-1974 dhe më pas 1975-1990. Ai u lirua nga burgu në vitin 1990, duke shënuar në total 28 vjet burg.

Pas lirimit të tij, ai ishte kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMLDNJ) nga viti 1991 deri në 1995. Ai gjithashtu shërbeu si kryeredaktor i Zërit, një revistë me seli në Prishtinë, nga viti 1991 deri më 1993.

Në vitin 1991, ai u nderua me Çmimin Sakharov të Parlamentit Evropian për Lirinë e Mendimit. Në vitin 1996, Demaçi u rikthye në jetën politike, duke marrë kreun e Partisë Parlamentare të Kosovës.

Dy vjet më vonë, ai u bashkua me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke shërbyer si krahu i saj politik.

Në vitin 1999, ai dha dorëheqje nga UÇK pasi mori pjesë në bisedimet e paqes në Francë duke kritikuar marrëveshjen e propozuar që nuk garantonte pavarësinë e Kosovës..

Në vitin 2010 ai u dekorua me Urdhrin “Hero i Kosovës”.