Abazoviq pranon ftesën e Zelensky, kryeministri i Malit të Zi do të vizitojë Kievin

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka pranuar ftesën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, që ta vizitojë kryeqytetin e Ukrainës – thuhet në një kumtesë të lëshuar nga kabineti i kryeministrit të Malit të Zi.

Kujtojmë që Zelensky gjatë 9 qershorit ka realizuar një bisedë telefonike me Abazoviqin, të cilin e ftoi për një vizitë në Kiev, transmeton Telegrafi.

“Siç është paralajmëruar, kreu i ekzekutivit Abazoviq do të iniciojë idenë për një vizitë të përbashkët në Kiev të kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në veçanti të atyre vendeve nga rajoni që janë anëtare të NATO-s, me qëllim që të dërgohet mesazhi i unitetit nga Ballkani Perëndimor, ku këto vende mbështesin sovranitetin dhe integritetin e Ukrainës”, thuhet ndër tjera në kumtesë.

Abazoviq gjatë bisedës telefonike me Zelensky, e ka njoftuar se Mali i Zi ka hapur dyert për refugjatët nga Ukraina.