111 Vjetori i pushtimit të Plavë Gucisë dhe masakrat malazeze nga vjeshta 1912 deri në pranverë 1913 

Nga Esad GjONBALAJ ,

Në vjeshtën e vitit 1912, krajlitë serbo-malazeze, e ndezën Luftën e Parë Ballkanike (18 tetor 1912-30 maj 1913).

Mbretëria e Malit të Zi (1910-‘18), me “Grupimin e Verilindjes “ (term  I operaciinit ushtarak malazez) të komanduar nga gjenerali antishqiëtar Janko Vukatiq, më 9 tetor 1912, e ndërmori një ofensivë të madhe ushtarako-politike për të pushtuar krahinën e Plavë-Gucisë me rrethina, rajonin e Sanxhakut, duke synuar për pushtime e aneksime edhe krejt Rrafshin e Dukagjinit, me Pejë, Prizren e Gjakovë.

“Grupimi i Verilindjes”, një nga formacionet ushtarake më gjakatare e më pushtuese në historinë e Malit të Zi e të Ballkanit Perëndimor, e futi nën okupimin e vet komunën e sotme të Mojkovacit (9 tetor), atë të Bjellopoljes (11 tetor), Beranën (15 tetor) dhe hynë në Pazarin e Ri (Novi Pazar) më 21 tetor 1912.

Në drejtim të Krahinës (Kazasë) të Plavë-Gucisë u nisën disa reparte luftarake malazeze, të komanduara nga gjenerali Radomir Veshoviq,  të cilët u pëballën me një lufte qëndrestare heroike të Shqiptarëve  në vijë kufitare e brendësi territoriale: Vizitor-Qafë Xhami (Pepaj)-Arzhanicë-Çakorr, po ushtria malazeze arriti të pushtojnë Plavën (19 tetor 1912) dhe pas një lufte mbrojtëse e sulmuese të Shqiptarëve në vijën Vermosh-Greben-Zeletinë-Vizitor e morën përgjakshëm nën pushtimin e tyre edhe Gucinë (20 tetor 1912).

“Grupimi i Verilindjes”, me forcat e tij ushtarake barbare, u nis më 20 nëntor 1912, si një tjetër përforcim në Rrethimin e Shkodrës, për ta marrë me çdo kusht nën pushtimin e aneksimin e Malit të Zi.

Në krahinën shqiptare të Plavë-Gucisë, (sikurse dhe në komuna të tjera veriore), duhet thënë se forcat turke (otomane) patën një rezistencë ushtarake të dobët, krejt të lehtë, kryesisht për mbrojtje të vetëvetes, të cilët, për turpin e një përandorie të madhe, ikën me të shpejtë, duke e lënë “kazanë e tyre” shqiptare nën një pushtim tjetër malazez, sllav.

Mali i Zi, në këtë luftë ballkanike, me këto luftime pushtuese, me kompromise e padrejtësi të disa kancelarive të huaja, arriti ta ndajnë Rajonin e Sanxhakut në dy pjesë territoriale: Sanxhaku Lindor- me Serbinë dhe Sanxhaku Perëndimor- me Malin e Zi, i cili i përfshinte krahinën e Plavë-Gucisë, si edhe Rozhajë, Beranë, Andrejavicë, Bjello-Polje, Plevlë, Petnjica.

Në Kuvendin historik të Vlorës krahina e Plavë-Gucisë (me Pejë, Gjakovë e Malësi e Gjakovës) i pati përfaqësuesit e saj, me manadat ekskluziv popullor, si: Rexhep Bej Mitrovica, Bedri Bej Pejani, Salih Gjuka–Dukagjini, Mithat Frashëri, të cilët morën pjesë aktive në Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare Shqiptare.

