Kamberi në Kuvendin e Serbisë propozon rezolutë për krimet serbe në Kosovë

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka bërë të ditur se bashkë me deputetët e SDA Sanxhak, Ahmedin Shkrijel dhe Minela Kalender, kanë propozuar në procedurë parlamentare një rezolutë për dënimin e krimeve të kryera në Kosovë gjatë viteve 1998–1999.

Në një postim në Facebook, Kamberi ka theksuar se rezoluta paraqet thirrje për ballafaqim me të kaluarën dhe për pranimin e fakteve të vërtetuara nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë.

“Rezoluta dënon krimet sistematike, vrasjet, deportimet, spastrimin etnik dhe dhunën e ushtruar ndaj popullsisë civile shqiptare në Kosovë nga strukturat ushtarake, policore dhe paramilitare të regjimit të atëhershëm të Serbisë”, deklaron Kamberi.

Rezoluta, po ashtu, përmend masakrat në Reçak, Mejë, Krushë të Madhe, Krushë të Vogël, Suharekë, Izbicë, Podujevë, si dhe në vende të tjera, duke rikujtuar edhe ekzistimin e varrezave masive në Batajnicë, Petrovo Selo, Peruçac dhe Kizhevak.

Në dokument kërkohet hapja e arkivave shtetërore dhe ushtarake, vazhdimi i hetimeve për personat e zhdukur, si dhe garantimi i të drejtës për të vërtetën dhe drejtësinë për familjet e viktimave.

Rezoluta dënon gjithashtu mohimin e krimeve të luftës dhe glorifikimin e kriminelëve të dënuar.

Kamberi thekson se pranimi i së vërtetës dhe respektimi i viktimave nuk përbën dënim për qytetarët e Serbisë, por distancim nga politikat dhe strukturat përgjegjëse për krimet e kryera.

Sipas tij, vetëm përmes pranimit të fakteve, drejtësisë dhe përgjegjësisë mund të ndërtohen paqja e qëndrueshme, besimi dhe pajtimi në rajon, ndërsa ballafaqimi me të kaluarën mbetet obligim moral, juridik dhe qytetërues për çdo shoqëri demokratike.

Screenshot