ADN-ja dhe historia flasin: Radonçiqët dhe rrënjët e tyre shqiptare

Origjina e Vëllazërisë Radonçiq

Bazuar në të dhëna të shumta gojore dhe në hulumtime të njohësve të fushës, origjina e vëllazërisë Radonçiq është nga fshati Orahovë, në rrethinat e Podgoricës. Deri në bashkëngjitjen e tyre me Malin e Zi, ata nuk e njihnin gjuhën serbe, por flisnin vetëm shqip.

Radonçiqët i përkasin fisit Kuç, fillimisht me fe katolike, më pas ortodokse dhe në fund myslimane, pas shtrirjes së ndikimit osman. Në vendlindjen e tyre Islami nuk arriti të zinte rrënjë, por gjatë shpërnguljeve, Kuçët e pranonin me lehtësi fenë e re. Prandaj sot gjejmë një numër të madh Kuçësh myslimanë në Sanxhakun e Pazarit të Ri, sidomos në Sjenicë, por edhe në Guci. Afër Beranës ndodhet Crni Vrh (Maja e Zezë), ku dikur kishte rreth 50 shtëpi të Kuçëve myslimanë.

ADN-ja që flet

Bazuar në analizat më të fundit të ADN-së dhe në burime relevante, Radonçiqët janë shqiptarë dhe kanë mbetur të tillë brez pas brezi. Linja gjenetike që dominon te Radonçiqët është E-V13, e përhapur gjerësisht ndër shqiptarë.

Sot, në vendin e tyre të origjinës në Orahovë, rreth 70% e banorëve janë malazezë me qëndrime të theksuara antiserbe, por që nuk e mohojnë rrënjët e tyre shqiptare.

Luftëtarë dhe martirë

Njëra nga degët e fisit Kuç janë edhe Radonçiqët e Gucisë. Me vendosjen e tyre në këtë trevë, ata u bënë pjesë e rezistencës shqiptare. Në kohën e Lidhjes së Prizrenit, nga kjo familje dolën luftëtarë të rreptë si Huso, Halil e Sylë Radonçiq, të cilët bashkë me Adem Bajraktarin, Bali Demën e Martinajve dhe Binak Alinë e Krasniqes, u bënë digë e pathyeshme në kufirin shqiptaro-malazez, në zonën e Gerçantit.

Pas pushtimit të Gucisë, kapiteni famëkeq malazez Avro Çemoviq pushkatoi shumë nga kjo vëllazëri, ndër ta: Haxhi Hasin, Haxhi Beqin, Ibrahim Halilin, vëllezërit Halil e Murat, si dhe Adem e Din Talin. Në Jugosllavinë Mbretërore Radonçiqët ishin të ndjekur dhe të përndjekur.

Dëshmitë historike

  • Rovinsky (1880): Banorët e Orahoves – vendi i origjinës së Radonçiqëve – nuk flisnin aspak serbisht, por vetëm shqip. Serbishten e mësuan vetëm pas aneksimit nga Mali i Zi.
  • Milakoviq (1858): Ubraja, Orahova, Zatrebaci dhe Kuçi ishin “fshatra shqiptare” (arbanaska sela).
  • Andrija Joviçeviq (1921): Në veprën Krahina e Plavës dhe Gucisë dhe Polimlja e Epërme shkruan se gjuha e shumicës së banorëve të Gucisë ishte shqipja dhe se banorët e Orahoves deri vonë flisnin shqip.

Këto janë vetëm disa nga dëshmitë historike, ndërsa fjala e fundit i takon shkencës së ADN-së, e cila vërteton qartë rrënjët shqiptare të kësaj vëllazërie.

Përfundim

Historia e Radonçiqëve është pasqyrë e fatit të shqiptarëve në Ballkan: asimilim, përndjekje dhe humbje të identitetit kombëtar. Sot, një pjesë e madhe e shqiptarëve në Plavë e Guci identifikohen si boshnjakë.

Megjithatë, shpresa mbetet gjallë: që me kalimin e kohës lumi i atdhetarisë të kthehet në shtratin e vet, duke i bërë Radonçiqët të njihen e të respektohen për atë që ishin dhe janë në rrënjë – bij të shqiptarit të madh, të parit të tyre Radonja.

✍️ Esad Gjonbalaj

📌 Plava e Gucia Sot