Malazezët, pas pushtimit të përgjakshëm, e riorganizuan krahinën e Plavë-Gucisë në një “Kapiteni” (rreth) me pesë komuna, me kryeqendër Gucinë, duke i vendosur qeveritarët e vet dhe prej nga janari 1913 e fut në juridiksonin e Pejës së bashku me Gjakovën.Kapiten të parë ishin antishqiptarët Milutin Radonjiq,Milivoje Dragoviq, Gjuro Vujosheviq.

Ndërkohë në “Kapiteni të Gucisë” vijnë edhe kriminelë si Avro Cemoviq (Avro Cemi) me brigadën e tij terroriste genocidiale të pashembullt (edhe me mercenarë beranas– vasoviq të poshtëm), i cili kishte kryer masakra barbare edhe në Rajonin e Sanxhakut (në Rozhajë, në Tutin) edhe në Pejë e në Istog.

Në kushtet  e rrethanat kur krahina e Plavë-Gucisë nuk ishte nga ana administrative-politike-ushtarake një “kaza turke” (prej tetorit 1912); ndërkohë që Mali i Zi e kishte pushtuar e aneksuar dhe shpall nga “Kapiteni” malazeze me disa komuna juridiksionale dhe administratën e kishte të veten sipas interesave politike-ushtarake-fetare malazeze; ndërkohë që shqiptarët autoktonë (dhe etnitë e tjera të ardhura aty) nuk kryenin revolta apo atentate ndaj pushtuesve barbarë malazezë;   vet krajlia e Malit të Zi i nisi hakmarrjet ndaj shqiptarëve myslimanë e katolikë dhe ndaj shqiptarëve të (vet)kthyem në boshnjakë, duke kryer masakra nga më të egrat në historinë e njerëzimit, një genocid e terrorizëm klasik, sepse kryhej për shkak të etnisë (shqiptare) e të fesë (jo ortodokse), nga “kapiten të Parë”– zyrtarë të krahinës (rrethit) dhe nga brigada terroriste si ajo e “Avro Cemit faqezi”.

Në vjeshtën e viti 1912 deri në pranverë 1913, Mbretëria e Malit të Zi, në krahinën e Plavë- Gucisë ndërmori vrasje tragjike kolektive, masakroi e dhunoi qindra shqiptarë burra gra dhe fëmijë nën pretekstin e nënshtrimit dhe të kryqëzimit të atyre të përkatësisë muslimane, kurse shqiptarëve të besimit katolik duke ua prerë dy gishtrinj që lutjet t’i bëjnë sipas bindjeve ortodokse serbe, etj.

Kështu, në këto kohë të vështira vendore e rajonale u krye një masakër e jashtëzakonshme, që në historinë shqiptare njihet si “Masakra e Previsë”, e cila në përmasat e saj tragjike përfshin edhe masakrime të tjera të genocidit malazez në këtë krahinë “Kapitani”, në këtë kohë të sundimit malazes, e cila është një ndër masakarat më të mëdha të kryera në historinë ballkanike, europiane e botërore.

Ne pasarëdhësit e të parëve tanë martirë të kësaj “Masakre të Previsë” (1912-’13), të kryer nga  Mali i Zi, e kemi për obligim të lartë njerëzor, qytetar, demokratik; e kemi një detyrë madhore kombëtare, që t’i përkujtojmë në mënyrën sa më dinjitoze në çdo përvjetor të saj të gjithë heronjtë, martirët e viktimat e kësaj tragjedie të jashtëzakonshme dhe ta ngrejmë zërin ndërkombëtarisht për dënimin e kësaj masakre të përgjakshme,  si “krim kundër njerëzimit”, si “genocid”(popullvrasje) në bazë të Deklaratës Universale për Të Drejtat e Njeriut (OKB, 9 dhjetor 1948), “Konventa për Genocidin, për pengimin dhe dënimin e krimit të Genocidit” (OKB, 9 dhjetor 1948) etj., njohëse dhe nënshkruese e të cilave është edhe Republika e sotme e Malit të Zi.

/Plava e Gucia Sot